Plani i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për të shitur aksionet e Kupës së Botës te privati vazhdon të shkaktojë reagime të forta në botën e futbollit. Pas kritikave të UEFA-s, kundër kësaj nisme është rreshtuar edhe ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter.

Në një prononcim për Reuters, Blatter e kundërshtoi hapur projektin e Infantinos, duke theksuar se futbolli nuk mund të trajtohet si një biznes në funksion të fitimit.

"Futbolli nuk i përket asnjë individi apo institucioni. Ai i përket popullit", deklaroi ish-presidenti i FIFA-s.

Blatter paralajmëroi se shitja e aksioneve të kompeticionit më prestigjioz në botë do ta largonte futbollin nga vlerat e tij tradicionale, duke shtuar se sporti do të "humbte shpirtin e tij" nëse shndërrohet në një biznes të drejtuar nga fitimi.

“Nëse FIFA do të transferohej në një strukturë korporative të orientuar drejt fitimit, ajo do të humbiste shpirtin e saj. Kupa e Botës FIFA nuk është një aset komercial që i përket një grushti drejtuesish. FIFA është kujdestari i Kupës së Botës, jo pronari i saj”, shtoi Blatter, i cili ishte president i FIFA-s për 17 vjet deri në vitin 2015.

Kritikat e ish-zyrtarit zviceran vijnë në një moment kur kundërshtimi ndaj planit të Infantinos po rritet në të gjitha nivelet e futbollit. Blatter ka qenë prej vitesh një nga kritikët më të zëshëm të pasardhësit të tij në krye të FIFA-s, ndërsa më herët kishte bërë thirrje edhe për bojkotimin e Kupës së Botës 2026.

Debati rreth të ardhmes së Kupës së Botës dhe përfshirjes së investitorëve privatë pritet të vazhdojë, pasi propozimi i FIFA-s po has rezistencë të fortë nga figura dhe institucione të rëndësishme të futbollit botëror.


Lajmi kryesor:

'Privatizimi' i Kupës së Botës, Infantino mbron planin me investitorët: Kjo është një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë