Vendimi i Donald Trump për të pezulluar “Operacionin Liria” u paraqit publikisht si pjesë e një progresi diplomatik me Iranin. Por në prapaskenë, sipas kësaj analize të The Guardian, arsyeja e vërtetë ishte refuzimi i Arabisë Saudite për t’i dhënë Uashingtonit akses në bazat dhe hapësirën ajrore saudite për operacionin ushtarak në Ngushticën e Hormuzit.
Rijadi i bëri të qartë administratës amerikane se baza ajrore Prince Sultan nuk do të përdorej për shoqërimin ushtarak të cisternave të naftës, një operacion që Uashingtoni e kishte projektuar si vazhdim të fushatës “Operation Epic Fury”.
Sipas analizës, Arabia Saudite nuk u tërhoq nga kundërshtimet e saj, as pas një telefonate direkte mes Mohammed bin Salman-it dhe Trump-it. Dhe ky detaj shpjegon shumë më tepër sesa thjesht një mosmarrëveshje operative.
Përplasja, e cila nuk është mohuar nga Riadi, nxjerr në pah ndarjen gjithnjë e më të thellë mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për luftën SHBA-Izrael kundër Iranit.
Ndërsa Arabia Saudite kërkon me çdo kusht një fund të përhershëm të konfliktit, Emiratet po mbajnë një linjë shumë më agresive ndaj Teheranit. Pakënaqësia e Abu Dhabit me kujdesin saudit tashmë ka nisur të reflektohet edhe politikisht. Emiratet janë larguar nga OPEC-u i dominuar nga Rijadi dhe po shqyrtojnë edhe daljen nga Liga Arabe.
Si nënshkruese të Marrëveshjeve të Abrahamit, Emiratet kanë qenë prej kohësh më afër Izraelit. Por ndërsa lufta është zgjatur, tensionet brenda vendeve të Gjirit janë rritur ndjeshëm, duke goditur ekonomitë e rajonit dhe imazhin e tyre ndërkombëtar.
Abu Dhabi është veçanërisht i irrituar sepse ka qenë objektivi kryesor i sulmeve iraniane dhe beson se vendet e tjera të Gjirit nuk kanë treguar solidaritet të mjaftueshëm me të.
Nga ana tjetër, Riadi kishte frikë se “Operacioni Liria” nuk kishte rregulla të qarta angazhimi dhe mund të shndërrohej shpejt në një përballje të rrezikshme detare mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke i dhënë fund efektiv armëpushimit të pjesshëm që ishte në fuqi që prej 7 prillit.
Teherani kishte paralajmëruar qartë se çdo shoqërim ushtarak amerikan për cisternat e naftës apo çdo sulm ndaj anijeve iraniane do të konsiderohej shkelje e armëpushimit, gjë që do t’i ekspozonte vendet e Gjirit ndaj një vale sulmesh të reja.
Një përshkallëzim i tillë jo vetëm që do të sillte konflikt detar në ngushticën e Hormuzit, por edhe rifillimin e sulmeve iraniane me dronë dhe raketa ndaj bazave amerikane dhe infrastrukturës energjetike në Gjirin Persik. Sipas raportimeve, këto sulme mund të kenë shkaktuar më shumë dëme sesa është bërë publike deri tani.
Ndërhyrja saudite shihet gjithashtu si një tjetër sinjal i mungesës së besimit të Riadit ndaj mënyrës se si Trump e ka menaxhuar konfliktin. Arabia Saudite shpesh është gjendur në pozicionin e një viktime të zemëruar, por të pafuqishme, në një luftë që nuk e kishte mbështetur kurrë plotësisht.
Riadi nuk ishte i kënaqur as me nivelin e mbrojtjes që Amerika ofroi kundër sulmeve iraniane dhe as me strategjinë e paqartë të Shtëpisë së Bardhë. Një diplomat saudit tha se prej kohësh ishte bërë e qartë se Uashingtoni kishte hyrë në një konflikt që nuk mund ta përshkallëzonte, por as ta mbyllte.
Habia u shtua të martën, kur Trump, pasi kishte kaluar dy ditë duke promovuar rëndësinë e “Operacionit Liria”, publikoi papritur një mesazh ku njoftonte pezullimin e operacionit.
Ai pretendoi se operacioni po ndalej përkohësisht me marrëveshje të ndërsjellë, pasi ishte bërë “progres i madh” drejt një marrëveshjeje me Iranin, pjesërisht falë ndërhyrjes së Kinës. Sipas Trump, pezullimi do të krijonte kohë për të parë nëse mund të arrihej një marrëveshje.
Presidenti amerikan nuk përmendi në asnjë moment kundërshtimet saudite apo refuzimin për përdorimin e hapësirës ajrore.
Vendimi i tij i papritur zbehu edhe deklaratat e një dite më parë nga sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe shefi i shtabit të përbashkët, gjenerali Dan Caine, të cilët kishin deklaruar se operacioni do të garantonte lirinë e lundrimit për qindra anije të bllokuara në ngushticë. Plani parashikonte gjithashtu vazhdimin e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.
Arabia Saudite dyshohet se ishte e shqetësuar edhe për mundësinë që “Operacioni Liria” të përfshinte Houthit në Jemen. Rijadi ka punuar intensivisht në prapaskenë për ta mbajtur grupin jashtë konfliktit.
Mbyllja e rrugës së Detit të Kuq përmes ndërhyrjeve të Houthive do ta përkeqësonte më tej krizën globale të furnizimit me naftë. Arabia Saudite kishte arritur një marrëveshje me Iranin që garantonte sigurinë e tubacionit drejt Yanbu, duke i lejuar sauditët të eksportonin deri në 50% të prodhimit të tyre përmes Detit të Kuq.
Ndryshe nga Riadi, Emiratet kanë qenë shumë më agresive në përpjekjet për të kaluar cisternat e tyre përtej bllokadës iraniane, madje shpesh duke fikur transponderët për të shmangur gjurmimin.
Ndërhyrja saudite, që i kufizoi opsionet e Trump për të thyer bllokadën, pritet të përkeqësojë edhe më tej marrëdhëniet mes Arabisë Saudite dhe Emirateve.
Rijadi ishte tashmë i shqetësuar se afrimi gjithnjë e më i madh mes Emirateve dhe Izraelit mund të çonte deri te prania e një numri të vogël trupash izraelite në territorin emiratas.
Arabia Saudite, për shkak të popullsisë shumë më të madhe, duhet të tregojë më shumë kujdes në raport me Izraelin. Së bashku me Francën, ajo ka udhëhequr përpjekjet për rikthimin e idesë së zgjidhjes me dy shtete, ku një shtet palestinez të njihet ndërkombëtarisht.
Arabia Saudite ka gjithashtu mosmarrëveshje të ndara me Emiratet në Jemen, Somali dhe Sudan. Dhe asnjë prej tyre nuk pritet të zgjidhet lehtë nëse Uashingtoni detyrohet të arrijë një marrëveshje me Teheranin në kushte që Emiratet dhe Izraeli i konsiderojnë larg objektivave minimale ndaj Iranit.
Komente







