Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi sot një takim me ministrin e Jashtëm italian Antonio Tajani në Romë, ndërsa më pas u prit edhe nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni në Palazzo Chigi

Gjatë takimit, Meloni e mirëpriti Rubion me një shtrëngim duarsh dhe një përshëndetje miqësore, përpara se të pozonin për një fotografi zyrtare përpara nisjes së bisedimeve

Vizita e Rubios në Romë përfshiu edhe takime të tjera të nivelit të lartë.

Më herët, takimi me Tajanin u mbajt në Farnesina dhe në fokus ishin tensionet në Lindjen e Mesme, lufta me Iranin, situata në Ngushticën e Hormuzit, armëpushimi mes Libanit dhe Izraelit, si edhe lufta në Ukrainë. Palët diskutuan gjithashtu për marrëdhëniet mes Bashkimit Europian dhe SHBA-së, përfshirë çështjen e mineraleve kritike.

Pas bisedimeve, Tajani e cilësoi takimin “pozitiv” dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve mes Romës dhe Uashingtonit.

“Italia dhe Shtetet e Bashkuara janë të lidhura nga një marrëdhënie e pandashme”, shkroi ai në rrjetin social X, duke shtuar se Italia mbështet diplomacinë si rruga e vetme për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Tajani deklaroi gjithashtu se Italia është e gatshme të kontribuojë në një iniciativë detare shumëpalëshe në Hormuz për të garantuar lirinë e lundrimit. Vizita e Rubios në Itali vjen një ditë pas takimeve që ai zhvilloi në Vatikan me Papa Leonin dhe sekretarin e Selisë së Shenjtë, Pietro Parolin.

Gjatë qëndrimit në Romë, Rubio mori edhe dokumente që dëshmojnë origjinën piemontese të familjes së tij. Ai deklaroi me humor se e kupton italishten falë ngjashmërisë me spanjishten dhe premtoi se herën tjetër do të flasë italisht.

Lajmi në përditësim...