Policia e Maqedonisë së Veriut ka sekuestruar rreth 30 ton kanabis, në atë që autoritetet e cilësojnë si sekuestrimin më të madh të këtij lloji në historinë e vendit, njoftoi të premten televizioni shtetëror MRT.

Aksioni policor u zhvillua në ish-kompleksin industrial “Ohis” në Shkup dhe në një ambient tjetër industrial në qytetin jugor të Strumicës. Operacioni, i cili nisi të enjten, kishte në shënjestër kanabis të kultivuar për qëllime mjekësore, por që sipas autoriteteve nuk ishte i destinuar për përdorimin e autorizuar ligjërisht.

Sipas MRT-së, ky aksion lidhet edhe me një operacion të fundit në Serbi, ku policia sekuestroi pesë tonë kanabis. Prokurorët serbë deklaruan se droga e gjetur në një fermë në Serbinë qendrore kishte origjinë nga Maqedonia e Veriut. Prodhimi i kanabisit mbetet i paligjshëm në Serbi por Maqedonia e Veriut e ka legalizuar kultivimin e tij për përdorim mjekësor që nga viti 2016. Megjithatë autoritetet kanë paralajmëruar vazhdimisht për abuzime me licencat në këtë sektor.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për arrestime ndërsa hetimet janë në vazhdim.