S'ka shitje të tokës në Sazan, shteti do të jetë partner. Kjo ishte ajo që deklaroi kryeministri Edi Rama në një diskutim të gjatë në podkastin e tij 'Flasim', ku u ndal në një sërë çështjesh me rëndësi, mes të cilave edhe te investimet në Zvërnec dhe Sazan të Vlorës, të cilat ishin edhe nxitësit kryesorë të protestave që po zhvillohen prej tre muajsh në Tiranë.
Duke përsëritur se Qeveria nuk do të tërhiqet nga investimet, Rama tha se Shqipëria sot ka nevojë për turizëm elitar, me qëllim që në 10 vitet e ardshme ky sektor të gjenerojë më shumë të ardhura për ekonominë shqiptare. Sipas kryeministrit, sot në Shqipëri kemi një turizëm numrash, i cili sipas tij krijon presion mbi sistemin e shërbimeve.
“Ne kemi një sfidë të madhe strategjike, çfarë Shqipërie duam në 10 vitet e ardhshme dhe çfarë turizmi duam ne në 10 vitet e ardhshme. Sot ne kemi një turizëm që krijon numra, por na duhet turizmi i vlerës. Një super-jaht nuk është një i pasur që vjen në det. Është një shpenzim shumë më i lartë për një natë. 10 mijë vizitorë me buxhet të ulët krijojnë një volum, por krijojnë presion të madh mbi sistemin e shërbimeve, mbi trafikun, mbi nevojën për të mbledhur mbetjet. Ndërkohë që 100 jahte sjellin shumë më tepër të ardhura sesa 10 mijë vizitorë. Turizmi i vlerës nuk është gardh që ndan të pasurit me pjesën tjetër të shoqërisë”, tha mes të tjerash Rama.
Kryeministri sqaroi edhe njëherë sot opinionin publik, duke thënë se Sazani dhe Zvërneci janë dy projekte të ndryshme, por me të njëjtët investitorë. Rama tha se në Sazan do të ndërtohet vetëm në 8% të ishullit, pra nga 560 hektarë që është ishulli, ndërtim sipas kryeministrit do të ketë vetëm në 45 hektarë.
“Sazani dhe Zvërneci janë 2 projekte të ndryshme. Të njëjtët investitorë, por dy projekte të ndryshme. Janë dy prona të ndryshme. Sazani është pronë shtetërore, Zvërneci është pronë private. Në Zvërnec po punonte kompania e cila sipas ligjit dhe bazuar në procedurën e dhënies së një leje paraprake, merr të drejtën e vendosjes së rrethimit. Në Sazan kanë nisur negociata, ishulli është 560 hektarë dhe diskutojnë vetëm për 8%. Sepse ne kemi vënë kufizime. Sipërfaqe e ndërtueshme është 8%, pra rreth 45 hektarë. Pra një hartë prone nuk është hartë ndërtimi”, tha Rama.
Teksa u pyet nëse investimi në Zvërnec dhe Sazan kishin lidhje me përfitimet politike të kryeministrit nga Donald Trump, Rama i hodhi poshtë këto pretendime, duke argumentuar se nuk kishte folur për këtë çështje me Presidentin amerikan.
Kryeministri theksoi gjithashtu se edhe ish-kryeministrat Sali Berisha dhe Fatos Nano kanë dashur të sjellin investitorë të huaj në Sazan. Rama tha se Sazani është vërtetë një vend i bukur, por jo një thesar, pasi sipas kryeministrit, është një zonë e minuar, pa drita dhe pa ujë.
“S’kam folur kurrë me Trump për këtë projekt. Në Zvërnec kemi një histori tjetër, që është histori disa vjeçare. Jemi sot në pritje të një projekt-propozimi, pasi ne kemi refuzuar projektet e mëparshme. Ndërkohë që për Sazanin jemi akoma në negociata. Kjo 10 mijë dhoma, është një shifër që unë as e kam parë fare. Sazani nuk është ndonjë thesar, është zonë e minuar. Në Sazan nuk ka ujë e drita. Dhe kjo nuk e bën Sazanin një aset të padiskutueshëm. Qoftë paraardhësi im dhe qoftë edhe paraardhësi i paraardhësit tim kanë dashur të sjellin investitorë në Sazan. Edhe unë kam dashur dy herë të tjera të sjell investitorë në Sazan, por nuk është finalizuar”, shpjegoi Rama.
Siç e përmendëm në fillim, kryeministri Rama tha se shteti do të jetë partner në investimin që do të realizohet në Sazan, duke vënë në dispozicion pronën dhe duke marrë aksione nga kjo ndërmarrje.
"Ne kemi vënë edhe një kufi tjetër: që ne do të jemi partnerë. Ne s’do japim tokën atje dhe t’u themi: “Bëni çfarë të doni”. Ne kemi ngulur këmbë që të jemi partnerë. Shqipëria do të vërë në dispozicion pronën dhe do të marrë aksione nga kjo ndërmarrje", tha Rama.
Por kryeministri u ndal edhe në çështje të tjera, mes të cilave edhe te qëndrimi në qeli i kryebashkiakut Erion Veliaj, diçka që Rama e cilësoi absurde. Sipas Ramës, qëndrimi në qeli i Veliajt, në një kohë që Gjykata Kushtetuese e ka njohur si kryetarin legjitim të Bashkisë Tiranë, po pengon ecurinë e punëve në kryeqytet.
“Tirana është një shembull absurd. Ka 2 raste të ngjashme, njëri rast në Hungari dhe njëri në Turqi. Strasburgu i ka rrëzuar të dyja rastet si shkelje të të drejtave të njeriut. Që kryetari i zgjedhur i kryeqytetit të rrijë i mbyllur në paraburgim dhe t’i të mos kesh asnjë mundësi të bësh zëvendësim, sepse Kushtetuesja tha ‘është në detyrë’, ky është një absurd. Kryeqyteti po e vuan mungesën e drejtimit", theksoi Rama.
Mes të tjerash, shefi i Qeverisë foli edhe për të shkuarën e tij, duke thënë me plotë bindje se nuk ka qenë kurrë i bullizuar në shoqëri (siç pretendojnë eksponentë të ndryshëm të Partisë Demokratike). Rama tha se gjatë gjithë jetës së tij është rrahur vetëm dy herë, ku njëri rast ka qenë pas një ndeshjeje basketbolli dhe rasti tjetër ka qenë dhunimi nga njerëzit e ish-Presidentit të kohës, Sali Berisha. Për dhunimin nga njerëzit e Berishës, Rama tha se ata u larguan vetëm pasi kishin menduar se kishte vdekur. Kryeministri tha se njërin nga dhunuesit e tij e kishte njohur më vonë, por shtoi se nuk kishte komunikuar me të për këtë çështje, derisa ai sipas Ramës, ndërroi jetë pak kohë më parë.
“Kam qenë rebel, thyeja thuajse çdo kufi, por i bullizuar asnjëherë. Kam në jetën time dy rrahje, ku nuk kam rrahur, por më kanë rrahur. Njëra në dyshen e pallatit të sportit Partizani pas ndeshjes me Apolloninë. Ishte një ndeshje e tensionuar dhe duke qenë se unë dhe si lojtar isha nganjëherë dhe provokator, provokimet dhe kundërprovokimet dhe tensionin në fushë e pagova me një rrethim nga ca çuna që me shpejtësi pabesisht dhe mora disa goditje dhe mbeta përtokë në dysheme. Tjetra është rrahja që dihet botërisht e janarit ‘97 kur më bënë pritë te rruga që futej për të hyrja e shtëpisë dhe më lanë duke menduar se isha i asaj bote", deklaroi Rama.
Kryeministri Edi Rama ka folur sot në podkastin e tij ‘Flasim’ për marrëdhëniet e tij me biznesmenin Ergys Agasi.
Rama tha se shumë persona mund të flasin në emrin e tij, por shtoi se ai si kryeministër, nuk ka autorizuar asnjë që të flasë apo të bëjë punët e shtetit në emrin e tij.
Më tej Rama theksoi se për arsye të ndryshme, kryesisht të punës, ai është dashur që të krijojë afërsi me persona të caktuar dhe shtoi se ndjente keqardhje kur personat me të cilët ai mund të kishte krijuar një marrëdhënie, ekspozohen si persona që kanë probleme me ligjin.
Por Rama sqaroi se përtej keqardhjes, është shumë i çliruar sepse sipas kryeministrit, gjithësecili në gjykatë do të përballet vetë me ligjin.
“Tani mua më kanë bërë shumë afërsira ose shumë rrëfenja me afërsitë. Afërsia me mua e një njeriu apo e një njeriu tjetër, nuk është funksion publik. As fotografia, as raportet personale dhe as pretendimi që unë e kam me atë, unë flas në emër të atij, etj. Unë nuk autorizuar ndonjëherë ndonjë njeri që të flasë në emrin tim apo të bëjë punët e shtetit në emrin tim.
Patjetër që mua më vjen keq që gjendem në situatën kur një njeri që unë kam pasur një marrëdhënie njerëzore për një arsye apo një tjetër, ekspozohet si një njeri që ka probleme me ligjin. Por nga ana tjetër jam tërësisht i çliruar sepse përtej keqardhjes, secili atje është përballë ligjit me veten dhe avokatin e vet. Në emrin tim kush nuk flet. T’i hysh kësaj që pse fole në emrin tim, i bie pastaj që të mos bësh asnjë punë tjetër. Të gjithë duhet ta dinë që në emrin tim unë flas vet”, tha kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e opozitës për pjesëmarrje të grupeve kriminale në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar, duke thënë se ka pasur një ‘patronazhim’ të fortë të SPAK, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Rama përmenti se operacionin e SPAK për mbarëvajtjen e zgjedhjeve e kryesonte vetë kreu i SPAK i asaj kohe, Altin Dumani, për të cilin kryeministri tha se kishte shumë besim te figura e tij.
“Padrejtësi e madhe përmendja e grupeve kriminale në zgjedhet e shkuara. Kishim një patronazhim nga SPAK, që ka bërë një punë të jashtëzakonshme në zgjedhje dhe ka qenë prezent në gjithë territorin. Ka qenë Altin Dumani në krye të SPAK në atë kohë dhe unë kam besim të plotë te ai njeri, në integritetin e tij dhe në faktin që ai është pa kompromis me grupet kriminale. Duke qenë një njeri si ai në krye të operacionit dhe paskan bërë grupet kriminale kërdinë, kjo s’ka mundësi”, tha mes të tjerash Rama.

Keqardhje është ndjesia e kryeministrit Rama për ish-presidentin Ilir Meta. Në këndvështrimin e tij, Metën, “një talent”, e përpiu pushteti, të cilin e quan “kafshë e përbindshme.” Sa për mbajtjen në qeli të kryetarit të Partisë së Lirisë, thotë se paraburgimi i gjatë është i pajustifikuar.
“Për Ilir Metën ndiej keqardhje. Ishte një talent që nuk e mbajti dot peshën. Pushteti është kafshë e përbindshme, është zor ta mbash. Ka ngrënë e ka futur ndër vete shumë burra. Nuk e mbajti dot peshën e pushtetit dhe përfundoi si përfundoi, u katandis në një personazh qesharak. Sa i përket paraburgimit, nuk është sekret që unë kam rezerva shumë serioze për praktikën e paraburgimit. Jemi një vend në rekord të zi dhe asnjë paraburgim, përjashto ato të krimit të organizuar që mirë bëjnë, nuk shoh asnjë paraburgim të gjatë të justifikuar”, tha Rama.

Pezullimi i Belinda Ballukut nga detyra ishte shkelje e vijës së kuqe mes pushteteve, thotë kryeministri Rama. Sipas tij, pushteti gjyqësor ndërhyri te ai ekzekutiv duke sfiduar Kushtetutën. Ndërsa për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, nuk ka qenë dakord për burgosjen e tij.
“Në rastin e Belinda Ballukut, u ngatërrua shumë keq një gjë tjetër që skishte lidhje me Belinda Ballukun. U përdor një masë absurde e pandodhur në historinë e botës, pezullimi i një ministri nga detyra. Prokurori me gjykatësin u bënë bashkë në një dhomë dhe vendosën të bëjnë kryeministrin, kuvendin presidentin. Nuk u sfidova unë, u sfidua Kushtetuta, u sfidua një pushtet i pavarur. Ne s’jemi të pavarur nga ligji. Ata janë atje të kontrollojnë zbatueshmërinë e ligjit. Ata s’jan të pavarur të vendosin për ne, s’mund ta bëjnë dot. Ata s’janë të pavarur të vendosin për vendim tona, janë të pavarur për të vendosur sanksione penale për ne. U shkel vija e kuqe midis pushteteve. Çdo ministër po të ishte, do të mbaja atë qëndrim. Në rastin e Belinda Ballukut SPAK hyri në territorin tim si kryeministër, tonin si shumicë parlamentare dhe të presidentit që e ka dekretuar. Në rastin e kryetarit të bashkisë unë nuk kam qenë dakord personalisht, por s’kam asnjë mundësi dhe arsye të them jo, kjo nuk mund të ndodhë se po shkelni një vizë? Ca vije po shkelin, ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë gjë”, tha Rama.
Kryeministri mohon që të bëhet fjalë për “lëshimin e Veliajt” prej tij, pasi ky është vetëm “perceptim pervers” nga të tjerët.
“Ça do të thotë që u la, do bënim demonstratë ne? Ky është perceptim i njerëzve që e shohin në mënyrë perverse gjënë dhe që do i bënin këto gjëra po të ishin në vendin tim”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si shembull absurd mbajtjen në qeli të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në momentin që Gjykata Kushtetuese e ka njohur atë si kryetar të Bashkisë së kryeqytetit.
Kryeministri Rama e krahasoi rastin Veliaj me 2 raste të tjera në Hungari e Turqi, të cilat sipas tij janë cilësuar shkelje të të drejtave të njeriut nga Gjykata e Strasburgut. Rama shtoi gjithashtu se kryeqyteti nuk mund të drejtohet me kryetarin në qeli dhe kjo sipas Ramës e ka dëmtuar punën në Tiranë.
“Tirana është një shembull absurd. Ka 2 raste të ngjashme, njëri rast në Hungari dhe njëri në Turqi. Strasburgu i ka rrëzuar të dyja rastet si shkelje të të drejtave të njeriut. Që kryetari i zgjedhur i kryeqytetit të rrijë i mbyllur në paraburgim dhe t’i të mos kesh asnjë mundësi të bësh zëvendësim, sepse Kushtetuesja tha ‘është në detyrë’, ky është një absurd. Kryeqyteti po e vuan mungesën e drejtimit. Unë e shoh në raportet me bashkinë sesa e pamundur është. Deputetët e Tiranës janë të frustruar në kulm. Unë s’jam dakord me Braçen sepse je në shumicë qeverisëse, por nga ana tjetër është se ato probleme që ngre janë probleme që lidhen me bashkinë. Bashkia nuk ka kokë. Është një eksperiment social politik e ekonomik ky që një kryeqytet të drejtohet pa kokë. Por mendoj se SPAK është një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur Shqipërisë në këto 35 vite”, tha mes të tjerash Rama.
I pyetur nëse Veliaj ‘u lëshua’ nga kryeministri dhe mazhoranca socialiste, pasi në rastin e Belinda Ballukut, deputetët e shumicës në Kuvend nuk votuan kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të saj, kryeministri Edi Rama hodhi poshtë këto pretendime teksa tha se janë dy raste krejt të kundërta.
“Në rastin e Belinda Ballukut SPAK hyri në territorin tim si kryeministër, tonin si shumicë parlamentare dhe të presidentit që e ka dekretuar. Në rastin e kryetarit të bashkisë unë nuk kam qenë dakord personalisht, por s’kam asnjë mundësi dhe arsye të them jo, kjo nuk mund të ndodhë se po shkelni një vizë? Ça vije po shkelin, ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë gjë. Ça do të thotë që u la, do bënim demonstratë ne. Ky është perceptim i njerëzve që e shohin në mënyrë perverse gjënë dhe që do i bënin këto gjëra po të ishin në vendin tim”, theksoi Rama.
Duke folur për protestat që po zhvillohen prej 3 muajsh në Tiranë, kryeministri Edi Rama tha se i pëlqejnë sfidat, por shtoi se nuk duron dot hipokritët që bëjnë sikur rebelohen.
Rama mori si shembull një deputet të Kuvendit (duket se nënkuptoi Agron Shehajn), që sipas tij, bën sikur rebelohet, por është i zhytur në paligjshmëri.
“Sfidat e kësaj natyre mua më energjizojnë shumë, më motivojnë shumë. Rebelët vetë unë i çmoj edhe kur më duken budallëk idetë. Kurse hipokritët që rebelohen i kam neveri. Ka shumë hipokritë që rebelohen. Një hipokrit i madh fare që rebelohet, që të vë telefonin përpara, që të ulërin në Parlament, është i zhytur deri këtu ai. Kurse rebelët xhenuinë, i respektoj”, tha mes të tjerash Rama.
Më tej kryeministri Rama tha se ka pasur komunikim me rreth 20 protestues. Rama tha se ka pasur nga ata që e kanë shërë dhe pasi kryeministri i ka marrë në telefon, kanë ndryshuar mendim për të.
Teksa foli për dobësitë e opozitës, për të cilën tha se është pjesë e realitetit politik shqiptar, Rama tha se edhe mes protestuesve ka shumë hipokritë, të cilët sipas tij, në librat e shenjtë cilësohen si më të këqinj se vrasësit.
“Kam pasur komunikim me rreth 20 protestues. Asnjë dështak zëmërak, sepse ata janë hipokritë. Hipokriti edhe në librat e shenjtë është më i keqi i të gjithëve, edhe më i keq se vrasësi. Unë kam folur me protestues që kanë qenë njerëz, që jo vetëm më kanë mbështetur, por kanë thënë që edhe do më mbështesin. Patjetër dobësia e opozitës është pjesë e realitetit politik. Opozitat tona janë të mos-o Zotshme. Ka protestues që më kanë sharë, i kam marrë në telefon dhe kanë ndryshuar mendje. Po ti në televizor më dukesh ndryshe më thonë”, tha mes të tjerash Rama.

“Çdo parti demokratike ku mund të konceptohet pasardhësi e ka të vështirë të funksionojë”, është parimi që udhëheq kryeministrin Rama për vijimësinë e Partisë Socialiste. Ai thotë se vetë s’ka ndërmend të zgjedhjë pasardhës, pasi ai do të dalë vetë.
Porosia e tij ndaj socialistëve është të kujdesen për karrierën dhe figurën. Vetë s’ka ndërmend të largohet nga partia as kur të mos jetë më kryetar, ndërsa tani mision është hyrja në BE që sipas Ramës, nuk realizohet pa PS.
“Nuk kam ndërmend të zgjedh pasardhës. Do të dalë dhe të marrë pësipër PS. Çështja është që unë jua kam thënë kur ka rënë biseda që mos mendoni se kujt i vjen radha se nuk është hapur gara. Bëjini hyzmetin karrierës dhe figurës suaj duke bërë detyrën tuaj. Kur vjen momenti i kalimit të stafetës, nuk do të largohem nga PS, do të jem anëtar. S’kam ndërmend t’i ngatërrohem në këmbë kujt do të jetë mbrapa meje. Mezi pres të bëj punë të tjera por nuk mund ta lë këtë kontratë sepse shoh derën e BE-së hapur. Vetëm me Partinë Socialiste dhe këtë shumicë që është tan, ndryshe askush s’e kapërcen dot për një periudhë të gjatë kohe”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se investimet që pritet të realizohen në Sazan e Zvërnec të Vlorës, nuk kanë asnjë lidhje me Presidentin Donald Trump.
Rama tha se kur na nisur bisedimet për këto projekte, Donald Trump nuk dihej nëse do të ishte President i SHBA-së apo do të ishte në burg.
Më tej kryeministri shtoi se Presidentit Trump i përfundon mandati për 2 vite, teksa shtoi se interesi i vetëm i investimit në Zvërnec e Sazan është zhvillimi ekonomik i Shqipërisë.
Në përfundim kryeministri theksoi se nuk është në politikë për t’u bërë mbret, por për të bërë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kur vendi të hyjë në Union, Rama paralajmëroi se do të largohet nga politika.
“Edhe ky banor i Zvërnecit do përfitojë. Vlera e pronës së tij do rritet kacafiu. Pasuria e patundshme e çdo njeriu që jeton në atë territor, menjëherë do kërcejë. Të gjitha sistemet e shërbimit do lulëzojnë. Teli me gjemba nuk do shoqërojë askënd. Sepse teli me gjemba ishte një shfaqje shumë agresive e kompanisë këtu, që u ngarkua nga investitorët që të bënte këto punime paraprake.
Si do vijnë njerëzit që të harxhojnë 4 miliardë dollarë këtu të vënë tela me gjemba. Sazani nuk do jetë resort i mbyllur. Kur kam folur për dorëheqje kam pasur parasysh diçka tjetër, që unë nuk jam këtu që të rrij dhe të shijoj pushtetin, të konsumoj pushtetin. Kur unë kam thënë që s’ndalet ky projekt, e kam pasur që nuk duhet të ndalet Shqipëria për projekte kaq të mëdha, nga një re e zezë.
Grekët e thonë po na e morën shqiptarët këtë investim do jetë problem, për turizmin. Ca lidhje ka kjo me Trump. Kur unë e kam nisur këtë, Trump se dinim do shkonte në shtëpi të bardhë apo në burg. Dhe dy vite i mbaron mandati. Unë s’jam këtu për tu bere mbret. Jam ketu se shoh derën e BE të hapur, nëse e kapërcej pragun e asaj dere, ju do të shpëtoni nga unë”, tha mes të tjerash Rama.

SPAK nuk paraqet asnjë problem për qeverinë lidhur me investimin në Zvërnec. Në “Flasim”, Rama thotë se të vetmit pronarë janë investitorët. Prokuroria e Posaçme ka krijuar një llogari të ngrirë deri në zbardhjen e çështjes.
“SPAK është organ akuze, nuk është gjykatë e formës së prerë. Siç ka ndodhur në këtë rast, ka ndodhur dhe në raste të tjera që prokuroritë bëjnë verifikime, prona është blerë nga investitorët. Sot pronarë aty janë investitorët.
SPAK mua s’më thotë asgjë. SPAK është në punën e vet, qeveria në punën e saj, pronarët në punën e tyre. Proceset gjyqësore që vazhdojnë punën e tyre. SPAK s’e ka vënë në diskutim transaksionin e tërë. SPAK ka bërë diçka tjetër, ka krijuar një konto të ngrirë. Lekët për subjektin e dyshuar nuk i merr subjekti deri kur të zbardhet çështja në gjykatë”, tha Rama.
Rama mohon që në projekt të ketë para kriminale, ndërsa për përfshirjen e Artur Shehut, thotë se është çështje që lidhet me drejtësinë e jo qeverinë.
“Nuk ka asnjë para kriminale, nëse flasim për investitorë. Nëse flasim për personin në fjalë, apo persona të tjerë kjo është çështje e organeve të drejtësisë, jo e qeverisë. SPAK ka vepruar në mënyrë inteligjente se ka bllokuar transaksionin. Mund ta pengonte. SPAK e ka pranuar transaksionin, personi nuk është i gjykuar si falsifikator. SPAK ka thënë këto para do qëndrojnë këtu, nëse dyshimet tona nuk materializohen, ky i merr. Nëse gjykata e nxjerr falsifikator, këto para i merr shteti”, u shpreh kryeministri.

Investimi për një ujësjellës dhe linjën elektrike në ishullin e Sazanit është “thembra e Akilit të negociatave”, thotë kryeministri Rama në podcast-in “Flasim.” Qeveria nuk ka pranuar të bëjë asnjë lëshim në këtë pikë, thotë ai. Me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, "s'ka folur asnjëherë" për këtë projekt.
“Ne s’mund të investojmë për ujësjellësin dhe linjën elektrike të Sazanit sepse shprehimisht, unë e kam thënë këtë gjë, askush nuk do ta kuptonte sesi një pjesë ende ka fshatra dhe territore të banuara në periferi ku duhen bërë investime në ujësjellës, të investohet me paratë e shtetit për këtë. E kuptoj që në kushtet e një shteti me të tjera fuqi kjo mund të ishte normale. Kjo është një pikë e negociatës që ne nuk e kemi lëshuar për asnjë moment dhe ata e kanë problem sepse kushton. Nuk jam shitësi i Shqipërisë. Investimi është i mirë edhe për lagunën. Laguna sot është një nga pikat më të ndotura të Shqipërisë. Ti shikon nën ujë llumin që janë ujëra të zeza. Projekti do të pastrojë komplet ujin e lagunës”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama në podcastin “Flasim” ka folur për jetën e tij në politikë dhe dilemën për besimin e kontrollin. Besimi ndaj të tjerëve i është ngulitur që në fëmijëri nga gjyshja, por më vonë, një bashkëudhëtar, i mësoi nevojën e kontrollit për të shmangur kostot që sjell besimi i tepruar.
Edi Rama: Për fat të mirë nga disa drejtime dhe për fat të keq unë e kam dobësinë time, unë nuk jam një njeri që nxitem ta kontrolloj. Kam punuar me tre drejtorë të shërbimit sekret shqiptar. Unë besoj shumë tek njerëzit, jam rritur me frymën që ma ka injektuar fillimisht gjyshja ime. Ishte njeriu që kisha shumë afër që i vogël, ajo ishte një katolike, praktikantet dhe në atë kohë kur feja ishte e ndaluar. Unë te besimi e kam shumë të theksuar, te kontrolli e kam përgjithësisht dobësi. Kam njohur njerëz shumë dyshues, kam pasur në mënyrë të veçantë një, bashkudhëtar për një kohë të caktuar rruge, ishte njeri dhe është, por tashmë jo bashkudhëtar. Nuk ka rëndësi emri, vuante thellë nga dyshimi. Gjithmonë kam besuar se të dyshosh tek të tjerët dhe të jetosh me dyshime ka një kosto të madhe. Por nganjëherë them që duhet, sidomos në pozicione që ke përgjegjësi besimi i tepërt kthehet në një kosto që mund ta paguajnë edhe të tjerët.
Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste në podcastin ‘Flasim’, u pyet për fëmijërinë dhe disa aludime që thonë kundërshtarët politikë se ai ka qenë i bullizuar.
Rama tha se nuk ka qenë kurrë i bullizuar, ndërsa tregon dy episodet kur në jetë ai është dhunuar.
“Kam qenë rebel, thyeja thuajse çdo kufi, por i bullizuar asnjëherë. Kam në jetën time dy rrahje, ku nuk kam rrahur ,por më kanë rrahur. Njëra në dyshen e pallatit të sportit Partizani pas ndeshjes me Apolloninë. Ishte një ndeshje e tensionuar dhe duke qenë se unë dhe si lojtar isha nganjëherë dhe provokator, provokimet dhe kundërprovokimet dhe tensionin në fushë e pagova me një rrethim nga ca çuna që me shpejtësi pabesisht dhe mora disa goditje dhe mbeta përtokë në dysheme. Tjetra është rrahja që dihet botërisht e janarit ‘97 kur më bënë pritë te rruga që futej për të hyrja e shtëpisë dhe më lanë duke menduar se isha i asaj bote. Ky ishte dhe opinioni i mjekut këtu dhe atij në Francë, dhe thënë që më kishte shpëtuar lartësia, sepse goditjet gjithsesi janë disi më pak efektive kur je më lart sesa ai që të agreson. Edhe sporti, fiziku im”, rrëfeu Rama.
Në lidhje me deklaratat e bëra nga Sali Berisha se kur është dhunuar në ’97 ka qenë me një burrë, Rama tha:
“Riprodhohen nga një gojë e shthurur që nuk dua të merrem, merrem vetëm kur ma imponon fushata, tani është përtej çdo kufiri moshor që mund të thuash neglizhohet dhe është kaq e qartë saqë jo vetëm që s’ka pasur lidhje me krim pasioni dhe s’kam qenë me një burrë, por kam qenë me një vajzë që bashkëjetoja dhe me një shok që jetonte në apartamentin tonë sepse ishte nga Shkodra. Njëri nga ata janë plotësisht të njohur për mua, njëri është penduar, tani ka ndërruar jetë, tjetri nuk e ka pranuar dhe as e kam pyetur, por është penduar në një mënyrë tjetër duke treguar miqësi…”, shtoi ai më tej në lidhje me personat që e kanë dhunuar.







Komente
Komento