Thirrja për ndihmë nuk ka ra në vesh të shurdhët. Një ditë pasi Report Tv solli rastin tronditës të jetesës mes skamjes, të dy vëllezërve me probleme shëndetësore Spiro dhe Thoma Çako, 32 dhe 40 vjeç, Bashkia e Delvinës ka reaguar.
Punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve dhe të Shërbimit Social Delvinë kanë ndërhyrë në banesën e tyre, duke kryer pastrimin, dezinfektimin dhe sistemimin e ambientit. Në shtëpi janë vendosur orendi të reja: krevate, dyshekë, dollapë dhe pajisje të tjera të nevojshme për një jetesë minimale.
Ndërsa kanë nisur procedurat për punësimin e një kujdestareje që do të kujdeset për dy vëllezërit Çako në mënyrë të vazhdueshme. Kjo masë vjen pas thirrjeve të qytetarëve dhe opinionit publik që kërkuan jo vetëm ndihmë ekonomike, por kujdestari dhe trajtim njerëzor.
Report Tv një ditë më parë, solli pamjet nga brenda banesës së dy vëllezërve, shtëpi me çati që pikon nga të gjitha anët, krevate të lagur, mungesë uji të ngrohtë, ushqim të rregullt dhe pa asnjë person që të kujdesej për ta. Spiro dhe Thoma Çako trajtohen me ndihmë ekonomike prej vetëm 12.900 lekësh secili.
Komente









