TIRANË - Dhjetë muaj pasi SPAK mbylli hetimet, në një prej seancave më të gjata paraprake ndonjëherë, dosja e sterilizimit është kaluar për gjykim. Vendimi i sotëm i gjyqtares së GJKO-së, Flojera Davidhi çoi në gjyqin e themelit ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish zëvendësministrin Klodian Rjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe 6 të tjerë, nën akuzë për shkelje të ligjit në dosjen e koncesionit 100 milionë eurosh të sterilizimit.
Vendimi u parapri nga një seancë me tensione, ku Beqaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Davidhi nga shqyrtimi i çështjes duke argumentuar se ajo nuk ka pranuar të japë një vendim të arsyetuar për rëndimin e akuzës ndaj tij. Kërkesa e Beqajt u rrëzua nga një tjetër gjyqtar po sot në GJKKO.
“I gjithë ky proces penal sic e kam deklaruar ne kete salle ne menyre te përsëritur ka nisur si proces politik, ka vijuar si hetim politik dhe edhe ju e nderuar gjyqtare me vendimin e dates 23 dhjetor 2024 vendoset nje gur te rendesishem ne themelet e politizimit te kesaj ceshtje penale. Ju jeni bere pjese e inkuizicionit ndaj meje” deklaroi ai.
Gjyqtarja vendosi kalimin e dosjes në gjykim themeli por nuk mori vendim për kërkesat e 8 të pandehurve për gjykim të shkurtuar, teksa Beqaj refuzon.
“Do te tregojmë se sa i paplotë ka qenë gjykimi në kete seance paraprake. Aty do te tregojmë se sa i anshem ka qene kreu i SPAK, Dumani, Do te provojme se sa qëllimkeq ndaj personit tim ka qene edhe vendimi i gjyqtarit Bani. Do te provojmë se sa inekzistent është Artur Metani, kreu i ILD-se, sic edhe do t’i tregojmë publikisht diplomateve te huaj, për të vërtetën e koncesionit te shërbimeve te integruara te menaxhimit te instrumentarit kirurgjikal ne spitalet publike te Shqipërisë” ka shtuar më tej.
Beqaj nuk pranon gjykim të shkurtuar por thotë se do të hapë provat një më një.
'Akuza është tendencioze, nuk bie pre e presionit të gjykimit të shkurtuar për të mos hapur provat 1 më 1', ka thënë ish-ministri.
Përveç ish ministrit Beqaj, edhe zv. ministri Rjepaj akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën përmes grupit të strukturuar kriminal, akuzë e cila ia rëndon pozitat. Pjesë të grupit kriminal akuzohet edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili do të jetë para togave të zeza edhe për akuzën e vjedhjes me pasoja të rënda të kryer në bashkëpunim. Për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre do të përgjigjen para togave të zeza anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncensionit Marsela Serjani, Petro Mersini, Arben Gjata, Saimir Kadiu, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi.
Rikualifikimi i veprës penale
Një muaj më parë, SPAK pranoi kërkesën e gjyqtares së GJKKO, Flojera Davidhi për rikualifikimin e akuzës për ish-ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-zëvëndësin e tij Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj. Sipas gjyqtares së seancës paraprake Flojera Davidhi akuza për të cilën duhej të gjykoheshin të pandehurit ishte ajo e 'vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal'.
SPAK mbylli hetimet më 30 mars 2024 dhe dërgoi për gjykim ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendësin e tij, Klodian Rjepaj dhe 6 personave të tjerë të akuzuar në lidhje me koncesionin e Sterilizimit. Ish ministri Beqaj akuzohet se ka miratuar kontratën koncensionare të sterilizimit në kundërshtim me ligjin. Hetimet për koncesionin e sterilizimit janë kryer nga prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, ndërsa SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Lajmi kryesor: