Sazan Goliku: Mes pesimizmit
real dhe optimizmit virtual

Sazan Goliku: Mes pesimizmit<br />real dhe optimizmit virtual
Në shënimin e tij në kopertinën e kësaj përmbledhjeje me tregime e rëfenja, redaktori, Prof.Dr. Zyhdi Dervishi, ka shkruar: “Ky libër i Sazan Golikut përngjet me një abazhur kompleks artistiko-letrar të teknologjisë më të avancuar që me rreze valëshkurtëra rrëfenjash dhe me rreze valëmesme tregimesh rilevon profilet kryesore të shoqërisë shqiptare, mekanizmat psikokulturor të ndryshkur dhe modernizues të saj, të cilët bashkëfunksionojnë nëpërmjet ngërçeve dhe dhimbjeve të shumëfishta deri traumatizuese. Në këtë intervistë me autorin e këtij libri zbulojmë disa detaje mbi mesazhe t që lëvrijnë mes rreshtave, stilin, dhe temat e rrëfenjave…

  Sazan Goliku
Sazan Goliku
 

Pas botimit të novelës “Zjarr dhe  zjarr” ju botuat këta muajt e fundit përmbledhjen me tregime e rrëfenja “Aksion në shkumën e vaskës”. Cili ka qenë pikësynimi juaj artistik dhe ç’kuptim ka ky titull?
Titulli nuk është rastësisht një metaforë, por ka kuptim të hapur ironik, i ngritur mbi litotën. Edhe në këtë libër kam synuar, veç të tjerash, të shprehë me gjuhën e alegorisë e të simbolit fatalitetin e situatave e të përpjekjeve tona në ekonomi, politikë, ekologji, kulture që kanë përfunduar si flluskat e sapunit në vaskën jo aq të pastër të historisë.
 
Ky libër është një përmbledhje me tregime e rrëfenja. Ju keni për zemër ato që i quani herë rrëfenja, herë parabola. Në këtë libër keni edhe mikrodialogje dhe përsiatje artistike. Cili është kuptimi ose nënteksti i këtyre shkrimeve?
Ç’kam dashur të them me këto shkrime? Pa tjetër që diçka kam dashur të shpreh, po nuk kam synuar t’ishpjegoj, t’i komentoj ose t’i interpretoj qoftë brenda tekstit, qoftë jashtë tekstit.

Nëse ato kanë vetëm një kuptim, d.m.th.nuk e kanë kaluar kufirin e një informacioni gazetaresk, ato qofshin! Se nuk kanë të bëjnë me artin. Nëse kanë diçka më tepër, do të mirëprisja çdo lloj vërejtjeje prej cilitdo lexues, qoftë i moshuar, qoftë i ri, qoftë dashamirës ose keqdashës, qoftë me shije tradicionale ose moderniste.

Por nëse ato nuk arrin të komunikojnë me lexuesin, d.m.th. se kanë mbetur të verbëra. Një miku im, si me gjysmë shakaje ka thënë: “Kjo është një farë letërsie që nuk të ngopë asnjëherë, po të lë një shije të veçantë, të bënë të nënqeshësh me vete dhe ndoshta të përsiatësh. Por herë-herë, pas një dite të lodhshme, të kujtohet ndonjë nga rrëfenjat para se të të zërë gjumi dhe... të ikën gjumi.”
 
Ç’mund të na thoni për karakteristikat e stilit tuaj?
Që t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje duhet të pranosh së pari: kam a nuk kam stil vetjak. Këtë nuk e di dhe nuk e them për thjeshtësi të rreme. U përket kritikëve profesionistë ta thonë. Madje po përmend një shprehje të Umberto Ekos, ku thotë se nuk e di nëse jam  “i burgosur brenda gënjeshtrës” sime, nëse jam (qoftë dhe pavetëdijshëm) ”imitues imitimesh”.

Sado hidhur të tingëllojnë këto pohime, nuk u kalon dot manash, përndryshe do të thotë se matesh me hijen e mëngjesit, që është pasojë e mendjemadhësisë naive dhe shkak i zhgënjimit. Sidoqoftë mund të pohoj se tregimet e mia janë ndryshe si stil nga rrëfenjat, po  kujtoj se edhe ato kanë karakter konvencional dhe nëntekstin alegorik.
 
Kritika letrare ka theksuar karakterin lakonik të krijimtarisë suaj. A ka rrezik që kjo prirje mund t’ju çojë drejt një thatësire letrare?
Mesa kam dijeni, as në shkrimet kritike, as nga bisedat me kolegë e lexues cilësorë nuk ma kanë vënë në dukje këtë dobësi. Është e vërtetë që lakonizmi i skajshëm të thanë ose të bën hermetik. Mendoj se konceptimi artistik i fabulës ose i motivit dhe elementet e thukta e origjinale stilistike e mbajnë të gjallë krijimin, sado i thjeshtë të duket ai. Të thuash shumë me pak fjalë, ky është edhe baza e minimalizmit.
 
Ju përdorni rëndomë elemente fantastike sidomos në rrëfenjat tuaja. Mos e keni këtë si alibi për t’iu shmangur problemeve të mprehta të realitetit aktual?
Përgjigje: Jo, jo! Shumica e prozave të këtij libri flasin për të kundërtën. Në poezitë e prozat e mia nuk i jam shmangur realitetit si të tillë, po e kam trajtuar qoftë drejtpërdrejt, qoftë në mënyrë alegorike. Edhe në vitin 1979, në një artikull kritik është  shkruar: “Për një konceptim më të thellë të fenomenit të burokratizmit, për vështrimin e tij në një aspekt të ri dallohet vjersha  e P.Koçit “Satirë”.

U kam dhënë karakter fantastik rrëfenjave, sepse i përdor si figurë letrare, për t’i dhënë rrëfimit ngjyrim artistik, zgjerim ideor dhe përgjithësim në kohë e hapësirë. P.sh., përralla kapërcen nga shekulli në shekull, ndryshe nga një kronikë e mbetur brenda  faqeve të një gazete.
 
Në një kritikë të shkruar për këtë libër thuhet se “Autori jo rrallë ndërton paradokse duke përmbysur të dhënat edhe destinacionet e gjësendeve me qëllim që t’i japë krahë ironisë dhe talljes...”. Ju me ç’qëllim e pëdorni ironin?
Përgjigje: Në jetë ironia përdoret për ta përmirësuar tjetrin ose me ligësi për ta përçmuar atë. Dihet se në letërsi ironia është faktor spastrimi.
 
Në libër keni personazhe historike si Ali pashë Tepelena, Gëte, Niçe, A.Miler, Migjeni. Pse pikërisht këta?
Asnjëherë nuk mund të shpjegosh me saktësi pse ke përzgjedhur e trajtuar këtë ose atë subjekt ose personazh. Po një ide artistike të sugjeron, qoftë dhe pavetëdijshëm. Tregimi “Manastiri buzë Vjosës” synon të zbërthejë idenë e njohur se pushteti autoritarist ngurtëson ndjenjat më njerëzore, edhe pse ato janë mbuluar e vegjetojnë në thellësi të nënvetëdijes.

Te tregimi “Fundi i fillimit” ka një detaj që vërteton faktin se njeriu, sado lart të ngrihet si personalitet në një fushë të caktuar  të dijes ose të artit. në thelb mbetet njeri si çdo njeri. Te tregimi “Thyerja” nënteksti i subjektit gati qesharak flet për raportin e marrëdhënieve mes lumpenit, dhunës së pushtetit  të ideologjizuar dhe mendimit të lirë. Po dihet se komentet ose interpretimet e autorit për krijimin e tij janë subjektive ose të njëanshme.
 
Ju keni dhënë ndihmesë të gjerë në redaktimin e botimin veçanërisht të poezisë shqipe të të gjitha trevave shqiptare. Përherë keni qenë i mendimit se letërsia shqipe është unike, një dhe e pandarë, pavarsisht rrethanave historike ku është krijuar. Vazhdoni të këmbëngulni në këtë konsideratë?
Kam hedhur poshtë me përçmim çdo mendim që shprehet me sofizma për dy kombe, për disa arte e letërsi shqipe, kur ka vetëm një komb shqiptar, kur ka vetëm një letërsi shqipe e arte shqiptare, pavarsisht ku shkruhet e botohet dhe krijohet.

Natyrisht do të ketë veçori e tipare të ndryshme, siç kanë individualitetin e tyre shkrimtarët e artistët e vërtetë. Por kjo nuk e prek faktin që letërsia dhe artet shqiptare janë një dhe të pandarë. Këmbëzina të patundshme për këtë të vërtetë janë shpirti shqiptar e gjuha shqipe. Pra, çdo ndihmesë për t’i ngritur sa më lart është detyrë ndaj vetes. Unë kam arritur  në përfundimin, se të duash kombin, popullin, atdheun tënd do të thotë të duash veten.
 
Ju keni shkruar në dy periudha me sisteme të ndryshme, në atë të shtetit totalitar dhe të shtetit të sotëm. A kanë ndryshuar mendësia, pikëpamjet e botëkuptimi  juaj për jetën e artin?
Përgjigje: Natyrisht, po. Dua të kujtoj  këtu një shprehje të parapëlqyer të profesor Ramadan Sokolit: “Unë jam mendimtar i lirë”. Edhe unë nuk kam mbetur rob i origjinës së religjionit dhe ideologjisë dogamatike nga e cila kam qenë edukuar. Ndryshimi është vetë thelbi i jetës dhe i natyrës. Unë kam mësuar nga dialektika se ndërgjegjja kushtëzohet nga qenia dhe jo e kundërta, se “politika në plan të parë” ishte një parrullë propagandistike që ishte e kundërta e materializmit që predikohej.

Nëse në të kaluarën ishim të detyruar  (për të mbijetuar si njeri dhe si krijues) nga politika e partisë-shtet dhe nga rregullat  zyrtare të realizmit socialist, sot është mëkat të vetëmbetesh i kyçur brenda hekurave të së kaluarës, nën pelerinën e copëtuar të diktaturës. Tash na duhet ta vështrojmë me sy kritik sa të kaluarën, aq dhe të tashmen tragjikomike. Pra, të jemi realist të vërtetë.

Së shpejti ju do të festoni 75-vjetorin. Cili do të ishte motivi juaj në këtë përvjetor?
Do të përgjigjem me një thënie të Mikelanxhelos: “Jam ende duke mësuar” Prandaj ende me duket vetja një nxënës i dobët me ambicie të madhe. 

sazan goliku


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Ministri Gonxhja reagon për zjarrin në Finiq: Asnjë prej monumenteve në Parkun Arkeologjik nuk është prekur

Ministri Gonxhja reagon për zjarrin në Finiq: Asnjë prej monumenteve në Parkun Arkeologjik nuk është prekur