Më 21 shtator do të mbyllet gara përfundimtare për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë – Durrës dhe që përfshin edhe një me degëzim në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila shkruan  se më datë 21 shtator priten ofertat financiare, për të përzgjedhur fituesin. Nga data e nënshkrimit kompanitë kane 24 muaj për të përfunduar të gjithë projektin.

Balluku thotë se tenderi për rehabilitimin e hekurudhës është diskutuar dhe ekspertët e BERZH e cila financon pjesën më të madhe të këtij projekti. Për këtë ministrja ka zhvilluar një bisedë me Drejtorin e BERZH për Shqipërinë Matteo Colangeli, dhe sipas saj në fokusin e bisedës kanë qenë hapat e mëtejshëm për projektet ambicioze në krijimin e një rrjeti modern hekurudhor.

Lidhja e kontratës duhet të ishte bërë në muajin prill por projekti u shty si pasojë e pandemisë. Ndërkohë udhëtimi me tren do të jetë me pagesë dhe paraprakisht mendohet që tarifa të jetë 1.5 deri në 2 euro.

Janë 6 kompanitë konsorciume të huaja që garojnë për këtë projekt dhe që kanë dorëzuar në fund të muajit korrik ofertat teknike. Këto oferta janë vlerësuar nga Ministria e Infrastrukturës, e cila më pas vlerësimin e plotë ja ka dërguar Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila do të japë vlerësimin e saj për ofertën fituese. 

Projekti kap vlerën e 90.5 milionë eurove, ku pjesa më e madhe do të paguhet nga BERZH.  Ndërkohë pjesë e këtij projekti parashikohet të bëhet edhe elektrifikimi i hekurudhës, që do të kërkojë edhe një fond shtesë në vlerën e 10 milionë eurove. Kështu, trenat mund të punojnë qoftë me motorë diesel, qoftë me elektrik.

Fillimisht në fazën e parë në garë për këtë vepër ishin 25 kompani, por 15 u skualifikuan në fazën e dytë dhe u kualifikuan vetëm 10 kompani për në fazën finale, nga të cilat 6 janë ende në garë. Rehabilitimi i hekurudhës ishte parashikuar të përfundonte në vitin 2021 por që tashmë pritet të mbyllet në fund të 2022. 

Pas kësaj faze ku do të shpallet fituesi do të duhen edhe 2 jave për nënshkrimin e kontratës, pra kontrata për këtë investim do të nënshkruhet në prill dhe nga data e nënshkrimit kompanitë kane 24 muaj për të përfunduar të gjithë projektin.