Vendimi brenda 30 ditëve, mbyllet seanca në Kushtetuese për shkarkimin e Metës! Kuvendi: Jo më President si ky! Presidenca: Shpallni nul procedurat

TIRANË-Tashmë është e sigurt. Saga e shkarkimit të Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës, i nisur në maj të vitit të kaluar nuk do të dojë më shumë se 30 ditë. Kufirin kohor e thotë Kushtetuta dhe e konfirmoi edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, sot teksa mbylli seancën e gjatë të shqyrtimit të vendimit të 104 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë më 9 qershor 2021.

Seanca e nisur të martën e 1 shkurtit, e ndërprerë 2 herë, dhe e përfunduar sot u karakterizua nga një debat mes palëve, nga argumente dhe kundër-argumente, me akuza të ndërsjellta dhe pyetje shumë domethënëse të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë kërkon që kurrë më të mos ketë një Presidenti Republike si Ilir Meta, ndaj përfaqësuesja e tij në seancën e sotme kërkon që Kushtetuta të vendose 'vijat e kuqe', të përcaktojë standardet se si duhet të sillet në të ardhmen 'uniteti i kombit', presidenti mbi palët, simbol i paanshmërisë dhe mbrojtësi i Kushtetutës. Sipas përfaqësueses së Kuvendit, Klotilda Bushka'  është provuar faji i Presidentit ndaj anëtarët e Kushtetueses duhet të tregojnë se askush nuk është mbi ligjin. Teksa numëron të gjitha nenet që sipas saj Meta ka shkelur, Bushka thotë se Kuvendi nuk ka luftë me Metën por është i detyruar të mbrojë Kushtetutën.

"E vërteta është se kjo sjellje diskrediton figurën e zyrtarit të lartë. Presidenca nuk i është përgjigjur pyetjeve tona. E mbyll duke riktheksuar se ky duhet të jetë proces për vendosje standardi. Që jep goditje kushtetuese ligjore për mosndëshkimi e zyrtarëve publik. Meta të shkarkohet se ka shkelur rëndë kushtetutën. Pasi në të ardhmen mos ketë të tillë precedent", nënvizon ajo, teksa ia kujtoi shembujt Ilir Metës që sipas saj kanë respektuar Kushtetutën edhe kur janë sulmuar politikisht. 

"Nuk ka asnjë praktikë në botë që të të ketë sjelljen e Metës dhe të kosniderohet normale. Në Shqipëri kemi rastin edhe të presidentit Topi që iu shfaq vota haptazi dhe partia e quajti tradhtar e nuk reagoi siç ka bërë Meta", tha ndër të tjera Bushka. 

Ndërkohë që për Presidencën 'thembra e Akilit' në të gjithë kërkesën e Kuvendit për të shkarkuar Metën është procedura. Teksa e akuzoi Kuvendin se ka falsifikuar dokumentet dhe për këtë do ta çojë në Prokurori, këshilltari ligjor i Ilir Metës, Bledar Dervishaj thotë se Kushtetuesja nuk duhet të pranojë kurrsesi ngritjen e Komisionit Hetimor i cili sipas tij është bërë duke mos respektuar afatet dhe për pasojë as kërkesën e Kuvendit për shkarkim të Presidentit.

Dervishaj, i cili refuzoi t'i lexonte përgjigjet e 72 pyetjeve të Gjykatës Kushtetuese duke thënë se janë dhënë me shkrim, duke shkaktuar kështu edhe reagimin e kryetares së Gjykatës Vitore Tusha, ripërsëriti edhe një herë qëndrimin konstant të Presidencës se Ilir Meta ka vepruar për të mbrojtur demokracinë, pluralizmin, demokracinë të cilat sipas tij janë cënuar rëndë në legjislaturën e kaluar në Kuvend, i cili sipas tij e ka ngritur të gjithë çështjen e shkarkimi në një nen që nuk është më në Kushtetutën e shqiptarëve, atë 'për agjetacion dhe propagandë'.

"Kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese të deklarojë të papajtueshëm ngritjen e Komisionit Hetimor. Deklarimin si të papajtueshëm miratimin e raportit të Komisionit Hetimor. Të mos pranohet shkarkimi dhe të zgjidhet konflikti kushtetues parlament-president. Kjo çështje s'duhet të ekzistonte", ka përfunduar përfaqësuesi i Metës në Gjykatën Kushtetuese, Bledar Dervishaj.

Tanimë gjithçka është në dorën e 7 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.  Që Presidenti të shkarkohet, pro vendimit të Kuvendit duhet të votojnë të paktën 5 anëtarë dhe duhet patjetër të marrin pjesë në votim 6 anëtarë. Gjykata Kushtetuese ka aktualisht 7 anëtarë nga 9 që duhej të kishte gjithsej.

Kush janë gjyqtarët aktualë të Gjykatës Kushtetuese që kanë në dorë fatin e Metës: Vitore Tusha, Kryetare! Anëtarët: Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Përparim Kalo, Sonila Bejtja.

Meta është shkarkuar nga Kuvendi më 9 qershor 2021 me argumente të tilla si shkelje të rënda të Kushtetutës, provokim të cenimit të marrëdhënieve me SHBA, shantazh ndaj drejtësisë, thirrje për veprime të dhunshme, nxitje urrejtje, cenim të sigurisë publike etj.

Deputetët e Partisë Socialiste në pushtet ngritën këtë Komision Hetimor parlamentar, i cili gjeti 17 shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit. Shkarkimin e Metës, Partia Socialiste e ka konsideruar si një nevojë për të "çliruar Presidencën nga një pengmarrje". Kjo ishte nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se "s'do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare" dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor.

Nëse Gjykata Kushtetuese do të vendoste shkarkimin, Ilir Meta do të bëhej kështu Presidenti i parë i shkarkuar ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar. Më 9 qershor 2021 Kuvendi miratoi me 104 vota pro raportin e Komisionit hetimor ParlamentarNë seancën e 9 qershorit morën pjesë në total 114 deputetë dhe vetëm 7 prej tyre mungonin. Nga këto, 104 votuan pro shkarkimit të Metës, 7 votuan kundër si edhe 3 abstenuan.

Kjo ishte nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që u ngrit për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkoi shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se "s'do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare" dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor. Ndërkaq Meta ndonëse është thirrur nuk ka pranuar të shkojë në asnjë mbledhje të komisionit.

Në rast të një shkarkimi të mundshëm, presidenti automatikisht nuk mund të ushtrojë më asnjë kompetencë dhe rolin e tij e merr kreu i Kuvendit. Meta është zgjedhur President më 28 prill 2017 me 87 vota, me mbështetjen e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilën e drejtonte vetë Meta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:23
Kushtetuesja vendim brenda 30 ditëve nëse do shkarkohet apo jo, Meta reagon nga Durrësi, poston foton me dy gishtat lart

Gjykata Kushtetuese pritet të marrë vendimin për shkarkimin apo jo të Ilir Metës pas një muaji, e megjithatë duket se kjo nuk i ka bërë shumë përshtypje Presidentit. Pas mbylljes së seancës në Gjykatën Kushtetuese sot, Meta ka reaguar duke postuar në Facebook një foto nga Durrësi, duke pozuar me dy gishtat lart.

"Durrësi edhe në dimër i paparë! Po në Pranverë?", shkruan Meta.

 

Ora 13:58
Pas mbylljes së seancës në Gjykatën Kushtetuese, Meta paralajmëron ngritjen e një padie në Prokurori për falsifikimin e provave nga Kuvendi: Skandal shumë i rëndë

1592829405_META.jpg

Presidenti Ilir Meta ka ngritur një padi për falsifikimin, sipas tij të provave nga Kuvendit, të depozituara në Gjykatën Kushtetuese pa asnjë lloj kërkese.

‘Sapo falënderova Bledin dhe Katrin, për përfaqësimin me dinjitet dhe profesionalizëm të Institucionit të Presidentit të Republikës. I kërkova të përgatisin menjëherë padinë për falsifikimin e provave nga Kuvendi, të depozituar në Gjykatën Kushtetuese pa asnjë lloj kërkese. Ky skandal shumë i rëndë, duhet të marrë menjëherë përgjigje ligjore! Takohemi shumë shpejt në një komunikim me mediat!’- shkruan Meta.

Ora 13:20
Dervishaj: Meta do të çojë në Prokurori Kuvendin, ka falsifikuar provat shkresore

 

Përfaqësuesi i presidencës, Bledar Dervishaj ka bërë me dije e Ilir Meta do të çojë në Prokurori Kuvendit, pasi sipas tij ka manipuluar provat shkresore.

" U provua se Kuvendi edhe së fundmi depozitoi prova të manipuluar me qëllimin që të rrëzohen pretendimet e kreut të shtetit dhe kur kjo ndodh nga Kuvendi i Shqipërisë, çfarë mund të mendojnë ne se çfarë ndodh në organet e tjera, por që trajtojnë të drejta themelore, meta ka vendosur t'i drejtohet prokurorisë për një procedurë hetimore për këtë shkak ashtu si kurse është e drejtë e Gjykatës që të marrë një vendim, për manipulimin e shkresës në 4 shkurt2022", tha Dervishaj.

Ora 13:16
Mbyllet seanca për shkarkimin e Metës, Balla: Të respektojmë pavarësinë e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, njëkohësisht përfaqësuesi i mazhorancës në Gjykatën Kushtetuese, Taulant Balla pas mbylljes së seancës për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, tha se duhet të respektohet pavarësia e vendimmarrjes së GJK-së.

‘Kemi detyrimin që është mbyllur procesi i gjykimit. Në duhet të respektojmë pavarësinë e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Nga momenti i përfundimit të procesit të gjithë kemi detyrimin përfshirë presidentin e Republikës, deri sa GJK brenda afatit 30 ditor të shprehet. Ka qenë një proces shumë i mirë dhe i shëndetshme kushtetuese për cilësinë  e demokracisë në Shqipëri.'- tha Balla.

Ora 13:08
Mbyllet seanca në 'Kushtetuese', vendimi për shkarkimin e Metës brenda 30 ditëve i arsyetuar

 

Mbyllet seanca në Gjykatën Kushtetuese, vendimi për shkarkimin e Ilir Metës ose jo do të jepet brenda 30 ditëve i arsyetuar.  

Ora 13:00
Konkluzionet përfundimtare, Presidenca: Meta ka qenë aktiv për të mbrojtur demokracinë, mos pranoni kërkesën e Kuvendit

 

1644235526_kushtetuese.jpgPërfaqësuesi ligjor i presidentit Bledar Dervishaj, ka shprehur shqetësimin në lidhje me provat e Kuvendit, të cilat sipas tij janë falsifikuar. Ai ka dhënë të gjitha argumentet pse Meta nuk duhet të shkarkohet.

Argumentet e Presidencës

Kuvendi si organ legjislativ vazhdon ta trajtojë këtë çështje si goditje. Në rastin konkret kuvendi shkeli edhe procedurat që komisionet kishin për detyrë. Ky proces nisi e përfundoj nga një urdhër politik e ne mungesë të lëndës.

Kuvendi edhe më 4 shkurt manipuloi aktet e brendshme. U provua që kërkesa e Kuvendit u pasua nga një shkelje e kryetares.

Kryetarja e Kuvendit që paraqet legjislaturën e 10 s'ka tagër përfaqësimi për legjislaturën e 9. 40 deputetë aktualë kanë qenë në legjislaturën e shkuar kur u shkarkua Meta. Ne e njohim parimin e vazhdimësisë por kur aktet nuk miratohen nga një legjislature, i kthehen nismëtarit

Kuvendi ka shkelur në çdo hap procedurën. Ka krijuar një armë politike. Është aspak kushtetuese.

Provat janë të marra gjatë një procesi të parregullt ligjor. janë të papërdorshme dhe të pavlefshme.

Refuzimi i dëgjimit të Presidenti ka cenuar të drejtat themelore. E drejta për tu dëgjuar nuk mund të zëvendësohet. Nuk mund të shkelet kurrë procedura për llogari të politikës. Pasi kjo e bën dallimin nga partia shtet.

Nuk ka mbështetur asnjë forcë politike por ka qenë kritik ndaj çdo force politike, edhe ndaj qeverisë edhe ndaj opozitës. Të gjithë i mbajmë mend kritikat e ashpra të Presidentit sidomos për djegjen e mandateve si dhe mos pjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 qershorit apo edhe ato të 13c tetorit.

Po ashtu përpjekja e Presidentit për të arritur një marrëveshje më 5 qershor ishin të shumta. Angazhimi i Presidentit për mbrojtjen e procesit zgjedhor janë të qarta. Presidenti ka pasur në vijimësi qëndrim moderues, paqtues, pa mbivlerësuar dhe nënvlerësuar asnjë subjekt politik. Dhe ka respektuar parimet demokratike.

Thirrjet e Presidentit për mbrojtjen e votës janë një kontribut i shtuar për zgjedhjet e lira. Keqkuptimi i qëllishëm dhe kushdo që do ta shikonte Presidentin e republikës pasiv përballë situatave sicc ishte ajo e zgjedhjeve të 25 prillit  duan që të mos ketë pluralizëm politike e zgjedhje demokratike.

Çdo reagim i fortë i Presidentit është garanci për mbrojtjen e interesave të vendit. Gjithmonë përgjatë kësaj legjislature është sulmuar ndarja dhe balancimi i pushteteve. Pas djegies së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve vendore nga ana e opozitës situata ishte anormale.

Presidenti ka ndërtuar në mënyrë kushtetuese marrëdhëniet dhe ka qenë shembull. Nuk ka tentuar asnjëherë Kreu i shtetit të marrë kompetenca qeverisëse apo të Kuvendit, e kundërta ka ndodhur. Presidenti është vënë gjithmonë para faktit të kryer. Vetpërmbajtja është relative dhe dinamike, e rëndësishme është që të udhëhiqet nga interesi më i lartë i vendit si dhe nga proporcionaliteti.

Presidenti ka bërë denoncimeve të shumta që lidhen me krime zgjedhore.

Të gjitha pretendimet e Kuvendit për shkarkim janë të denja vetëm për nenin e një Kushtetute tjetër, atë 'për agjetacion dhe propagandë'.

Gjykata Kushtetuese rumune në një vendim të viti 2007 thotë se Presidenti ka të drejtë të mbajë qëndrime politike.  

Kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese të deklarojë të papajtueshëm ngritjen e Komisionit Hetimor. Deklarimin si të papajtueshëm miratimin e raportit të Komisionit Hetimor.

Të mos pranohet shkarkimi dhe të zgjidhet konflikti kushtetues parlament-president. Kjo çështje s'duhet të ekzistonte.

Ora 12:30
Konkluzionet përfundimtare, Bushka: Meta humbi çdo të drejtë të jetë kreu i shtetit

 

Klotilda Bushka në argumentimin e saj në seancën e Gjykatës Kushtetuese parashtroi të gjitha arsyet pse sipas saj gjyqtarët duhet të shkarkojnë Ilir Metën.

Argumentet e Kuvendit:

Në përfundim të këtij procesi mund të themi se janë provuar shkeljet e rënda Kushtetuese nga presidenti. Është provuar faji. I këkrojmë Gjykatës Kushtetuese të miratojë shkarkimin e Presidentit Meta. Askush s'mund të jetë mbi ligjin.

Është detyrë e Kuvendit mbrojtja e Kushtetutës, të cilën Presidenti e ka shkelur.

Meta ka shkelur nenin 86 pika 1 e kushtetutës për neutralitet, ka denigruar figura politike dhe qeveritare, ka shkelur nenin 89 të Kushtetutës. Është sjellë si opozita e mazhorancës duke vepruar si anëtar partie.

Ka shkelur betimin e bërë mbi Kushtetutë, që është shumë e rëndë. Është betuar se do t'i bindet Kushtetutës por e ka shkelur.

Sjellja e Metës ka qenë aktive përsëritëse, ka dhënë intervista me nismën e tij duke mbajtur qëndrime kundër një force politike, duke u kërkuar zgjedhësve të mos e votojë mazhorancën.

Presidenti ka tejkaluar kompetencat për politiken e jashtme. Ka ndërmarrë sulme kundër diplomatëve të akredituar në Republikës e Shqipërisë. Ka përhapur akuza të rreme, ka thënë se SHBA është e aftë të kryejë krime kundër tij.

Ka ndërhyrë në pavarësinë e gjyqësorit, ka sulmuar prokurorë e gjyqtarë. Kemi parasysh edhe përplasjet te FRD me Bashkinë Tiranë.  Ka ndërhyrë edhe në punët e KQZ-së apo të Policisë së Shtetit. Ka ndërhyrë edhe te Gjykata Kushtetuese.  Fakti se këto organe s'kanë reaguar, kjo nuk do të thotë që Parlamenti duhet të heshtë.

Presidenti ka pasur gjuhë urrejtjeje dhe përçarëse, si përshembull situatat e vetëgjyqësisë. Presidenti ka dhënë model negativ. Ka inspiruar dhunë.

Një vendim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese thotë se çdo zyrtar që shkel Kushtetutën nuk mund të vazhdojë me detyrën e tij.

Nuk ka asnjë praktikë në botë që të të ketë sjelljen e Metës dhe të kosniderohet normale. Në Shqipëri kemi rastin edhe të presidentit Topi që iu shfaq vota haptazi dhe partia e quajti tradhtar e nuk reagoi siç ka bërë Meta.

Metës i është dhënë mundësia për tu mbrojtur ai zgjodhi të mos merrte pjesë. Juristët e Presidentit nuk thanë çfarë do ndryshonte në qoftë se do të kishte më shumë kohë seç i dhamë ne.

Rikonfirmimi nga një kuvend ne tjetrin nuk qëndron. Pasi shteti ka vijueshmëri. Po te ishte kështu as meta s'do ishte president. Pasi është zgjedhur nga një tjetër Parlament. Në vitin 2019 e njohu parlamentin si legjitim, por me të njëjtët deputetë 2 vite më vonë ndryshoi qëndrim. Meta e di mjaft mire se kuvendi s'ka asgjë me të, s'ka luftë. Po ushtrojmë kompetencën tonë.

Përpjekja për të justifikuar sjelljen e tij për shkak të kushteve politike është shkelje. Nuk ka asnjë nen në Kushtetutë që justifikon këto sjellje si Kreu i Shtetit dhe Përfaqësuesi i Unitetit të Kombit.

U përmend zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm por nuk u ankuan asnjëherë në Gjykatë për këtë gjë. Presidenti asnjëherë nuk shkoi në Kushtetuese që të mbrojë dekretet e tija.

U përmendën ndryshimet në Kodin Zgjedhor, por Meta asnjëherë nuk shkoi në Gjykatën Kushtetuese. Justifikimi se nuk ishte funksionale Gjykata Kushtetuese  nuk qëndron pasi në atë kohë ka bërë kërkesë për teatrin. Ai nuk ka pasur si qëllim mbrojtjen e Kushtetutës.

Askush nuk mund të shpikë demokracinë, por ka detyrimin që të respektojë Kushtetutën. Duhet ndëshkuar kultura e pandëshkueshmërisë

Është dhënë këtu si argument sjellja e Presidentit rumun, ndërkohë që janë jo të duhura pasi në Rumani protestën e organizoi populli, ndërsa këtu te ne vetë Meta.

E vërteta është se kjo sjellje diskrediton figurën e zyrtarit të lartë. Presidenca nuk i është përgjigjur pyetjeve tona. E mbyll duke rikthesuar se ky duhet të jetë proces për vendosje standardi. Që jep goditje kushtetuese ligjore për mosndëshkimi e zyrtarëve publik. Meta të shkarkohet se ka shkelur rëndë kushtetutën. Pasi në të ardhmen mos ketë të tillë precedent .

Ora 12:02
Presidenca: Kuvendi falsifikoi datën dhe përmbajtjen e urdhrit të Ruçit, që të mund të ishte brenda afateve kohore

 

Edhe jashtë seancës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, Presidenca ka kundërshtuar provën e re të sjellë nga Kuvendi për urdhrin e ish-kryetarit të Kuvendit atëherë për mbledhjen e seancës plenare. Presidenca thotë se për të qenë brenda afateve Kuvendit ka falsifikuar datën por edhe përmbajtjen e urdhrit të Ruçit.

"Ne kundërshtuam vërtetësinë e një prove të depozituar së fundmi  nga Kuvendi i Shqipërisë i cili sipas Kuvendit përfshihet edhe urdhri i datës 5.5.2021 i kryetarit të3 Kuvendit që ka të bëjë me thirrjen e seancës plenare të datës 7.5 2021, që do të ngrihej Komisioni Hetimor dhe raporti i Komisionit të Ligjeve. Ne na rezulton një ndërhyrje dhe manipulim prove.

Konkretisht urdhri që i depozitoi si provë Kushtetueses mban datën 5.5.2021, ndërkohë që sipas urdhrit të publikuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë dhe që u pranua edhe nga Kuvendi mban datën 6.5.2021. Edhe ky urdhër është me të njëjtin format, dhe me firmën e kryetarit të Kuvendit.

Ka ndërhyrje edhe në përmbajtje të rendit të ditës. Pikërisht për këto shkaqe dhe këto ndërhyrje në prova është kërkuar nga ana e jonë që gjykata të shqyrtojë vërtetësinë e kësaj prove pasi ka ndërhyrje me qëllim që të rrëzohen pretendimet e Presidentit të Republikës.

Seanca plenare është caktuar në vetëm 24 orë ndërkohë që duhen 48 orë, vetëm e vetëm që të arrihej në ngritjen e një komisioni që nuk mund të funksiononte në zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës", tha Dervishaj.

Ora 11:27
Debati në Kushtetuese, Presidenca: Meta u thirr në Komision Hetimor me urdhër! Kuvendi: Presidenti refuzoi, na quajti ilegjitim

 

Në seancën e sotme në Kushtetuese Presidenca  tha se Kuvendi nuk respektoi procedurat për të thirrur Metën në komision hetimore. Sipas Presidencës ky kuvend përdor standard dyfish pas në vitijn 2019 Komisioni për shkarkimin e Presidentit e njoftonte Metën për orën dhe datën,.

Përfaqësuesja e Kuvendit, Klotilda Bushka i është përgjigjur se e njëjta procedurë është përdorur edhe në vitin 2019, edhe në vitin 2021 por sipas saj ka një diferencë, dhe kjo diferencë është fakti se në  herën e parë Presidenti pranoi të marrë pjesë, të dytën e refuzoi Kuvendin duke e quajtur atë ilegjitim.

Ora 11:07
Debati në Kushtetuese/ Presidenca: Përgjigjet i kemi sjellë me shkrim! Tusha: Duhen lexuar, ju i konsideroni të përmbyllur këtë proces?

Në Gjykatën Kushtetuese, presidenca refuzoi t'i lejojë 72 përgjigjet e 72 pyetjeve që i ka bërë Gjykata Kushtetuese, duke thënë se përgjigjet janë me shkrim.

 “Jemi në seancën e tretë te kësaj çështje. Presidenca parashtroi përgjigjet e saj. Edhe Kuvendi i dorëzoi me shkrim. Nuk u përgjigj brenda 2 orësh. Se ishte në pamundësi. Përgjigjet ne i kemi hartuar me shkrim. I depozitoj para gjykatës përgjigjet me shkrim të presidentit.

Vitore Tusha i ka kërkuar Dervishajt të përgjigjet për pyetjet dhe jo të bëjë komente.

"Ju kemi ftuar për të dhënë përgjigje. Ju duhet të përgjigjeni para seancës. Deri tani kemi dëgjuar analizën për disa prova dhe komentin për to. Është seancë publike duam të  dëgjojmë", tha ajo.

"Unë kam dorëzuar  përgjigjet me shkrim. Përmbledhtazi për disa u përgjigja"

" Ju zgjidhi të mos përgjigjeni për pyetjet. Atëherë kush do i bëje rolin e kthimit të përgjigjeve. Është në të drejtën tuaj të zgjidhni si do të komunikoni. Ju mendoni se etapa e përgjigjeve është ezauruar?", ka thënë Tusha.

 

Ora 10:58
Këshilltari i Metës në Kushtetuese: Kuvendi ka ndërhyrë në prova! Kuvendi: Presidenca bën ngatërresë të qëllimshme

1644227958_gjykatakushtetueseilirmeta770x434.jpg

Në seancën e sotme në Gjykatën Kushtetuese, kryetarja e Gjykatës Vitore Tusha bëri me dije se “Kuvendi na vuri në dispozicion përgjigjet e pyetjeve. Dokumentet e Kuvendit u janë shpërndarë anëtarëve të trupit gjykues dhe një kopje e tyre i është dërguar Presidentit”, ndërsa këshilltari i Presidentit, Bledar Dervishaj, ka shprehur shqetësimin në lidhje me provat e Kuvendit, të cilat sipas tij, u sollën me urgjencë.

"Duke u ndalur tek disa prova të reja që kanë ardhur nga Kuvendi dhe presidenti. Dua të anatemoj vërtetësinë e provës nga Kuvendi, ka ardhur te premten me urgjencë, ndërkohë që punonim mbi pyetjet. Bëhet për të hedhur poshtë pretendimet e presidentit. Kjo është urgjenca, ne e kuptojmë. Por Kuvendi s’mund të ndërhyjë te prova, te vërtetësia e saj. Me datë 4 shkurt Gjykata na dërgoi një shkrese të Kuvendit. Që prej datës 1 korrik I jemi referuar nr të kryetarit 06.05.2021 dhe jo 05.05.2021 siç e përcjell Kuvendi. Është në format me nënshkrimin e kryetarit. Nuk mund të caktohej data 7 për mbledhjen e Kuvendit, sepse raporti nuk ishte formësuar. Nëse do të krahasojmë pikën 20 të urdhrit të kryetarit, me pikën 20 të rendit të ditës, edhe titulli ndryshon. Kjo vë në dyshim të fortë vërtetësinë e provave të sjellë. Gabimi më trashanik është urgjenca sesi është sjellë kjo provë e Kuvendit, e cila nuk është  e vërtetë, por ka si qëllim të hedhë poshtë atë çka pretendon presidenti”, tha këshilltari i Metës.

Ndërkohë që përfaqësuesja e Kuvendit, Klotilda Bushka, ktheu përgjigje duke thënë se Presidenca e ngatërron në mënyre të qëllimshme.

Ora 10:37
Presidenti mbi palët? Këshilltari i Metës: Rol që e ka luajtur gjatë gjithë mandatit! Rama e ka sulmuar! Bushka: Kryeministri është politik, gjykohet nga publiku

1621337711_autoBledarDervishaj21560440051.jpeg

I pyetur nëse Presidenti e ka respektuar rolin e tij për të qenë mbi palët, këshilltari i Metës, Bledar Dervishaj tha në Kushtetuese se gjatë gjithë mandatit Presidenti e ka luajtur këtë rol. Por sipas tij Meta është sulmuar shpesh ndaj Edi Rama, dhe për këtë dorëzoi një video.

"Përgjatë gjithë legjislaturës e kemi respektuar këtë. Për të krijuar një klimë bashkëpunuese bëmë edhe dy mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Realizuam një platformë bashkëpunimi, dorëzuar Rama përmes ambasadores së SHBA, edhe liderit të opozitës Basha iu dorëzua por askush prej palëve nuk shfaqën asnjë angazhim", tha Dervishaj.

Ndërkohë që përfaqësuesja e Kuvendit, në lidhje me filmimet nga fjalimet e Ramës, tha se Kryeministri është përfaqësues politik ndërsa presidentit nuk i tolerohen të tilla sjellje.

"Ai është subjekt politik. Në zgjedhje ai përdor strategjinë të tij, qofshin të drejta apo të padrejta. Këto i vlerëson publiku. Nuk është në rolin e Presidentit të sillet si përfaqësuesit e partive politike"

Ora 10:14
Seanca në Kushtetuese për shkarkimin e Metës, Dervishaj kërkon laptop në seancë: Për të shfaqur faktet

1643697501_16176962231608831432ILIRMETAGJYAKATAKUSHTETUESE1.jpg

Seanca e sotme në Gjykatën Kushtetuese ka nisur me një kërkesë specifike nga ana e Presidencës. Ato kanë kërkuar një laptop.

Vitore Tusha: Me 4 shkurt parlamenti na solli me shkrim përgjigjet. Kuvendi ka sjell edhe shkesat për ngritjen e Komisionit hetimor dhe seancës për shkarkimin e presidentit Juristi i presidentit kërkon të fus në seancë një laptop

Bledar Dervishaj: Është laptopi i punës për të shfaqur fakte që lidhen me përgjigjet ndaj Kuvendit

Vitore Tusha: Gjykata ka mjetet dhe ua vëmë ne në dispozicion

Ora 09:59
Juristët e Metës të përpiktë, me çantën me dokumentet për mbrojtjen, mbërrijnë në Gjykatën Kushtetuese

 

 

Juristët e Ilir Metës kanë qenë të përpiktë. Ato kanë mbërritur në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, 3 minuta përpara se të nisë seanca, teksa në duar mbajnë çantën me dokumentet, ku është edhe përgjigja e Ilir Metës për 72 pyetjet e gjykatësve.

 

Ora 09:55
Sot seanca në 'Kushtetuese' për shkarkimin e tij, Meta i qetë, poston foton nga liqeni

Sot është seanca për shkarkimin e tij në Gjykatën kushtetuese, por presidenti Ilir Meta duket se nuk e shqetëson aspak kjo gjë. Ai ka publikuar një foto buzë liqenit teksa bashkangjitur saj shkruan: Të dashur miq ju uroj një javë të mbarë!

B.K./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Begu: 08/02/2022 12:00

    Presidentin vetem kur zgjodhet nga populli,Kur merr besimin valid te sovranit,Jo me keshtu, me trgeti partish, qe as enderr popullit nuk do shihte qe, nje Metë,apo nje Salih, duke u zgerdhire para sovranit, merr zyren e Presidentit te shtetit dhe tallet gjithe mandatin me sovranin.Kjo duhet te merr fund njehere e pergjithmone.Kjo nuk eshte as demokratike e as kombetare.

    Përgjigju
  • KASAP DERDIMEN Rexhep Bule Leka [ kepi ]: 07/02/2022 14:57

    O Ilir Meta po të mblidhet dhe ty litari e prit se ske pa asgjë akoma. Kjo që po të ndodh ty shkarkimi s'është asgjë para byzylykvw që do të vihen o Like floriri. Zoti vonon por kur nuk haron. Tē fala nga Profesor Doktor Kasap Rexhep Bule Leka [ kepi ] kok lopa.

    Përgjigju
  • Kistra: 07/02/2022 10:58

    Harrojeni shkarkimin e Likes, pasi ka punuar per kete dite. GJK eshte konfiguruar ne menyre te tille qe cfardo te beje, ai te mbijetoj. Asnje priteshmeri.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim