Fredi Beleri dhe shtabi i tij elektoral kanë premtuar për qytetarët e Himarës pasaporta greke dhe përfitime të tjera në këmbim të votës në zgjedhjet e 14 majit. Ky fakt u bë i ditur në seancën e radhës ndaj kryebashkiakut të zgjedhur i cili është arrestuar për korrupsion zgjedhor më 12 maj.   

Gjatë paraqitjes së provave, përfaqësuesit e SPAK thanë se vetë Beleri nuk ka pranuar të dorëzojë kodin e telefonit të tij i cili iu sekuestrua gjatë arrestimit në flagrancë në lokalin e tij në Himarë. Pyetjes për këtë fakt Beleri preferoi të mos i jepte përgjigje. Por nga ekspertimi i telefonit të anëtarit të shtabit elektoral Pandeli Kokaveshi është zbuluar një grup ne aplikacionin Whatsapp i quajtur “Himara ime je ti”.

Në këtë grup sipas prokurorise, janë gjetur biseda rreth ndihmesës qe do ti ofrohej qytetarëve te Himarës dhe zona përreth nder to edhe per sigurimin e “letrave greke”. Madje ne një bisede, Beleri i ka tërhequr vëmendjen Kokaveshit duke i kërkuar të bënte kujdes me fjalët: Çfarë janë këto biseda, nga këto do te digjesh ti! Avokatët e të pandehurit Fredi Belerit i kundërshtuan thëniet e prokurorëve, pasi sipas tyre grupi në fjalë nuk ka lidhje me objektin e gjykimit dhe bisedat janë kryer me herët se moment ii kryerjes së veprës penale.

Ata pretenduan se telefoni ka qene ne pronesi te nenes se Pandeli Kokaveshit i cili u arrestua për blerje votash bashkë me Belerin por u la i lirë më pas për shkak të problemeve shëndetësore.

Për shkak të mos-dorëzimit të kodit, prokuroria nuk ka arritur të ekspertojë telefonin e Fredi Belerit, por të bashkëpunëtorit Arsen Rama ku janë gjetur thirrjet dhe komunikimet që ata kanë pasur. Pasi u kontaktua nga Beleri dhe stafi i tij në Himarë, Rama njoftoi policinë dhe lidhi marrëveshje bashkëpunimi me prokurorinë për dokumentimin e çështjes përmes përgjimit të pazareve për blerjen e votave dhe simulimit të veprimeve. Seanca e radhës ndaj Belerit pritet të zhvillohet më 29 dhjetor.