‘Sekretin e mësova nga pastruesja e spitalit, njërin nga djemtë ma birësuan’/ Lindi binjakët, spitali i fshehu të vërtetën nënës nga Korça (VIDEO)

Në vitin 1977 në maternitetin e Korçës u lindën binjakët Mariglen dhe Robert Bashllari, por vetëm njëri prej tyre pati fatin të rritej në gjirin e familjes. Në një lidhje skype nga Stambolli në emisonin ’Pa Gjurmë’ në Report TV, nëna 71-vjecare Nexhmie Bashllari është në kërkim të binjakut tjetër Mariglenit, fati i të cilit nuk u mësua kurrë. Dy djemtë të lindur prematurë u shtruan në pediatrinë e Korcës ku qëndruan për afro 3 muaj, kohë në të cilën nëna pëson dramën e jetës. Në një nga ditët, kur nëna do të ushqente fëmijët, nga personeli spitalit i komunikohet lajmi i hidhur, se një nga binjakët, kishte ndërruar jetë.

Atë ditë kalova 3 orë nga shtëpia e prindërve, në fshatin Maliq. U ktheva në spital dhe kisha vendosur që Mariglenin ta çoja në shtëpi, pasi kishte arritur peshën e duhur. Atë natë qëndrova pranë fëmijëve duke i vëzhguar dhe përkëdhelur. Ishte ora 3 e mëngjesit, doktoresha ishte roje operative. Unë po përgatisja qumështin për fëmijët, kur drejtoresha më komunikoi lajmin e hidhur. Mu afrua dhe më tha: Mos përgatit kaq shumë qumësht, nuk do të duhet më, sepse njëri prej binjakëve sapo ndërroi jetë. Në orën 4 të mëngjesit shkova te recepsioni i spitalit. Roje ishte Sekretari i Partisë të asaj zone dhe i kërkova që të lajmëronte Tahirin, burrin tim. Shkojmë në mëngjes për të marr djalin, por nuk na e dhanë. Thanë se fëmijët që vdesin nga prematura i vendosin në varre të veçanta. Një varr që unë nuk e gjeta kurrë. Në atë moment largohem për te shtëpia e prindërve në Maliq. Kjo ishte historia e një vdekje te sajuar”, shpreh Nexhmija.

Nexhmie Bashllari ne kerkim te njerit nga binjaket qe lindi ne vitin 1977

Familja Bashllari nuk e ka pranuar kurrë vdekjen e Mariglenit, duke besuar se ai ka gëzuar shëndet të plotë dhe se pas gjithë kësaj historie fshihet ish-drejtoresha e maternitetit të Korcës, për të cilën dyshojnë se birësoi njërin nga binjakët, pikërisht Mariglenin që nëna kërkon prej 44 vitesh.

Doktoresha e spitalit na vizitonte shpesh, i rrinte djalit te koka në spital nga mëngjesi deri në darkë. Në atë kohë kanë vdekur dhe dy vajza të vogla, prandaj ekziston mundësia që djalin tim ta kenë dhënë te kjo familje, ose e ka birësuar vetë Natasha, ish-drejtoresha. Ishte shumë e madhe në moshë dhe nuk bënte dot fëmijë. Ka qenë një lufte e vërtetë për ne.

Nexhmija punonte ekonomiste në qytetin e Korcës, por dhembja për të birin nuk e mbajti gjatë në atë qytet, kur në vitin 1997 bashkë me familjen emigroi në Turqi. Pengu për djalin, humbjen e të cilit nuk e pranoi kurrë, zgjoi tek nëna nisjen e kërkimeve. Ajo rrëfen se si zbuloi në vitin 2008 të vërtetën tronditëse, nga dëshmia e një zonje.

Në 98-ën nisa një biznes në Bullgari, më pas në Turqi. Kur kthehem, rastësisht në Korçë takova pastruesen e pediatrisë. Ajo e kishte emrin Bale. Më tha: “sa mirë që të gjeta, se po të vdisja nuk do më dilte shpirti nga meraku. Djalin e ke gjallë. Kërkoje! Vetëm kaq mund të them, jo më tepër, se jam betuar”, tha ajo. Dëshmia tronditi gjithë qënien e saj, duke bërë që një ditë të kërkojë vetë të dyshuaren kryesore të ngjarjes, pikërisht drejtoreshën e këtij institucioni.

Kur 71-vjeçarja mëson se gruaja ka një djalë në moshën e Robertit, vëllait binjak të mariglenit vendos t’i shkojë deri në fund dyshimeve të saj. Drejtoreshën nuk e takoi kurrë, por kërkoi të birin të cilin e gjen në lokalin poshtë shtëpisë së tyre. Nexhmija përjetoi emocione të jashtëzakonshme kur u përball, por nuk gjeti guximin t’i flasë.

Për aq kohë sa qëndrova në Korçë, tentova për të takuar drejtoreshën, por nuk më doli. Më pas, zbulova se ka një djalë në moshën e Robertit. U çudita. Shkova te lokali i shtëpisë së tyre dhe gjeta 3 djem. Njëri ngjante shumë me Robertin. Aty kam qarë dhe jam larguar”, theksoi Nexhmija.

Në studion e emisionit ’Pa Gjurmë’ ishte edhe Silvana, bashkëshortja e Robertit, e cila mbështet kërkimet e vjehrrës për gjetjen e të birit, Mariglenit, i cili është edhe kunatit i saj.

VIDEO/Emisioni i plotë 'Pa Gjurmë'

O.D./b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    7 dite para zgjedhjeve, a ju janë ofruar para ose favore në këmbim të votës?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

’Pa Gjurmë’/ Zhdukja e Bleona Matës reagon nëna e Begzim Isës: Vajzën nuk e rrëmbeu im bir, por gjejeni…