Sejmen Gjokoli:Ja si ka kënduar
Dritëro Agolli 17 vjet më parë

Sejmen Gjokoli:Ja si ka kënduar<br />Dritëro Agolli 17 vjet më parë
TIRANE- 82-vjetori i lindjes së shkrimtarit të madh Dritëro Agolli nuk ka kaluar pa u përshëndetur as në faqet e facebook-ut. Aq më tepër që ky përvjetor ka përkuar me marrjen e çmimit Carlo Levi. Miku i tij i vjetër, Sejmen Gjokoli, këngëtar i polifonisë dhe autor librash kujton mbresat që ka me shkrimtarin, 17 vjet më parë kur festohej 65-vjetori i lindjes:
“Për Dritëroin, ca fjalë... 

Kam plot një javë që një farë shiatiku që i thonë rëndom ma pamundësoi, jo vetëm daljen, por edhe kontaktin me Facebook, këtë “mik” që hera – herës themi ndonjë fjalë e nxjerrim dhe mall... 
Po sot, duke ndjekur edicionet e lajmeve, mësova se ishte edhe ditëlindja e Dritëroit, këtij burri të madh jo vetëm të letrave shqipe por edhe të mendimit kombëtar. 
Jam i sigurt se shumë ndër ne mund të flasin e tregojnë për të si njeri, poet, shkrimtar, dramaturg e ku di unë por mua mu kujtua një vizitë në shtëpinë e tij me Bardin e këngës e fjalës së Bregut, mikun e Tij Lefter Çipa. 

Ishte viti 1995 kur me Lefterin kishim organizuar Grupin folklorik “ Bilbili” e më duhej të botoja një album me lustër në shqip e anglisht. Dritëroi ,kur u njoh me qëllimin e grupit, trevat nga vinin këngëtarët , por edhe me disa nga emrat e tyre që i kishte dëgjuar , aty në tavolinë, pranë gotës së verës me ca kokrra ullinj përpara, shkroi një kushtim të jashtëzakonshëm...Jo thjesht për një grup folklorik por një himn apo monument për polifoninë labe. 

Një vit më pas, bashkë me 65-vjetorin e lindjes, po atë ditë do të përuronte edhe botimin e Tij të veçantë “ Shpirti i Gjyshërve“, një libër shumë interesant me këngë e vargje të kënduara nga Dritëroi në dasma, davete e muhabete. Këngë të popullit, por të lëmuara nga vet Poeti. 
Isha i ftuar nga Dritëroi me grupin tim “Bilbili” që , siç thashë, Dritëroi i pat dhënë bekimin. 

Kënduam disa këngë të librit, aty në një nga sallat e Pallatit të Madh të Kulturës, në Tiranë, pa mikrofona, pa artopalante, thjesht si në një oda devolliçe apo labërishte. 
Dritëroi përballë, shumë afër grupit, shkonte këngën nëpër buzë, si të ishte me ta. 
Dhe sot më tingëllojnë në vesh e zemër ato fjalë e ato këngë : 

O Gjirokastra me vulë 
Ç’e bëre Shemo hajdunë 
Lart në Grebene ç’e zunë 
Prerë këmbë e prerë gjunjë 
Brenda në Janinë ç’e shpunë 
Në Kala e në bodrumë... 

Kjo më kujtohet që ishte një nga këngët e kënduara por ato ishin të gjitha xhevahire të kaluara në dorë “ustai“... 
Gjej rastin të falënderoj publikisht nga zemra, i dashur Dritëro : Për dashurinë dhe kënaqësinë që na ke falë, për gjithçka që na ke dhënë e krijuar përmes vargjeve e poezive e Tua magjike... 
Të paçim sa drita, Dritëro!”
 
Shkrimi u publikua sot (15.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë