Presidenti publikon 72 përgjigjet për Kushtetuesen, akuza qeverisë e Kuvendit! Kim e korruptuar? Meta e zbulon për herë të parë: Jam ankuar zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë

TIRANË- "E njëanshme", "favorizon Ramën", "më ka kërcënuar" kanë qenë disa nga akuzat për të cilat kreu i shtetit Ilir Meta ka artikuluar publikisht për ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim dhe sot për herë të parë ai ka zbuluar se është ankuar zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti e ka cilësuar sjelljen e Kim si "jo korrekte" për një diplomate, prandaj në 1 nga përgjigjet për 72 pyetjet e Gjykatës Kushtetuese, Meta i ka njoftuar se ia ka thënë këtë edhe zyrtarisht vetë asaj, por edhe vendit që përfaqëson.  

"Presidenti, shqetësimet e tij për sjellje jo korrekte të diplomatëve të caktuar, ua ka shprehur zyrtarisht atyre, duke vënë në dijeni po zyrtarisht edhe vendet apo organizatat që ata përfaqësojnë. Presidenti i Republikës nuk ka ndërhyrë kurrë në kompetencat e asnjë përfaqësie diplomatike dhe të asnjë vendi partner, por për fat të keq, ka patur diplomatë të caktuar që publikisht kanë vënë në diskutim dekretet e Presidentit, duke marrë hapur anën e mazhorancës në kapjen e sistemit të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese", ka njoftuar presidenti.

Ilir Meta ka bërë publike sot përgjigjet e 72 pyetjeve të Gjykatës Kushtetuese, ku edhe pse e quan veten një "president mbi palët", nuk i ka ndalur sulmet dhe akuzat për Kuvendin dhe qeverinë. 2021 ka qenë viti në të cilën marrëdhënia e presidentit me qeverinë ka arritur kulmin, por për Metën, shkaktar nuk ka qenë ai.

"Iniciativat e Presidentit kanë qenë të panumërta për të frenuar konfliktet, për të respektuar parimet e shtetit të së drejtës nga secila palë, për të mos u cenuar stabiliteti i vendit dhe kredencialet e tij demokratike, dhe për të mos ngrirë procesin e çeljes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Presidenti, e ka ruajtur këtë qëndrim edhe kur është vendosur përpara trysnisë nga partia në pushtet dhe bërja e saj një me shtetin përmes sulmeve të saj", është përgjigjur Meta.

Arma më e fortë që Meta po e përdor fort në seancën në Gjykatën Kushtetuese, është shkelja e procedurave siç ai i ka cilësuar, nga ana e Kuvendit. Në dokumentin 53 faqesh, Meta argumenton se pikënisja e këtyre shkeljeve ka qenë që në momentin kur Komisioni i Ligjeve ka refuzuar që ta dëgjojë.

"Komisioni për çështjet ligjore të Kuvendit për të dëgjuar Presidentin e Republikës në datën 10 maj 2021, gjithçka, çdo hap i mëtejshëm procedural dhe çdo vendimmarrje, ishte haptazi antikushtetuese dhe antiligjore, dhe nuk mund të zëvendësonte apo kompensonte një shkelje themelore jo vetëm të lirive të individit, por dhe të respektit ndaj autoritetit publik që Presidenti përfaqëson dhe ushtron, por edhe të rregullave e procedurave të miratuara nga vetë Kuvendi", njofton Meta.

Duke mëshuar shkeljeve që sipas tij, ka bërë Kuvendi, Meta thotë se kjo ka sjellë një sërë pasojash. Etiketimi "President i shkarkuar", Meta thotë se ka ndikuar negativisht në unitetin e popullit, në marrëdhëniet e tij me pushtetet e tjera, ku thekson se ato institucione që kanë qenë në varësi të qeverisë nuk kanë denjuar që t'i kthejnë një përgjigje për çështje që Presidenca ka qenë e interesuar. Gjithashtu, këtu e sheh edhe pikënisjen edhe të raporteve të acaruara edhe me Kuvendin aktual, ku thotë se fakti që shkarkimi i tij nuk u shqyrtua në kohë nga parlamenti i kaluar, ka bërë që konflikti të transferohet edhe te legjislatura e re.

"Shkeljet e rënda, të përsëritura, dhe të njëpasnjëshme procedurale të kryera nga Kuvendi i Shqipërisë, kanë sjellë si pasojë: mohimin e të drejtave dhe lirive themelore të parashikuara nga Kushtetuese; konfliktualitetin mes dy organeve (Kuvend- President) për shkak të mosshqyrtimit për një kohë të gjatë të këtij konflikti nga Gjykata Kushtetuese. Konflikti u transferua nga legjislatura e IX-të tek ajo e X-ta (aktuale).

Një situatë e tillë, me një çështje të mbajtur pezull ndaj Presidentit të Republikës, i ka mundësuar mazhorancës në pushtet të vazhdojë sulmet e paligjshme, të pa principta, dhe amorale ndaj Presidentit të Republikës, dhe të amplifikuara nga mediat që mbështesin Qeverinë, fakte këto të provuara gjerësisht. Etiketimi sistematik i Kreut të Shtetit me terma si “President i shkarkuar” për muaj të tërë, është në dëm të unitetit të popullit që ai përfaqëson dhe ka krijuar një debat artificial të panevojshëm, e cila edhe kjo shkon në dëm të imazhit të vendit dhe kredencialeve të tij në arenën ndërkombëtare. Kjo situatë pezullie ka krijuar vështirësi edhe në komunikim ndërmjet institucioneve, ku institucionet në varësi të ekzekutivit, shpesh herë kanë arritur deri aty sa të zvarrisin për një kohë të gjatë dhënien e informacioneve, përcjelljen e tyre në mënyrë shumë të cunguar, apo edhe të mos përgjigjen fare, për më tepër që bëhej fjalë për çështje me interes të lartë publik", tha Meta.

Këto përgjigje për 72 pyetjet janë mbrojtja që ka bërë presidenti Ilir Meta në Gjykatë pasi Kuvendi e ka shkarkuar me argumentin se ka shkelur rëndë Kushtetutën. Dje u zhvillua edhe seanca e tretë dhe e fundit, ku pasi palët dhanë konkluzionet përfundimtare, Kushtetuesja ka njoftuar se vendimin e arsyetuar do e jap brenda 30 ditësh. Ndërkohë, theksohet se Presidenca do të padisë Kuvendin, me argumentin kanë manipuluar provat duke qenë kjo edhe pika më e fortë e mbrojtjes së kreut të shtetit.

(Kliko këtu për të lexuar 72 përgjigjet e Presidencës)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:44
Meta gjyqtarëve të Kushtetueses: Fushata denigruese ndaj meje e funksionarëve publik është frymëzuar nga Rama

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se persona me funksione publike kanë nisur ndaj një një fushatë denigurese, që është frymëzuar sipas tij nga Edi Rama. 

Kuvendi pretendon se në dalje publike ka patur fyerje ndaj personave me funksione publike. A pranohet ky fakt?
Përgjigje
: Presidenti i Republikës është atakuar në të gjitha llojet e formave, dhe kjo fushatë fyerjesh dhe denigrimi është frymëzuar personalisht nga Kryetari i Partisë Socialiste dhe Kryeministri i vendit Edi Rama. Faktet shumë të rënda publike lidhur me këtë gjenden në qëndrimin e dorëzuar që prej datës 1 korrik 2021, duke filluar që nga vendosja e Posterave të mëdhenj publik vendosur në akset kombëtare të vendit, nga Kryeqyteti, deri në qytete të tjera, ashtu si dhe në aktivitetet politike elektorale të Kryeministrit, i cili me video, foto, fjalë, ka fyer haptazi dhe publikisht Presidentin e Republikës. Këto fakte janë të njohura prej të gjithë shqiptarëve. Për këtë pyetje, kemi dhënë sqarime shteruese, edhe në përgjigje të pyetjes me nr. 2, të relatorit. Është me rëndësi që edhe Gjykata të rishohë dhe tre video ku shfaqen thirrje fyese dhe sulmuese të kryeministrit ndaj Presidentit në disa mitingje/aktivitete. Bashkëlidhur këtij materiali gjeni videot përkatëse në format CD.

Ora 10:00
'Yuri Kim e korruptuar dhe e njëanshme', Meta e zbulon për herë të parë: Jam ankuar zyrtarisht për sjelljen jo korrekte në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti Ilir Meta ka bërë me dije për herë të parë se është ankuar zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë për ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim. Diplomatja amerikane ka qenë në fokus të akuzave të kreut të shtetit, kus hpesh herë e ka quajtue si të korruptuar, apo të njëanshme.

Gjithashtu, a mendoni se akuzat ndaj përfaqësuesve të misioneve diplomatike bërë në daljet tuaja publike në media apo rrjetet zyrtare e sociale si të korruptuar apo ato për rrezikun e integritetit tuaj fizik kanë bazë faktike dhe nëse po, a keni bërë denoncim në organet përkatëse?

Përgjigja- (...)Presidenti i Republikës kurrë nuk ka marrë asnjë shqetësim zyrtar nga asnjë partner ndërkombëtar për sjelljet apo aktet e tij.

Presidenti, shqetësimet e tij për sjellje jo korrekte të diplomatëve të caktuar, ua ka shprehur zyrtarisht atyre, duke vënë në dijeni po zyrtarisht edhe vendet apo organizatat që ata përfaqësojnë.

Presidenti i Republikës nuk ka ndërhyrë kurrë në kompetencat e asnjë përfaqësie diplomatike dhe të asnjë vendi partner, por për fat të keq, ka patur diplomatë të caktuar që publikisht kanë vënë në diskutim dekretet e Presidentit, duke marrë hapur anën e mazhorancës në kapjen e sistemit të drejtësisë, e sidomos të Gjykatës Kushtetuese".

Ora 09:59
Meta shpjegon kërcënimet për qeverinë: Ja kush është populli i '2 marsit'

1643405244_PresidentiIlirMETA1024x683500x334.jpg

Presidenti Ilir Meta ka shpjeguar kërcënimet e tij me popullin e "2 marsit", madje edhe ka përkufizuar se kujt i referohet kur përmend këtë kategori.

Keni përmendur shpesh “popullin e 2 marsit”. Cila është sipas jush kjo kategori, duke vlerësuar pjesëmarrjen e popullit në zgjedhje dhe rezultatet zyrtare të KQZ- së për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe votat e marra nga shumica qeverisëse.

Përgjigje: Populli i 2 marsit, përfaqëson të gjithë shqiptarët, të cilët duan të qeverisen vetëm nga Kushtetuta dhe ligji, që duan demokracinë dhe jo autokracinë, dhe nuk duan t`i nënshtrohen asnjë abuzuesi dhe shkelësi të ligjit, qoftë ky Kryeministër, ministër, funksionar publik apo politik, i çdo lloji a niveli qoftë. Populli i 2 marsit është ai që i vuri gjoksin mbrojtjes së Kushtetutës dhe mbështeti Presidentin e Republikës, duke frenuar mazhorancën që të instalonte formatin e “betimit të gjykatësve kushtetues tek noteri (te Lana)”; duke parandaluar përdhosjen brutale të shtetit të së drejtës. Populli i 2 marsit ishte populli që kërkonte ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, sipas parashikimeve vetëm të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Populli i 2 marsit janë të gjithë shqiptarët që duan ta shohin Shqipërinë si vend anëtar të Bashkimit Evropian, ku sundon vetëm shteti ligjor, dhe jo shteti i kapur apo drejtësia me regji (partiake). Populli i 2 marsit është pa asnjë diskutim, një shqetësim shumë i madh për këdo që shkel Kushtetutën, ligjin, cenon interesin publik e kombëtar, dhe në këtë mënyrë kërkon të abuzojë në kurriz të djersës, mundit, dhe sakrificave të qytetarëve të thjeshtë, të ndershëm e patriotë të vendit tonë.

Ora 09:45
U përlesh me policinë duke mbrojtur zyrat e FRD-së, si përgjigjet presidenti gjyqtares pasi shkoi në selinë e një partie politike

Presidenti Ilir Meta është pyetur nga gjyqtaret edhe në lidhje me prezencën fizike në zyrat e FRD-së, ku u përplas me policinë bashkiake, e duke hyrë me forcë në zyrat e FRD-së.

Pyetje: Pse zgjodhi Presidenti të shkojë fizikisht në selinë e një partie politike?

Përgjigje: Është tërësisht në diskrecionin e Presidentit të Republikës të zgjedhë formën se si zhvillon takime, vizita, ndërmerr veprime, apo si ndërvepron me qytetarët, aktorët politikë, apo ata institucionale. Në çdo rast, Presidenti i Republikës, në respekt të ligjit, ka komunikuar për ngjarje apo situata të caktuara me shkrim, apo me praninë e tij të drejtpërdrejtë. Në respekt të plotë të kësaj mënyre veprimi, ligjore dhe institucionale, ka komunikuar edhe në rastin e kësaj ngjarjeje të shëmtuar, të provokuar në mënyrë të paligjshme nga Bashkia e Tiranës, ndaj një subjekti politik, në shenjë hakmarrjeje vetëm për faktin se ishte regjistruar në koalicionin opozitar. Sulmi politik ndaj një partie politike nga policia, sidomos gjatë periudhës zgjedhore cenon interesin publik. Për më shumë, aktet që vërtetojnë veprimet e dhunshme e të paligjshme të Bashkisë Tiranë, i janë bashkëlidhur parashtresave të depozituara.

 

Ora 09:42
A ke qenë president mbi palët? Meta: Është mëse e qartë që po, kam qenë kritik i fortë i partisë në pushtet, por edhe i opozitës

1643697501_16176962231608831432ILIRMETAGJYAKATAKUSHTETUESE1.jpg

Ilir Meta thotë se ai ka qenë një president mbi palët dhe për këtë ka zgjedhur disa episode që sipas tij, kanë treguar haptazi se ai nuk ka favorizuar asnjë palë në zgjedhjet. Ai thotë se ka qenë shumë kritik, jo vetëm ndaj partisë në pushtet, por edhe ndaj opozitës, e këtu liston dënimin që i ka bërë djegies së mandateve nga ana e opozitës, për mospjesëmarrjen si në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, ashtu dhe mos regjistrimin në veçanti për zgjedhjet e 13 tetorit nga Partia Demokratike.

A e keni zbatuar detyrimin kushtetues për të qenë super partes gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021?
Përgjigje
: E gjithë veprimtaria e Presidentit të Republikës, ka qenë një dëshmi e qartë dhe publike e qëndrimit mbi palët.

Presidenti i Republikës jo vetëm publikisht, por dhe me të gjitha instrumentet ligjore, ka sensibilizuar fort institucionet shtetërore dhe forcat politike për realizimin e një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm, të barabartë dhe pa presione. Ai kurrë nuk ka mbështetur asnjë subjekt politik garues në zgjedhje dhe ka qenë shumë kritik, qoftë ndaj Partisë në Pushtet, ashtu dhe ndaj Opozitës, për çdo qëndrim që binte ndesh me respektimin e parimeve të demokracisë dhe procesit zgjedhor të rregullt dhe demokratik.

Të gjithë i mbajnë mend kritikat e vazhdueshme dhe publike të Presidentit të Republikës edhe ndaj veprimeve tejet të gabuara të lidershipit të opozitës për praktikën e bojkotit në përgjithësi, bojkotin e Reformës në Drejtësi në mënyrë të veçantë, e sidomos përgjegjësinë historike për djegien e mandateve të deputetëve, apo për mospjesëmarrjen si në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, ashtu dhe mos regjistrimin në veçanti për zgjedhjet e 13 tetorit nga Partia Demokratike.

Po kështu, nxitja e Presidentit për arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit dhe nxitja e tij për të nënshkruar dhe respektuar këtë marrëveshje me çdo çmim, ka qenë e evidentuar publikisht. Madje, edhe paralajmërimi publik i Presidentit të Republikës, se nëse opozita nuk nënshkruante marrëveshjen e 5 qershorit, zgjedhjet do të bëheshin edhe pa të.  Zgjedhjet e 25 prillit 2021, dhe zhvillimet që paraprinë ato, provuan qartë shqetësimet e qëndrimet shumë të drejta të Presidentit të Republikës, e që konfirmohen edhe në Raportin përfundimtar të OSBE/ODHIR-it.

Angazhimi i Presidentit për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe parandalimin e ngjarjeve të rënda për shkak të prekjes së votës, janë të evidentuara qartë. 14 Të gjitha faktet shkresore dhe dokumentet që e provojnë këtë katërcipërisht u janë vënë në dispozicion së bashku me materialin e datës 1 korrik 2021, ashtu dhe në seancën gjyqësore të datës 3.2.2022.

I kujtojmë Gjykatës Kushtetuese se, nuk ka patur asnjë shqetësim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucioni që sipas Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, është administrator dhe realizuesi i vetëm i proceseve zgjedhore në Shqipëri.  Ky rol “super partes” i cituar sipas pyetjes suaj, konfirmohet edhe nga vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili përmes shkresës nr. 4378/1 prot., datë 24.04.2021, ka garantuar që 19 anëtarëve të stafit të Kabinetit të Presidentit të Republikës, t`u njihet e drejta për të marrë informacion për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor direkt në qendrat e votimit dhe vendet e numërimit të votave, sipas kërkesës së Presidentit të Republikës nr. 1479 prot., datë 24.4.2021.  Bashkëlidhur gjeni kopjen e shkresës nr. 4378/1 prot., datë 24.04.2021, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ora 09:26
Gjykata e pyet përse nuk ndryshoi axhendën që të merrte pjesë në komisionin Hetimor, Meta 'i korrigjon' pyetjen, ja si justifikon mungesën

1644082193_autoIlirMetadeklarate1644008176.jpg

Presidenti Ilir Meta nuk u paraqit në Komisionin Hetimor të ngritur për ta. Kjo ka qenë edhe një nga pyetjet e bëra nga ana e Gjykatës Kushtetuese, që lidhet me mungesën e tij, për të cilën kreu i shtetit ka dhënë argumentet.

Ju keni refuzuar të merrni pjesë në seancën hetimore, duke pretenduar se keni pasur takime të programuara zyrtarisht me përfaqësues të lartë të vendeve të tjera. A ka ndodhur në praktikën tuaj që të ndryshoni takimet kur e kanë kërkuar rrethanat? A ka qenë ky shkak për mosparaqitjen tuaj në seancat dëgjimore të zhvilluara nga komisioni hetimor dhe Kuvendi?

-Pyetja nuk është korrekte. Presidenti më së pari, asnjëherë nuk ka refuzuar takimin, madje ka kërkuar të dëgjohet nga Komisioni për çështjet ligjore, që nuk zhvillon seancë hetimore, siç ju referoni në pyetjen tuaj.

Lutemi t`i referoheni shkresave të datës 5 dhe 6 maj 2021, të Institucionit të Presidentit, ku ka shprehur gatishmërinë për t`u takuar, diskutuar dhe t`u dëgjuar në Komisionin për çështjet ligjore në datën 10 maj 2021, e duke kërkuar caktimin dhe të orës së takimit. Për më shumë, referojuni shkresave të Presidentit të Republikës nr. 1520/2 Prot., datë 5.5.2021 dhe nr. 1533/2 prot., datë 06.05.2021, dhe qëndrimeve të dorëzuara nga Presidenti i Republikës që në datën 1 korrik 2021 (faqe 88 e në vijim). Komisioni për çështjet ligjore, në funksion të urdhrit politik, komunikoi në mënyrë ultimative me Presidentin e Republikës, duke i kërkuar që për një çështje kaq të gjerë dhe të madhe, të paraqitej në më pak se 20 orë.  

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • karadakliu: 08/02/2022 11:52

    Do te mbajne mende shqiptaret dhe historia shteterore e Shqiperise,per President me krminel e me hajdut,President me i paarsyeshem dhe njeri me probleme e mbrapambeturi mendore.Po ku ankohesh kur Kuvendi qe fatkeqesisht te zgjodhi,merr endim te largohesh nga presidendca.Amerikanet jo fort larg,do bijne njoftimin dhe familjes tende, per NON GRATA i dyte i udheheqesive te Shqiperise.

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 08/02/2022 10:50

    KLANSEKTI PS,PD,LSI ndodhet ne dilema te medha.31 vjet kane shire si kane dashur,si kafshet ne pyll,pa respektuar ligjin duke krijuar xhunglen e krimit e te korrupsionit. Vetem permbysja e ketij KLANSEKTI do te sjelle fillimin e jetes normale ne Shqiperi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës