Foto: Ilir Meta

Në seancën e sotme në GJKKO, ku gjyqtarja Irena Gjoka mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe caktoi 18 marsin si datën e vendimit nëse dosja Meta-Kryemadhi do të kalojë për gjykim ishte i pranishëm edhe ish Presidenti.

Burimet për Report Tv nga seanca thonë se Ilir Meta foli vetë para gjykatës dhe kërkoi pushimin e dosjes.

Ai refuzoi akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave me argumentin se ka bërë gjithmonë një jetë modeste.

“Kam bërë jetë thjeshtë dhe jo jetë luksi, nuk kam pirë verën as 33 mijë euro dhe as kam lëvizur me charter”, ka thënë Meta duke ironizuar Kryeministrin Rama.

Para gjyqtares ish Presidenti tha se shumica e shpenzimeve të tij, sidomos të udhëtimeve jashtë vendit, janë paguar nga shteti ose vendet pritëse, ku ka qenë si zyrtar.

“Në një vit kam marre 15 mijë euro dieta”,  mësohet të ketë thënë ai.

Edhe pse në një sallë me ish bashkëshorten Kryemadhi, burimet thonë se Meta nuk pranon asnjë komunikim me të ndërsa në një moment i është drejtuar prokurorisë me kërkesën “mos më thoni në akuzë ‘çifti’ por ndryshojeni me ‘ish-çifti’, jam ndarë me këtë zonjën”.


Lajmi kryesor:

Dosja Meta-Kryemadhi/ Mbyllet seanca paraprake, vendimi më 18 mars! SPAK kërkon dërgimin në gjyq, mbrojtja pushim ose rihetim