Një 25-vjeçare në Spanjë ka vendosur t’i japë fund jetës përmes eutanazisë (vdekjes së asistuar).

Dy ditë më parë, Noelia Castillo Ramos ka dhënë një intervistë para vdekjes së saj, e cila është caktuar këtë të enjte (26 mars). Intervista është bërë virale pasi siç pritej, njerëzit janë ndarë në dy kampe: disa e mbështesin vendimin e saj dhe të tjerë besojnë se duhet të gjejë një zgjidhje tjetër.

E reja nga Barcelona ka marrë miratimin nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pavarësisht përpjekjeve të babait të saj për ta ndaluar. Ky vendim vjen pas vendimit të marrë më parë nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës, në të njëjtën linjë.

Një vajzë e lindur në një “familje të përçarë” dhe që ka jetuar në etapa të ndryshme të jetës nën kujdes institucional. Megjithatë, ajo duroi dhe arriti të ecte përpara, derisa erdhi dita fatale.

Noelia ishte viktimë e përdhunimit në grup, një traumë që e çoi drejt tentativës për vetëvrasje duke u hedhur nga kati i pestë. Ajo mbeti paraplegjike dhe me dhimbje të vazhdueshme. Një situatë që Gjykata Kushtetuese e konsideroi “të rëndë, kronike dhe penguese”. Ky ishte hapi i parë për të përmbushur dëshirën e saj, falë Ligjit Organik mbi Rregullimin e Eutanazisë të vitit 2021.

Gjatë intervistës, Noelia përshkroi vuajtjet e mëdha fizike dhe psikologjike që e shoqëruan. Ajo rrëfeu për një jetë të shenjuar nga dhimbjet e vazhdueshme në shpinë dhe këmbë, si dhe një boshllëk i thellë emocional. “Gjithmonë ndihesha e vetmuar, madje edhe para se të kërkoja eutanazinë, unë e shihja botën time shumë të errët”, tha ajo, duke zbuluar një lodhje që shtrihej përtej dhimbjes fizike.

Nëna e saj, Yolanda Ramos, shprehet e dorëzuar: “Nuk jam dakord, por gjithmonë do të jem pranë saj”. Ai që nuk do të jetë pranë saj në momentet e fundit është babai, i cili, së bashku me Avokatët Kristianë, është përpjekur ta ndalojë këtë vendim. Në fund, gjykatat vendosën t’i japin të drejtë Noelias, sepse ajo “ka kapacitet të plotë për të vendosur”.

“Tani shohim nëse mund të pushoj përfundimisht, sepse nuk mund të përballoj më këtë familje, dhimbjen, gjithçka që më mundon nga ajo që kam kaluar,” tha ajo. “Nuk dua të jem shembull për askënd, është thjesht jeta ime, dhe kaq”, u shpreh Castillo, një deklaratë që tingëlluan si fjalët e saj të fundit para injeksionit vdekjeprurës.