SPANJË - Një incident i rëndë ka tronditur ambientin e Real Madridit gjatë ditëve të fundit, teksa në stërvitje ka shpërthyer një konflikt fizik mes Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni, ku janë përdorur edhe grushtat.

Sipas raportimeve nga Spanja, tensioni nisi pas një ndërhyrjeje të ashpër në stërvitje dhe u përshkallëzua një ditë më pas. Përpjekja e trajnerit Alvaro Arbeloa për të qetësuar situatën dështoi, ndërsa debatet vazhduan deri në ambientet e brendshme.

'RMC Sport' bëri me dije se Valverde pësoi një çarje në kokë dhe humbi ndjenjat për disa sekonda, duke u dërguar më pas në spital. Klubi reagoi zyrtarisht dhe priten masa disiplinore.

"Pas ngjarjeve të ndodhura në stërvitjen e ekipit të parë, klubi ka vendosur të hapë procedura disiplinore kundër lojtarëve tanë Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni", bën me dije Real Madridi.

Ngjarja vjen në prag të El Clasicos, ku Barcelona mund të sigurojë titullin me një pikë në ndeshjen kundër Real Madridit.

Ndërkohë, vetë Federico Valverde ka reaguar për herë të parë, duke minimizuar situatën.

“Pata një incident në stërvitje që u ekzagjerua për shkak të lodhjes dhe frustrimit. Këto gjëra ndodhin në një skuadër dhe zakonisht zgjidhen brenda grupit. Nuk pati përleshje mes meje dhe bashkëlojtarit. Gjatë debatit godita pa dashje një tavolinë dhe mora një prerje të vogël në ballë, për të cilën shkova për një kontroll rutinë në spital”, u shpreh mesfushori uruguaian.

Ky sezon me zero tituj ka bërë që klima në kampin madrilen të jetë më shumë se negative, çka ka sjellë disa përplasje mes lojtarëve, ndërsa edhe situata me Mbappe nuk është e qetë.