Sekuestrohen 19 pasaporta, 23 karta identiteti dhe 23 leje drejtimi të personave të ndryshëm në Lezhë, të cilat dyshohet se janë të falaifikuara.
Ndërkaq janë arrestuar edhe 2 persona, Lavdrim Syla, 27 vjeç dhe Ruzhdi Hoxha, 39 vjeç, banues në Kukës, mbi të cilët rëndon akuza falsifikimit.
Sipas policisë 2 të arrestuarit merreshin me veprimtarinë e paligjshme të falsifikimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave.
Ndërkaq në kuadër të operacionit të koduar "Falsifikatori" është sekuestruar dhe një makinë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Falsifikatori”.
Operacioni nga Seksioni i Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me forcën e posaçme "Shqiponjat".
Në pranga 2 shtetas, për falsifikim letërnjoftimesh. Sekuestrohen 1 automjet, 19 pasaporta, 23 karta identiteti dhe 23 leje drejtimi të shteteve të ndryshme.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar pranë DVP Lezhë, në bashkëpunim me forcën e posaçme "Shqiponjat", në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se 2 shtetas që merreshin me veprimtarinë e paligjshme të falsifikimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave po lëviznin me mjet nga Kukësi në drejtim të Tiranës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar "Falsifikatori", si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– L. S., 27 vjeç dhe R. H., 39 vjeç, banues në Kukës.
Në hyrje të qytetit të Rrëshenit, shërbimet e Policisë së DVP Lezhë kanë evidentuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë ndalimin e tij.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Ford Mustang” me drejtues shtetasin R. H. dhe pasagjer shtetasin L. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 23 karta identiteti, 19 pasaporta dhe 23 leje drejtimi të shteteve të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara.
Në vijim të veprimeve, nga shërbimet e Policisë Kukës është ushtruar kontroll në banesën e këtyre shtetasve, ku përsëri janë gjetur letërnjoftime të tilla.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti “Ford Mustang”, pasaportat, kartat e identitetit dhe lejet e drejtimit të falsifikuara.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet hetimore janë referuar për veprime të mëtejshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale "Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave" dhe “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve".