Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme në podkastin e tij ‘Flasim’ për investimin në Sazan e Zvërnec të Vlorës, një çështje që çoi edhe në nisjen e protestave kundër Qeverisë.

Rama tha se Shqipëria ka sot nevojë për turizëm elitar, pasi sipas tij, turizmi aktual është një turizëm numrash, që nuk sjell një sasi të madhe të të ardhurave.

Shefi i Qeverisë pretendoi se Shqipëria po përpiqet që të ndërtojë në 10 vitet e ardhshme turizmin e vlerës, i cili sipas tij do të sjellë më shumë të ardhura në xhepat e shqiptarëve.

“Ne kemi një sfidë të madhe strategjike, çfarë Shqipërie duam në 10 vitet e ardhshme dhe çfarë turizmi duam ne në 10 vitet e ardhshme. Flitet shumë këtu për turizmin elitar, unë do ta quaja turizmi i vlerës. Sot ne kemi një turizëm që krijon numra, por na duhet turizmi i vlerës. Një super-jaht nuk është një i pasur që vjen në det. Është një shpenzim shumë më i lartë për një natë. 10 mijë vizitorë me buxhet të ulët krijojnë një volum, por krijojnë presion të madh mbi sistemin e shërbimeve, mbi trafikun, mbi nevojën për të mbledhur mbetjet.

Ndërkohë që 100 jahte sjellin shumë më tepër të ardhura sesa 10 mijë vizitorë. Këto janë fakte të njohura botërisht. Turizmi i vlerës nuk është gardh që ndan të pasurit me pjesën tjetër të shoqërisë. 1 miliardë të investuara brenda perimetrit të një resorti, nuk është një zhvillim aty brenda, por një burim të ardhurash për çfarë ndodh jashtë”, tha mes të tjerash Rama.

Më tej kryeministri Edi Rama tha se Sazani dhe Zvërneci janë dy projekte të ndryshme, pavarësisht se investitorët janë të njëjtë.

Rama tha se në Sazan do të ndërtohet vetëm në 8% të ishullit, pra nga 560 hektarë që është ishulli, ndërtim sipas kryeministrit do të ketë vetëm në 45 hektarë.

“Sazani dhe Zvërneci janë 2 projekte të ndryshme. Të njëjtët investitorë, por dy projekte të ndryshme. Janë dy prona të ndryshme. Sazani është pronë shtetërore, Zvërneci është pronë private. Në Zvërnec po punonte kompania e cila sipas ligjit dhe bazuar në procedurën e dhënies së një leje paraprake, merr të drejtën e vendosjes së rrethimit. Në Sazan kanë nisur negociata, ishulli është 560 hektarë dhe diskutojnë vetëm për 8%. Sepse ne kemi vënë kufizime. Sipërfaqe e ndërtueshme është 8%, pra rreth 45 hektarë. Pra një hartë prone nuk është hartë ndërtimi”, tha mes të tjerash Rama.

Më tej kryeministri Rama tha se nuk kishte folur kurrë me Presidentin amerikan Donald Trump për këtë projekt.

Kryeministri theksoi gjithashtu se edhe ish-kryeministrat Sali Berisha dhe Fatos Nano kanë dashur të sjellin investitorë të huaj në Sazan.

Rama tha se Sazani është vërtetë një vend i bukur, por jo një thesar, pasi sipas kryeministrit, është një zonë e minuar, pa drita dhe pa ujë.

“S’kam folur kurrë me Trump për këtë projekt. Në Zvërnec kemi një histori tjetër, që është histori disa vjeçare. Jemi sot në pritje të një projekt-propozimi, pasi ne kemi refuzuar projektet e mëparshme. Ndërkohë që për Sazanin jemi akoma në negociata. Kjo 10 mijë dhoma, është një shifër që unë as e kam parë fare. Sazani nuk është ndonjë thesar, është zonë e minuar. Në Sazan nuk ka ujë e drita. Dhe kjo nuk e bën Sazanin një aset të padiskutueshëm. Qoftë paraardhësi im dhe qoftë edhe paraardhësi i paraardhësit tim kanë dashur të sjellin investitorë në Sazan.

Edhe unë kam dashur dy herë të tjera të sjell investitorë në Sazan, por nuk është finalizuar. Ata do bëjnë aty një destinacion eksperience. Do ketë vila, por edhe hotele të nivelit më të lartë në botë. Sheval Vlau është një firmë që s’të vjen në Shqipëri kështu. Atlantis është hoteli i famshëm në Dubai. Është Atlantisi i parë që hyn në Europë. Aty do ketë edhe të tjera gjëra që lidhen me shëndetin, kalërimin. Ne jemi duke punuar për një investim të rëndësishëm shëndetësie në Vlorë”, shpjegoi Rama.

Kryeministri Rama tha gjithashtu se shteti do të jetë partner në investimin që do të realizohet në Sazan. Rama shtoi se Shqipëria do të vërë në dispozicion pronën dhe do të marrë aksione nga kjo ndërmarrje.

"Ne kemi vënë edhe një kufi tjetër: që ne do të jemi partnerë. Ne s’do japim tokën atje dhe t’u themi: “Bëni çfarë të doni”. Ne kemi ngulur këmbë që të jemi partnerë. Shqipëria do të vërë në dispozicion pronën dhe do të marrë aksione nga kjo ndërmarrje", tha Rama.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:12
‘Zvërneci’, Rama: SPAK është në punën e vet, me bllokimin e transaksionit veproi në mënyrë inteligjente

SPAK nuk paraqet asnjë problem për qeverinë lidhur me investimin në Zvërnec.  Në “Flasim”, Rama thotë se të vetmit pronarë janë investitorët. Prokuroria e Posaçme ka krijuar një llogari të ngrirë deri në zbardhjen e çështjes.

“SPAK është organ akuze, nuk është gjykatë e formës së prerë. Siç ka ndodhur në këtë rast, ka ndodhur dhe në raste të tjera që prokuroritë bëjnë verifikime, prona është blerë nga investitorët. Sot pronarë aty janë investitorët.

SPAK mua s’më thotë asgjë. SPAK është në punën e vet, qeveria në punën e saj, pronarët në punën e tyre. Proceset gjyqësore që vazhdojnë punën e tyre. SPAK s’e ka vënë në diskutim transaksionin e tërë. SPAK ka bërë diçka tjetër, ka krijuar një konto të ngrirë. Lekët për subjektin e dyshuar nuk i merr subjekti deri kur të zbardhet çështja në gjykatë”, tha Rama.

Rama mohon që në projekt të ketë para kriminale, ndërsa për përfshirjen e Artur Shehut, thotë se është çështje që lidhet me drejtësinë e jo qeverinë.

“Nuk ka asnjë para kriminale, nëse flasim për investitorë. Nëse flasim për personin në fjalë, apo persona të tjerë kjo është çështje e organeve të drejtësisë, jo e qeverisë. SPAK ka vepruar në mënyrë inteligjente se ka bllokuar transaksionin. Mund ta pengonte. SPAK e ka pranuar transaksionin, personi nuk është i gjykuar si falsifikator. SPAK ka thënë këto para do qëndrojnë këtu, nëse dyshimet tona nuk materializohen, ky i merr. Nëse gjykata e nxjerr falsifikator, këto para i merr shteti”, u shpreh kryeministri.

Ora 19:49
‘S’kam folur kurrë me Trump për projektin', Rama për Sazanin: Nuk investojmë për ujin dhe dritat, pikë e panegociueshme!

1789146849_rama.jpg

Investimi për një ujësjellës dhe linjën elektrike në ishullin e Sazanit është “thembra e Akilit të negociatave”, thotë kryeministri Rama në podcast-in “Flasim.” Qeveria nuk ka pranuar të bëjë asnjë lëshim në këtë pikë, thotë ai. Me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, "s'ka folur asnjëherë" për këtë projekt.

“Ne s’mund të investojmë për ujësjellësin dhe linjën elektrike të Sazanit sepse shprehimisht, unë e kam thënë këtë gjë, askush nuk do ta kuptonte sesi një pjesë ende ka fshatra dhe territore të banuara në periferi ku duhen bërë investime në ujësjellës, të investohet me paratë e shtetit për këtë. E kuptoj që në kushtet e një shteti me të tjera fuqi kjo mund të ishte normale. Kjo është një pikë e negociatës që ne nuk e kemi lëshuar për asnjë moment dhe ata e kanë problem sepse kushton. Nuk jam shitësi i Shqipërisë. Investimi është i mirë edhe për lagunën. Laguna sot është një nga pikat më të ndotura të Shqipërisë. Ti shikon nën ujë llumin që janë ujëra të zeza. Projekti do të pastrojë komplet ujin e lagunës”, tha Rama.

Ora 19:10
‘Besimi i tepërt kthehet në kosto’, Rama në ‘Flasim’: Kam njohur një njeri që vuante thellë nga dyshimi

Kryeministri Edi Rama në podcastin “Flasim” ka folur për jetën e tij në politikë dhe dilemën për besimin e kontrollin. Besimi ndaj të tjerëve i është ngulitur që në fëmijëri nga gjyshja, por më vonë, një bashkëudhëtar, i mësoi nevojën e kontrollit për të shmangur kostot që sjell besimi i tepruar.

Edi Rama: Për fat të mirë nga disa drejtime dhe për fat të keq unë e kam dobësinë time, unë nuk jam një njeri që nxitem ta kontrolloj. Kam punuar me tre drejtorë të shërbimit sekret shqiptar. Unë besoj shumë tek njerëzit, jam rritur me frymën që ma ka injektuar fillimisht gjyshja ime. Ishte njeriu që kisha shumë afër që i vogël, ajo ishte një katolike, praktikantet dhe në atë kohë kur feja ishte e ndaluar. Unë te besimi e kam shumë të theksuar, te kontrolli e kam përgjithësisht dobësi. Kam njohur njerëz shumë dyshues, kam pasur në mënyrë të veçantë një, bashkudhëtar për një kohë të caktuar rruge, ishte njeri dhe është, por tashmë jo bashkudhëtar. Nuk ka rëndësi emri, vuante thellë nga dyshimi. Gjithmonë kam besuar se të dyshosh tek të tjerët dhe të jetosh me dyshime ka një kosto të madhe. Por nganjëherë them që duhet, sidomos në pozicione që ke përgjegjësi besimi i tepërt kthehet në një kosto që mund ta paguajnë edhe të tjerët.

Ora 19:01
‘Kam qenë rebel, por jo i bullizuar’, Rama: Në jetë më kanë dhunuar vetëm dy herë, më lanë për të vdekur

Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste në podcastin ‘Flasim’, u pyet për fëmijërinë dhe disa aludime që thonë kundërshtarët politikë se ai ka qenë i bullizuar.

Rama tha se nuk ka qenë kurrë i bullizuar, ndërsa tregon dy episodet kur në jetë ai është dhunuar.

“Kam qenë rebel, thyeja thuajse çdo kufi, por i bullizuar asnjëherë. Kam në jetën time dy rrahje, ku nuk kam rrahur ,por më kanë rrahur. Njëra në dyshen e pallatit të sportit Partizani pas ndeshjes me Apolloninë. Ishte një ndeshje e tensionuar dhe duke qenë se unë dhe si lojtar isha nganjëherë dhe provokator, provokimet dhe kundërprovokimet dhe tensionin në fushë e pagova me një rrethim nga ca çuna që me shpejtësi pabesisht dhe mora disa goditje dhe mbeta përtokë në dysheme. Tjetra është rrahja që dihet botërisht e janarit ‘97 kur më bënë pritë te rruga që futej për të hyrja e shtëpisë dhe më lanë duke menduar se isha i asaj bote. Ky ishte dhe opinioni i mjekut këtu dhe atij në Francë, dhe thënë që më kishte shpëtuar lartësia, sepse goditjet gjithsesi janë disi më pak efektive kur je më lart sesa ai që të agreson. Edhe sporti, fiziku im”, rrëfeu Rama.

Në lidhje me deklaratat e bëra nga Sali Berisha se kur është dhunuar në ’97 ka qenë me një burrë, Rama tha:

“Riprodhohen nga një gojë e shthurur që nuk dua të merrem, merrem vetëm kur ma imponon fushata, tani është përtej çdo kufiri moshor që mund të thuash neglizhohet dhe është kaq e qartë saqë jo vetëm që s’ka pasur lidhje me krim pasioni dhe s’kam qenë me një burrë, por kam qenë me një vajzë që bashkëjetoja dhe me një shok që jetonte në apartamentin tonë sepse ishte nga Shkodra. Njëri nga ata janë plotësisht të njohur për mua, njëri është penduar, tani ka ndërruar jetë, tjetri nuk e ka pranuar dhe as e kam pyetur, por është penduar në një mënyrë tjetër duke treguar miqësi…”, shtoi ai më tej në lidhje me personat që e kanë dhunuar.