Eurostat vlerëson se statistikat shqiptare për bilancin e pagesave dhe investimet e huaja kanë një shkallë të lartë përputhshmërie me standardet evropiane. Vlerësimi u bë nga drejtoresha e Përgjithshme e Eurostat-it, Mariana Kotzeva, gjatë një takimi këtë të mërkurë me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Në qendër të bisedës ishin përgatitjet e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Sistemit Statistikor Evropian, në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.
Sejko vlerësoi ndihmën që Eurostat i ka dhënë ndër vite Bankës së Shqipërisë për përafrimin e statistikave monetare dhe financiare me standardet evropiane. Përmbushja e kërkesave statistikore të Bankës Qendrore Evropiane është gjithashtu pjesë e përgatitjeve të Bankës së Shqipërisë për anëtarësimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore, tha ai.
Në takimin me Kotzevën morën pjesë edhe drejtoresha e INSTAT-it, Lantona Sado, dhe zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj.
Lajmi kryesor:
Drejtoresha e Eurostat për herë të parë në Shqipëri, Koçiu: Po punojmë për një sistem statistikor sipas standardeve të BE-së









