Brenda pak ditëve do të rinisë tregtimi i mishit, ndërsa sëmundja e gjedhit është vendosur në kontroll dhe beteja është fituar.
 
Kështu deklaroi sot ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti gjatë inspektimit në një fermë në fshatin Hamil në Dermenas të Fierit.
 
“Do të lehtësojmë regjimin e moratoriumit, ndërsa për çështje ditësh do të lejojmë lëvizjen e kafshëve nga ferma në thertore, procesi do fillojë të normalizohet sepse tashmë jemi të sigurt që kafshët janë të mbrojtura nga ky infeksion”u shpreh Panariti.
 
Ministri tha se jugu i vendit është i sigurt dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë rast dermatozës nodulare, ndërsa theksoi se falë ndërhyrjes së shpejtë u arrit që të shmanget një dëm 300 milionë euro.
 
“Në rast se ne nuk do të kishim bllokuar infeksionin nëpërmjet një kordoni preventiv që e bëmë në Shqipërinë veriore, qendrore, infeksioni do të zbriste në jug, do zbriste në Lushnje, në Fier, Vlorë dhe Sarandë.
 
Ne kemi shpëtuar 200 mijë krerë që rrezikoheshin nga kjo dhe dëmi që do t’i shkaktonim ekonomive individuale por edhe ekonomisë kombëtare rrotullohet te 300 mln euro” tha ai.
 
Ndërkohë që vaksinimi vazhdon në njësitë administrative në Libofshe, Dermenas, Levan dhe Cakranit të Fierit.
 
Veriu dhe veçanërisht Hasi ka qenë më i prekur nga sëmundja e gjedhit në vend.


d.b/shqiptarja.com