Përdorimi i kafazeve në sallat e gjyqit cenon prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat e të pandehurit,. Ky ishte qëndrimi i ish-prokurorit Eugen Beci dhe ish deputetit Enkelejd Alibeaj në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report TV, një ditë pas seancës së parë të gjyqit kundër Ilir Metës i marrë i pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, lidhur me aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. 

Eugen Beci argumentoi se në legjislacionin shqiptar nuk ekziston një parashikim për vendosjen e të pandehurve në kafaz gjatë seancave gjyqësore. Përkundrazi, sipas tij, Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale garantojnë tre parime themelore: prezumimin e pafajësisë, mbrojtjen efektive dhe besimin tek drejtësia.

Ai thekson se vendosja e një personi në kafaz, qoftë hekuri apo xhami, cenon drejtpërdrejt prezumimin e pafajësisë, pasi nuk është thjesht një masë sigurie, por jep një sinjal të qartë fajësie dhe dënimi. Sipas Becit, përdorimi i kafazeve duhet të jetë i kufizuar vetëm në raste shumë të rrezikshme, ndërsa çdo devijim nga këto standarde mund të ndikojë edhe në vlefshmërinë e procesit gjyqësor.

“Fakti që në procedurën e zhvillimit të proceseve gjyqësore që rregullohet nga Kodi i Procedurës Penale nuk ka një parashikim të tillë, përkundrazi fryma e Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale garanton tre parime kryesore: presumimin e pafajësisë, mbrojtjen efektive dhe besimin tek drejtësia. Në rast se ti vendos kafaz për të mbajtur persona të paraburgosur, qoftë hekuri apo xhami, ke cënuar në mënyrë të drejtë parimin e presumimit të pafajësise, nuk është thjesht një masë sigurie kafazi por është një sinjal për fajësinë dhe dënimin. Kufizon në mënyrë të drejtpërdrejtë mbrojtjen efektive. Nuk ka kontaktin që duhet të ketë i pandehuri me mbrojtësin e tij. Mbi të gjitha, krijon një perceptim të rëndë fajësie për publikun kur sheh dikë prapa kafazit. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut është e qartë. Që nga viti 2014 ka pasur 3 raste, 2 raste të Rusisë dhe 1 i Armenisë,  ku është shprehur se mbajtja e të pandehurit në kafaz...është cënim i nenit 3 dhe nenit 6 të Konventës Europiane të të drejtave të njeriut që kanë të bëjnë me procesin e rregullt ligjor dhe dinjitetin e të gjykuarit.I pandehuri duhet të jetë i pakufizuar nga liria e tij në sallën e gjyqit..kafazi ka nisur të shfaqet në Gjykatën për Krime të rënda që përdorej për të pandehur shumë të rrezikshëm. Kafazi prëdoret vetëm në raste shumë të vështira dhe të rrezikshme” tha Eugen Beci, duke argumentuar se nëse seanca s’bëhet publike, ka arsye për pavlefshmëri

Duke komentuar kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ish-presidentit Ilir Meta për seanca publike, Enkelejd Alibeaj argumentoi kundër spektakleve në sallën e gjyqit.

Sipas tij, seancat gjyqësore duhet të jenë publike, ashtu siç e përcaktojnë ligji, Kushtetuta dhe Konventa Europiane, por thekson se kjo nuk është e njëjta gjë me transmetimin e tyre live në televizion. Sipas tij, një gjykatë nuk mund të jetë e qetë nëse procesi zhvillohet nën presionin e kamerave dhe të opinionit publik.

Ai ishte kundwr transmetimi live sidomos kur bëhet fjalë për figura politike sepse sipas tij, ekziston rreziku që gjyqi të marrë natyrë politike dhe të humbasë fokusin te ligji.

Alibeaj gjithashtu pranoi se transparenca është e rëndësishme dhe se një publik i mirëinformuar mund të ushtrojë presion pozitiv ndaj drejtësisë

“Koncepti i seancës publike nuk mund të barazohet me atë mediatike. Unë jam dakord që seancat duhet të jenë publike sic e përcakton Kodi i Procedurës Penale, Kushtetuta dhe Konventa Europiane. Një gjykatë nuk do të jetë kurrë e qetë nëse gjyqi bëhet live në TV. Kanë një presion sepse publiku i politizuar do ndahet. Ata që e urrejnë personazhin do fërkojnë barkun dhe procesi gjyqësor do bëhet jakobinist. Ata që janë pro personazhit politik që kërkon të bëjë një spektakël politik në sallën e gjyqit do të krijojnë një presion tjetër ndaj gjykatës. Do bëjmë gjyq me ligje, gjyq të drejtë apo gjyq të natyrës politike. Per disa nga personazhet politike, çeshtjet politizohen në ekstrem ende pa filluar procesi. Një publik i mirëinformuar ushtron presion pozitiv ndaj gjykatës, ndaj transparenca është e rëndësishme. Një manipulim apo aftësi e publikut në kurriz të gjykatës do të ishte e patolerueshme edhe nga vetë kushtetuta. A mbani mend vendimin e gjykatës kushtetuese, argumentat e palëve të tjera, apo fjalët e Veliajt. Ai ka thënë diçka të bukur për fatin e vet kur tha që ka 9 muaj që pret për 9 minuta shpjegim. Është gjykata ajo që do të vendosë se deri në çmasë transparenca i shërben interesit publik pa toleruar që interesi publik të monitorohet nga faktori politik" tha Alibeaj.