I ashpër është reagimi i kryeministrit Edi Rama ndaj Gjykatës Administrative, pasi urdhëroi ministrinë e Financave dhe degët e Thesarit të zhbllokojë menjëherë pagat për gjyqtarët dhe administratën e Gjykatës së Posaçme të shkallë së parë, si edhe për Gjykatën e Durrësit. Kryeministri thotë se Administrativja veproi me shpejtësi skëterre për të hapur dyert e thesarit për rrogat e veta, e madje i quan gjyqtarët “vrapues fluturakë”.

Kryeministri thotë se është tejet turbullues vendimi i marrë sa "hap e mbyll sytë për interes vetjak", kundrejt mijëra dosjeve të halleve të qytetarëve që sipas tij presin prej vitesh në sirtarët e Administratives.

Shefi i qeverisë ka ndarë edhe një tabelë me pagat që përfitojnë magjistratë, pasi rritjes nga KLP e KLGJ, por e bën të qartë se nuk e kanë në plan të tërhiqen nga kjo betejë. Në reagim, Rama thekson se derën e Thesarit të shtetit e hap vetëm Kuvendi, duke theksuar se kjo çështje do të marrë zgjidhje në seancën e 17 shtatorit, kur pritet të votohet pr.ligji i dorëzuar nga PS për formulën e re të pagave të magjistratët.

"Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysëm rroge vrapuesve fluturakë të Gjykatës Administrative… 

Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese! 

Ja edhe në tabelën bashkëngjitur çfarë kërkon Gjykata Administrative në dyert e thesarit të shtetit pa kaluar fare nga parlamenti, ndërkohë që e përsëris: Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator", shkruan Rama. 

Kriza e pagave në sistemin e drejtësisë kulmoi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendi.