Dy pasuri pasuri me vlerë 200 mijë euro, në pronësi të shtetasve Pajtim Braçaj dhe Gjino (Shkëlqim) LLeshaj, janë sekuestruar në kuadër të operacionit të koduar “Burimi”.

Për këtë operacion, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e një apartementi në Selitë dhe një garazh në Selitë të Vogël.

63-vjeçari Braçaj është dënuar në Shqipëri për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa 44-vjeçari LLeshaj është i dënuar në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike.

Njoftimi

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Burimi”.

Sekuestrohen pasuri me vlerë 200 000 euro, në pronësi të 2 shtetasve të dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.

Në vijim të hetimeve intensive, të kryera nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Prokuroria e Tiranës, me objektiv gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive/pronave, produkte të veprimtarive kriminale brenda dhe jashtë vendit, u finalizua operacioni i koduar “Burimi”.

Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për vënien e sekuestros preventive mbi 1 apartament në Selitë dhe 1 garazh në Selitë të Vogël, me vlerë totale rreth 200 000 euro, në pronësi përkatësisht të shtetasit P. B., 63 vjeç, i dënuar në Shqipëri për trafikim të lëndëve narkotike, dhe të shtetasit Gj. Ll. alias Sh. Ll., 44 vjeç i dënuar në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike.

Hetimi për gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të tjera, me burime kriminale, në pronësi të këtyre shtetasve dhe shtetasve të lidhur me ta, vijon.

Pajtim Braçaj ishte një nga 7 personat e arrestuar pas zbulimit të laboratorit të drogës më 17 tetor 2015 në zonën e ish-Kënetës në Durrës dhe sekuestrimit të 700 kg kanabis. Braçaj dyshohej se transportonte drogë nga Kruja deri tek laboratori në Durrës.

Policia e Durrësit zbuloi laboratorin në një aksion të përbashkët me Policinë e Tiranës, Shkodrës dhe ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda në kuadër të operacionit policor të koduar "Koordinata". Vlera e kanabisit mund të kapte vlerën e 1 milione eurove.