Ish kryebashkiaku i Dibrës Shukri Xhelili “sëmuret” nga zemra dhe kërkon lirimin nga burgu. 

Kjo kërkesë e Xhelilit u paraqit të premten para gjykatës së krimeve të rënda e cila vendosi të caktoj një grup ekspertësh kardiolog për të verifikuar nëse Xhelili është vërtet sëmurë apo po përdor një truk për të lënë qelinë.

Prej më shumë se 1 javë ish kryebashkiaku i Dibrës qëndron në spitalin e burgut në kryeqytet aty ku sipas burimeve për ReportTv ai kurohet për ishemi në zemër.

Xhelili i shkarkuar nga qeveria pasi u filmua dhe u bë publik një vidoskandal seksual ku ai ishte i përfshirë në këmbimin e një vendi pune me shërbime seksuale nuk ka qenë i pranishëm në seancë por këto pretendime i shfaqi nëpërmjet avokatit duke kërkuar si masë sigurie arrest në shtëpi.

Shukri Xhelili u prangos më 16 Maj, ndërsa prej tre muaj ai mbahet nën masën e sigurisë arrest me burg dhe pritet që brenda muajit shtator prokuroria të përfundoj hetimet për ta dërguar atë në gjyq.

Sëmundja e Zemrës nuk është e panjohur për drejtësinë shqiptare pasi dhe shumë personazhe publike përfshi ish kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika për të mos qëndruar në qeli u shtrua në spital pasi vuante nga zemra.

Pas skandalit dhe shkarkimit të kryebashkiakut Xhelilit, Dibra është në fushatë elektorale për të zgjedhur kryebashkiakun e ri ndërmjet kandidatit të majtë Muharrem Rama dhe atij të opozitës Shrefedin Shehu.
 
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)