Seanca e fundit për këtë vit nuk kaloi pa debate dhe replika mes mazhorancës dhe opozitës, por dhe mes kryeministrit Berisha e kreut të grupit PS, Gramoz Ruçi për privatizimet, situatën ekonomike, reformat në Shqipëri dhe shkakun e mos marrjes së statusit të vendit kandidat si dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryeministri garantoi se zgjedhjet do të jenë të lira, ndërsa PS e akuzoi se po bllokon vendimet në KQZ.
.
RUCI: PO BLLOKON VENDIMET NE KQZ
Lidhur me zgjedhjet 2013 Ruçi tha se ato janë në rrezik. Ai akuzoi Berishën se për shkak të mungesës së vullnetit të tij polik KQZ ende nuk ka bërë ndarjen e mandateve.
“Jemi i vetmi vend në Europën lindore dhe në Ballkan që diskutojmë bërjen e zgjedhjeve të lira. Ato duan 6 muaj dhe ty të mungon vullneti politik për të ndarë mandatet. Mungesa e vullnetit tënd politik që nuk po miratohen ZAZ , i cove në 100 në mënyrë të njëashme. QV dhe listat. Plus që ke dy detyra kryesore, Qarkun e Fierit dhe Tiranës. Njëra për matësat dhe tjetra për numërimin elektronik dhe kërkon ta sabotosh.... I ftove zgjedhësit të të votojnë. Ata kanë sy të shikojnë, veshë të dëgjojnë e mend të votojnë. Ti mund tu marrësh mirëqënien por jo dinjitetin. Ata do të të japin atë që meriton më 23 qeshor 2013"- tha Ruçi.
RUCI:PER FIERIN, PS KA QENDRIM UNIK
Duke iu referuar akuzave të Berishës për cështjen e këshillit të qarkut të Fierit Ruçi tha “Ke bërë diversion. Ai është qëndrim unik i të gjithë strukturave të PS-së"- tha Ruçi
RUCI: BUXHETI THELLON BORXHIN
Sipas Ruçit buxheti që Berisha e trumberton me të madhe thellon borxhin publik, varfërinë dhe papunësinë e shqiptarëve, braktis fshatin shqiptar dhe përkeqëson shërbimet publike. “Si mund të çuhet buxhet më i madh kur kalohet cdo kufi i borxhit. Pse si bindesh BB, e FMN që të thonë mos e kalo 60 % e mos e kalo.”
RUCI: DESHTOVE ME PRIVATIZIMET
Ruçi akuzoi Berishën se ka dështuar në procesin e privatizimit. “CEZ po e përzë apo po të ikën?! ARMO grabitje totale, Albpetrol, mashtrim klasik deri tani”- tha Ruçi, duke i kujtuar se privatizimet e suksesshme të qeverisë socialist e mbajtën Berishën në qeveri mandatin e parë. “
RUÇI: REFORMAT E PAREALIZUARA RRITEN BORXHIN
Në replikë kreu i grupit PS-së Gramoz Ruçi tha se Berisha është fajtor për mos marrjen e statusit të vendit kandidat. “Ke kapur të gjitha institucionet kushtetuese”- tha Ruçi “Sot nuk do të ishim në krizë, dhe nuk do të rrisnim borxhin nëse vërtet do i kishte bërë reformat. Si rezultat i mos bërjes së këtyre reformave je në krizë dhe rrite borxhin....E quan fitore zgjedhjen e presidentit, por gabohesh. Këtu i dhe përgjigjen e parë dhe të fundit BE-së për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat dhe opozitës gjatë procesit të konsultimeve ai që ti ke shumë qejf t'i zësh emrin në gojë, Edi Rama të propozoi tryezë bisedimesh që të zgjidhje presidentin, të bëjë reformë parlamentare dhe të dy bashkë brenda qershorit të shkonit në Bruksel dhe të fitonit pozitë dhe opozitë statsuin e vendit kandidat, por ti e refuzove, pra je ti shkaktari i mosmarrjes per herë të tretë të statusit të vendit kandidat dhe jo bllokatori që quan opozitën dhe liderin e saj, Edi Ramën", deklaroi Ruçi.
BERISHA: RAMA VURI MURI E BLLOKIMIT, FITORE NE 2013
Kryeministri Berisha tha se qeveria e tij ka realizuar një sërë reformash dhe përsëriti akuzat ndaj kundërshtarit të tij politik se bllokoi integrimin e vendit në BE. “Nuk votoi ligjet dhe vendosi murin e bllokimit…. Gramoz Ruçin kur do e shumëzon 10 herë me zero, kur i leverdiset e paraqet si shpifarak. Ia kam thënë në sy jo një por disa përfaqësuesve të ndërkombëtarëve. Për ne Fieri nuk ekziston dhe ai u ka thënë për mua Gramozi ekziston.”
Berisha e mbylli fjalën e tij duke uruar zgjedhësit. “Ata janë deputetët, parlamentarët, ministrat kryeministrat. … Një vit të mbarë dhe plot mbarësi. Fitore në vitin 2013 “
REKLAMAT SHTETERORE, BALLA: 17 MILIONE DOLLARE PER TE MBAJTUR GAZETAT PRO QEVERISE
Deputeti socialist Taulant Balla akuzoi qeverinë dhe kryetaren e parlamentit se nuk respekton prokurimet publike. Balla iu referua dhe reklamave shtetërore duke akuzuar qeverinë se me paratë e taksapaguesve po mban në këmbë televizionet dhe gazetat pro qeverisë.
