Tirana humbi 0-2 kundër Besiktas në Conference League, me nënkampionët e Shqipërisë që i thonë lamtumirë Evropës për këtë sezon. Edhe pse me lojë të mirë, bardheblutë nuk mundën t'i bënin ballë gjigantëve turq, që shënuan në momentin më të mirë të Tiranës me Amartey dhe Aboubakar.
Pas ndeshjes, në konferencën për mediet trajneri i Tiranës, Orges Shehi, tha se ekipe të tilla të mundin me gjysmë rasti. Durrsaku ceku se të tijtë janë pretendentë për titullin kampion në Superligë, teksa njoftoi se pas dëmtimit të djeshëm të Selmanit dhe thyerrjes së këmbës, gardiani do mungojë gjatë.
"Nuk mendoj se është ngërç psikologjik se po të përballesh si i barabartë me një kundërshtar të tillë, dhe të jesh ti që kërkon të dominosh e të tentosh të sulmosh kundërshtarë me cilësi. Por në këto ndeshje, këto kundërshtarë të rrahin me gjysmë rasti. Kështu ndodhi edhe sot, me dy gjysma rasti ndodhi dhe sot. Nuk mendoj se është mungesë eksperience, mendoj se është edhe meritë e kundërshtarëve që bëjnë të thjeshta gjërat e vështira. Jam i kënaqur me performancën e çunave, diferencat e mëdha mes dy klubeve t'i bënim sa më të vogla dhe të tentonim të ishim gjithmonë vetvetja", tha fillimisht trajneri.
Shehi më pas tregon edhe dëmtimin e Selmanit, çka e detyroi që të bënte ndërhyrje të detyruar duke futur Likën në portë.
"Na vjen keq se nga informacionet, Selmani ka frakturë dhe do na mungojë. Kishim bërë zëvendësime të detyrueshme, nuk kishim mundësi të ndryshonim shumë, përveç situatave. Na vjen keq edhe për dëmtimet se kemi humbur lojtarë dhe nuk e di sa kohë do të duhet ti rikuperojmë", vijoi tekniku.
Durrsaku më pas tha se të tijtë janë në garë për titullin kampion edicionin e ri. Nuk mund të mungonte as një koment për formulën e re të Superligës, me play-off që shtohet në fund për katër skuadrat që do luftojnë për titullin kampion.
"Duhet të fokusohemi te vetja, e dimë që do të jetë garë e vështirë. Partizani vazhdon të jetë në garat europiane, është gjithmonë rivale lojë. Shtoj këtu edhe Egnatian, nuk di çfarë bëhet me Dinamon, edhe skuadrat e traditës. Do të jetë një kampionat i vështirë, kjo do të na shërbejë për pikënisje për sezonin që te jemi ne ato që duam, një skuadër dominante.
Formula e re? Me këtë formulë, do të shohim se është për herë të parë, sigurisht që duam të jemi siç na ka hije. Por pastaj të shohim në fund, me këtë mënyrë, duhet të menaxhojmë fundin e kampionatit. Se një dëmtime e penalizim, ato tre finalet ta çojmë gjithë sezonin dëm", tha Orges Shehi.