Satelitët Albania 1 dhe 2 po fotografojnë vendin! Do japin hartën e dëmeve nga zjarri

Shqipëria po fotografohet përsëri nga ajri përmes satelitëve Albania 1 dhe 2, me qëllim analizimin e problemeve të territorit, nga dëmet e shkaktuara nga zjarret, përmbytjet, menaxhimi i zonave të mbrojtura apo zonat me thatësirë të madhe që paraqesin rrezik për zjarre në të ardhmen.

“Gjatë vitit të kaluar ne bëmë një mbulim të vendit me ortofoto, dhe në vitin 2024 po bëjmë mbulimin e dytë me qëllim që të shikojmë ndryshimet që kanë ndodhur në tokë. Shikojmë si ndryshojnë burimet ujore, apo fauna. Ne japim informacione se ku janë zonat e thata dhe shohim që mund të ketë rreziqe për zjarre dhe informojmë për marrjet e masave. Pastaj evidentojmë dëmet që bëhen nga zjarret apo dhe nga përmbytjet. Jep një pamje financiare për të bërë institucionet përllogaritjet e dëmeve”, u shpreh në Komisionin e Veprimtarisë drejtuesja e ASIG Vilma Tomço.

Në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, teksa u prezantua projektligji për informacionin gjeo-hapësinor, opozita hodhi akuza mbi funksionimin e satelitëve, dhe ngriti disa pyetje për qeverinë.

“6 mln euro për foto me ngjyra, u mendua se do të zhdukte urinë, s’do kishte më kanabis e as mallra kanabis. Bujqësia do të kishte rendiment më të lartë, madje Rama tha se do të ulet edhe tradhtia bashkëshortore. U paguan 6 milionë euro për të bërë foto me ngjyera dhe realizimi është vetëm fotografim në Sazan për sipërfaqet e djegura dhe përmbytjet në Bunë. Ky është një shpenzim i kotë. Pse duhen dy satelitë, për sipërfaqen që ka Shqipëria? Cilat janë realizimet nga këto satelitë, në cilat fusha? A janë identifikuar fusha me kanabis, kontrabandist, a janë parandaluar përmbytje?”, pyeti deputeti i PD-së Helidon Bushati.

“ASIG merr vetëm informacionet nga e kapura satelitët, i analizon, i proceson, i përpunon dhe ua vë në dispozicion institucioneve. Viti i parë ishte vit i vështirë, pasi nuk ishte bërë ndonjëherë në Shqipëri, u krijuan kushtet kapacitetet, u krijua një struktura e re që po punon me elementë të inteligjencës artificiale. Nuk kapim video, mbi fotot bëjmë analiza. Ne nuk kemi qëllim të hapim hajdutët, i ka tjetër kush i kap ato. Ne shikojmë si ndryshon menaxhimi i territorit, si ndryshojnë, lumenjtë apo detet dhe japim një informacion që të bëhet një vendimmarrje më e saktë”, tha drejtoresha ASIG Vilma Tomço.

Projektligji i prezantuar tha zëvendësministrja e Mjedisit Almira Xhembulla, përveçse përafrohet me legjislacionin e BE-së synon edhe sigurimin e të dhënave më të sakta e cilësore mbi territorin.

“Do të përfshihen teknologji të reja të informacionit dhe metodat më të avancuara në mbledhjen e imazheve, përmes satelitëve. Ndryshimet do të mundësojnë realizimin e misionit të ASIG për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeo-hapësinor, dhe do të sigurojnë që informacioni të prodhohet me cilësi dhe standarde ”, tha zëvendësministrja e Mjedisit Almira Xhembulla.

Me ndryshimet e bëra ASIG do të jetë në varësi të Kryeministrit pasi ka qenë nën varësi të ish-ministrit të Inovacionit dhe Administratës Publike, do bashkëpunojë me 10 ministri që kanë në varësi 24 institucione.

Shumica e informacioneve që sigurohet nga satelitët, kamerat apo pajisjet e tjera do të jenë të hapura dhe pa pagesë për institucionet, qytetarë, bizneset apo palë të tjera të interesuara. Siç edhe projektligji e saktëson, vetëm një kategori të dhënash që do caktohet nga Këshilli i Ministrave do të jenë me pagesë.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    DASH rithekson se SPAK është kyçi i luftës ndaj korrupsionit, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool përmbys 1-3 Milanin, Juventus e nis me tri pikë! Bayern Munich ia bën 9-2 D. Zagrebit, Real sukses me vuajtje në Madrid

Champions League/ Liverpool përmbys 1-3 Milanin, Juventus e nis me tri pikë! Bayern Munich ia bën 9-2 D. Zagrebit, Real sukses me vuajtje në Madrid