“Reklamat shtetërore vazhdojnë të mbeten jashtë prokurorimeve publike. 17milionë dollarë për reklama shkojnë tërësisht për të mbajtur në këmbë televizionet dhe gazetat pro qeverisë dhe Sali Berishës”- tha deputeti Balla. Ai akuzoi dhe Topallin për blerje dhe festa pa fund, që bën Kuvendi me taksat e taksapaguesve por pa kaluar në prokurime publike po kështu sipas Ballës “1. 1 milionë dollarë fishekzarrje blen Majlindja Bregu dhe nuk respekton rregullat e prokurimit publik. … Arben Imami vazhdon të shesë skrap dhe në procedurat që aplikon nuk merr për bazë rregullat e prokurorimit publike, që në 6 muaj që i kanë mbetur të shesin për skrap dhe ato që i kanë mbetur.”
DEBAT PER PROKURIMET PUBLIKE
Kuvendi debaton ndryshimet në ligjin "Për prokurimin publik", që parashikojnë ndryshime në procedurat tenderuese. Sipas p/ligjit, ligji i Prokurimeve mundëson shpalljen fitues edhe kur në tender paraqitet vetëm një ofertues në rast se është i vlefshëm. Ndryshimet ligjore përfshijnë shkrirjen e Avokatit të Prokurimit dhe fillimin e procedurave të tenderimeve qysh në fillim të muajit janar.
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se këto ndryshime ligjore sjellin një ulje në cilësinë e prokurimeve. Sipas tij , ndryshimet bëhen në shërbim të fushatës zgjedhore, për të çelur fondet menjëherë në fillim të janarit pa kaluar fondet ende në llogaritë rrjedhëse të institucioneve, për të evituar në këtë mënyrë vonesat për projektet elektorale. Por më herët ministri Genc Pollo argumentoi se këto ndryshime janë aplikuar për të lehtësuar biznesin dhe për të ulur procedurat burokratike ndaj tyre; si në rastin e Avokatit të Prokurimeve, që në të shumtën e rasteve ishte një dublant i Agjencisë së Prokurimeve.
"Në praktikë do të ndodhë që do të evitohen shumë kontratat, negocim pa publikim për nevojat e fillimvitit, të cilat hartohen nga autoritetet apo lidhen nga autoritetet kontraktore për të përmbushur nevojat e fillimit të vitit, deri sa fondet t’u çelen dhe derisa ata të fillojnë një procedurë normale prokurimi referuar legjislacionit në fuqi për prokurimin", tha Pollo. Sipas Ballës, shpallja fituese në tendera të vlerave më të ulëta nga kompanitë pjesëmarrëse në projektet e financuara me fonde publike, shpesh fsheh favorizime. Ligji i prokurimeve publike u është nënshtruar ndryshimeve gati çdo vit, për shkak të nevojave të përafrimit me standardet e BE-së, por edhe të dhënies zgjidhje të disa risive të përfshirjes së sistemit elektronik në prokurime.
TAHIRI: TE VOTOHET REZOLUTA CAME
Deputeti i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Dashamir Tahiri ka kërkuar nga të gjithë deputetët e Kuvendit që të votojnë Rezolutën Çame. Në një prononcim për mediat para Kuvendit, Tahiri u shpreh se është i ngrohtë nga të gjitha palët dhe prêt që të gjithë deputetët e Parlamentit të votojnë pro Rezolutës. Deputeti i PDIU-së theksoi se do të ishte e turpshme për këdo që do të votonte kundër.
“Në parlament për atë rezolutë jemi. Dua të falenderoj kryetaren e Kuvendit që më dha fjalën dhe të gjithë të tjerët që kanë kotribuar. U kërkova mbështetje gjithë deputetetë dhe mendoj që do të jenë edhe ata pjesë e votimit. Falenderoj Presidentin Bujar Nishani për mbështetjen që i dha Rezolutës Çame pasi ka treguar një qëndrim dinjitoz. Unë e shikoj situatën të ngrohtë nga të gjitha palët. Kemi një Kryeministër që e ka kërkuar çështjen çame që në ‘91. Nuk këkrohet asgjë më tepër se ato që u takon çamëve në këtë rezolutë. Nuk kanë dhënë asnjë pronocim prandaj nuk mund të them c’mendim ka opozita. Kjo do të ishte e turpshme për këdo që do të votonte kundër”, u shpreh Tahiri.
DEBAT PËR PR/LIGJIN E PESHKIMIT
Debat për pr/ligjin e peshkimit Partia Socialiste tha se qeveria nuk e ka seriozisht me sektorin e peshkimit. Në emër të grupit PS, deputeti Eduard Shalsi vlerësoi se sektori i peshkimit është “në situatë të mjerueshme, mungesë transaksionesh reale, dhe konkurencës”. “Ju e keni lënë në mëshirë të fatit dhe nuk jeni në gjëndje ta nxirrni nga bataku ku e keni futur” - tha Shalsi. Në fund deputetët miratuan me konsensus ratifikimin e dy marrëveshjeve, si dhe disa ndryshime në ligjin "Për peshkimin".
PR/LIGJI PER MJETET E KONFISKUARA
Kuvendi miratoi me 72 vota pro dhe 54 vota kundër ligjin "Për trajtimin dhe destinacionin e mjeteve rrugore dhe lundruese të konfiskuara nga policia, deri më datë 30 dhjetor 2010". Drafti i propozuar nga ministria e Brendshme parashikon që ato mjete që nuk kanë probleme në ndjekje, hetim apo verifikim, do t'i kalojnë nën administrim Rezervave Materiale të Shtetit, për vijimësinë e procedurave të mëtejshme, sipas destinacionit të parashikuar në legjislacionin në fuqi.
Kuvendi do të nisë punimet të hënën e tretë të muajit Janar, pra me datën 14.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)