Viti zgjedhor 2017, bart me vete rrezikun e rënies së eficiencës së administratës tatimore për mbledhjen e taksave. Alarmi është dhënë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë punimeve të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë.

Ai tha se për të amortizuar këtë rrezik është parashikuar në buxhet kontigjence, ndërkohë që kërkoi nga Qeveria ndarje dhe përdorim më racional të fondeve të investimeve.

"Duke përjashtuar efektet e mundshme të vitit elektoral, të cilët shpesh dhe fatkeqësisht materializohen në rënie të eficencës së administratës tatimore. Banka e Shqipërisë  vlerëson se niveli i parashikuar i të ardhurave publike është i realizueshëm. -deklaroi Guvernatori Sejko.

Deputetët Ridvan Bode dhe Aanastas Angjeli kërkuan nga Banka e Shqipërisë më shumë kujdes ndaj rrezikut që vjen nga forcimi i euros në të ardhmen, gjë që do të rriste ndjeshëm normat e interesit të borxhit publik.

"Çndodh nesër kur ekonomia të fillojë të kthehet në parametra normalë zhvillimi. kur interesi i euros do fillojë të rritet në zonën e euros, rritja e normave të interesit, çdo ndodhë me vendin tonë. " - u shpreh Bode.

Deputeti i Partisë Demokratike, Florian Mima kërkoi informacion nga Banka e Shqipërisë mbi zhvleftësimin e euros. Sipas Mimës, rol në këtë drejtim ka sjellë shtimi i valutës në treg për shkak të trafikut të kanabisit.

(er.nu/shqiptarja.com)