Gjatë bisedës nuk munguan edhe tema të tjera , si ajo e refuzimit nga Shqipëria për shkatërrimin e armëve kimike siriane apo dhe për jetën e tij personale si dhe takimin me Ibrahim Rugovën në Itali.
INTERVISTA E PLOTE E AMBASADORIT ETTORE SEQUI:
Erjona Rusi: Këshilli i Ministrave të Jashtëm vendosi dje të shtyjë vendimin e tij për ti dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në qershor 2014. Shumica e shqiptarëve janë zhgënjyer nga ky vendim, duke patur parasysh që kjo është edhe përgjigja e tretë negative për vendin tonë. Po ju çfarë ndjesie keni?
Ettore Sequi: Unë mendoj dhe s’jam i vetmi që e mendon se vendimi i Këshillit dhe gjuha e përdorur duhet konsideruar pozitive. Sepse u morën parasysh zhvillimet në Shqipëri prej një viti. Si konsensusi ndërpartiak që çoi në aprovimin e disa reformave, së dyti zgjedhjet, që u vlerësuan të sukseshme dhe masat kundër krimit dhe korrupsionit. Për herë të parë nuk u dhanë kushte shtesë dhe kjo do të thotë që këshilli pati parasysh progresin e arritur. Këshilli ka caktuar një takim në qershor, duke pasur parasysh që Shqipëria të ndërtojë më tej këtë progres që është arritur. Ajo që duhet të shohim është që mesazhet konstruktive të jenë kuptuar mirë nga aktorët politikë. Kam vlerësuar shumë deklaratën e ministres së Integrimit dje. Ajo që duam të theksojmë është kjo: është çështje kohe, një takim është caktuar në qershor, duhet të shohim edhe ato vlerësime që u dhanë nga 28 shtete anëtare.
Sipas mendimit tuaj, çfarë e shkaktoi këtë shtyrje të vendimit për statusin? Bëhet fjalë për një çështje të brendshme të BE-së apo probleme me të cilat Shqipëria vijon të përballet dhe që nuk bindin disa prej vendeve anëtare?
Ajo që ndoshta na ndihmon për të kuptuar më mirë është që të lexojmë pikërisht atë që kanë thënë në mënyrë unanime 28 shtete anëtare. Të shohim disa pika: Këshilli ka mirëpritur dhe mirëpret veprimet e mëtejshme që janë marrë nga Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ka mirëpritur angazhimin e qeverisë së re dhe vlerëson përpjekjet e intensifikuara që janë bërë dhe inkurajon që të vazhdojë të ecë përpara. Këshilli ka thënë që se KE duhet të japë një raport. Këshilli do marrë një vendim në qershor 2014. 28 shtete në mënyrë unanime theksojnë se duhet një dialog i qëndrueshem, i vazhdueshëm dhe konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës për reformat në BE, që do jetë thelbësor. E theksoj: do të jetë thelbësor. Procesi i integrimit është një sfidë, përpjekje kombëtare e mazhorancës, opozitës, shoqërisë civile dhe qytetarëve, të cilët janë dhe duhet të jenë të përfshirë. Zëri i tyre duhet të dëgjohet. Reformat i shërbejnë qytetarëve. Është shumë e rëndësishme të theksojmë sundimin e ligjit; lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit. Çdo qytetar shqiptar dëshiron të jetojë në një mjedis pa korruspion, pa krim të organizuar, me drejtësi më efikase. Në procesin e negociatave për anëtarësim kapitujt 23 dhe 24 janë të parët që hapen dhe mbyllen për çdo vend, çka tregon se sundimi i ligjit është një sfidë dhe aspekt thelbësor që një vend të bëhet anëtar i BE-së. Të gjithë duan që të kenë një drejtësi më të mirë dhe lufta ndaj korrupsionit është e rëndësishme edhe për zhvillimin e vendit. Shqipëria nuk mund të tërheqë investitorë të huaj nëse ka korrupsion të lartë.
Pra mund të themi që korrupsioni, drejtësia dhe sundimi i ligjit është shqetësim për BE?
Është prioritar.
Ju lexuat një paragraf nga konkluzionet e këshillit dhënë një ditë më parë, ku Këshilli shprehet se do të shqyrtojë vendimin në qershor në bazë të një raporti të ri që do të paraqesë Komisioni. Përse nevojitet një tjetër raport nga Komisioni Europian, kur ai e ka thënë fjalën e tij në tetor që Shqipëria i ka përmbushur detyrimet e saj dhe meriton të marrë statusin e vendit kandidat, çka u përsërit edhe nga komisioneri europian i zgjerimit Stefan Fule gjatë konferencës. Pra përse nevojitet një raport i dytë?
Po të lexojmë konkluzionet do të shikojmë që është thënë qartë: Që Shqipëria ka shënuar progres në luftën ndaj korrupsionit. Ajo që u tha dje është se janë marrë parasysh këto zhvillime pozitive dhe ky historik fillestar i proceseve. Këshilli ka thënë se, këto reforma në fushën e sundimit të ligjit duhet të vazhdojnë. E prandaj shtetet anëtare kanë kërkuar më shumë kohë. Ky nuk është një përjashtim për Shqipërinë sepse kështu ka ndodhur edhe me Malin e Zi. Komisionit ju kërkua një raport në periudhë afatmesme. Mbrëmë më ka marrë në telefon një mik i imi dhe i Shqipërisë, Stefano Sanino i cili ka marrë pjesë në Këshillin e shkuar dhe më tha shumë qartë: Që atmosfera në këtë tryezë ishte shumë pozitive dhe të gjithë, pra të gjithë vendet anëtare e kanë njohur progresin e Shqipërisë në këto procese.
Por ama shumë prej tyre nuk ishin të bindur për të dhënë një përgjigje pozitive?
Jo nuk do të thosha shumë prej tyre. Duhet të kuptojmë se cilat janë mekanizmat që vendimi të merret në mënyrë unanime. Brenda 28 shteteve anëtarë duhet të gjenden të përbashkëta. Por një gjë është e përbashkët nga të gjitha vendet: Që njihet dhe vlerësohet puna e Shqipërisë dhe angazhimi që duhet të vijojë progresi i arritur dhe duhet të përforcohet.
Ju thatë që ato e kanë njohur progresin e deritanishëm. Por në konkluzionet e Këshillit, theksohet se vendimi në qershor do të bazohet tek raporti i KE-së ku do të vlerësohet implementimi i vazhdueshëm i strategjisë anti korrupsion dhe asaj në gjyqësor. A do të thotë kjo shtetet anëtare nuk janë të kënaqura me nivelin aktual dhe që Shqipëria nuk ka treguar një historik të mjaftueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit?
Do të theksoja edhe një herë që është marrë parasysh ajo që është arritur deri më tani edhe ai historik që ju thatë. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë një problem në çdo vend dhe kur një vend i afrohet BE-së, ky është një problem që nuk mbyllet për një javë por duhet një angazhim afatgjatë. Ndaj dhe këshilli ka thënë që këto rezultate duhet të vazhdojnë. Është e qartë që ky është një proces që duhet të ndryshojë edhe gjyqësorin, llogaridhënien.
Kështu e lexoni ju mesazhin ...?
Kështu u dha mesazhi dhe ashtu duhet të lexohet.
Të përqendrohemi te korrupsioni. Duhet ta pranojmë që ky është një problem në vendin tone. Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian Nikola Vuljaniç, ndërsa i kërkonte Këshillit Europian ti japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, tha se vendi duhet të tregojë vendosmëri në luftën kundër korrupsionit duke ndjekur shembullin e Kroacisë, duke dënuar një ish ministër, prokuror apo edhe ish kryeministër. Shumë në vend argumentojnë se kjo gjë është e nevojshme sepse pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë që kanë abuzuar me pushtetin është shndërruar në një sistem që rrezikon të kalojë nga një qeveri tek tjetra. Ju bini dakord me këtë?
Ju përmendët në pyetjen tuaj z.Vuljaniç. Ne nuk komentojmë për komentet që ka bërë raportuesi i PE për Shqipërinë, apo për mënyrën se si media e ka komentuar. Mesazhi është ky: Shqipëria duhet të fuqizojë luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Korrupsioni duhet të parandalohet. Të shikojmë këtë historik të dënimeve proaktive dhe që sistemi i imuniteteve nuk ndihmon një angazhim në rënie apo një përkushtim që është i pamjaftueshëm përsa i përket hetimeve nga gjykatës që mund të jenë të korruptuar. Të fuqizohet bashkëpunimi mes organaneve që duhet të bashkëpunojnë për luftën ndaj korrupsionit. Ne e kemi mirëpritur një marrëveshje mes Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë dhe SHISH-it dhe ky është shembull se si mund të ketë një rezultat të mirë ndaj korrupsionit. Duhet kuptuar se lufta ndaj këtij fenomeni është i rëndësishëm.Ndërgjegjësimi i qytetarëve në këtë aspekt është shumë i rëndësishëm pasi duhet të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se sa i rrezikshmë është korrusioni. Ky fenomen mund të ndikojë në aktivitetin ekonomik të vendit, prandaj është një çështje e rëndësishme. Ne besojmë se Shqipëria është e angazhuar, e përkushtuar në këtë drejtim.
Ti kthehemi edhe një herë bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës. Siç edhe e theksuat edhe ju, në konkluzionet e tij Këshilli i ministrave shprehet se një dialog i qëndrueshëm do të jetë jetësor në garantimin e të ardhmes europiane të Shqipërisë. Por vendimi i djeshëm, ashtu siç zakonisht ndodh në Shqipëri u lexua ndryshe nga qeveria dhe opozita. Në opinionin tuaj a premton kjo situatë aktuale për një dialog të qëndrueshëm në muajt në vijim?
Dëshiroj të filloj përgjigjen time me një citim paradoksal. Një politikan shumë i njohur italian ka thënë: Po të kishim të gjithë të njëjtat mendime nuk do të kishte baste në garat me kuaj. Më lejoni të theksoj një element shumë të rëndësishëm. Këshilli ka deklaruar se bashkëpunimi partiak ka qenë shumë i rëndësishëm për reformat në vend dhe shpresoj që ky mesazh të kuptohet qartë nga politika në vend. Për të pasur progres duhet bashkëpunimi i të gjithëve. Komisioneri Fyle ka deklaruar dhe e citoj: Është në dorën e qeverisë, autoriteteve të punojnë së bashku në bazë të atyre arritjeve mbresëlënëse që janë bërë deri më tani. Kjo është një përpjekje kombëtare. Këtu po flasim për një prioritet kombëtar ku të gjithë duhet të luajë një rol. Askush nuk mund të lihet jashtë procesit. Në Poloni përdorej një shprehje: Obsesioni me integrimin dhe Polonia u bë anëtare për 7 vjet çka është një periudhë relativisht e shkurtër. Pra duhet kuptuar qartë fakti se të gjithë duhet të punojmë për integrimin. Mund të them se jo vetëm gjatë periudhës zgjedhore, por edhe në takimet private dhe deklaratat publike ka dalë qartazi se të gjithë bien dakord për rëndësinë e procesit të integrimit. Ky është një aspekt i rëndësishëm që na jep besim se ky bashkëpunim do të vazhdojë.
Në një intervistë të pak kohëve më parë , keni deklaruar se nuk mund të jepni një vlerësim të caktuar sa i takon ndryshimeve të fundit në administratën publike pasi nuk kishit shifrat e nevojshme që keni kërkuar nga qeveria dhe opozita. A i keni marrë këto shifra dhe a mund të jepni sot një vlerësim?
Natyrisht që administrata publike është e një rëndësie kritike. Është prioritet kyç. Është e rëndësishme dhe për çeljen e negociatave. Ka rëndësi që Shqipëria të ketë një administratë stabël, kompetente dhe jo të politizuar. Edhe në rastin e largimeve nga puna dhe emërimeve ka rëndësi që legjislacioni të respektohet dhe të zbatohet. Ne i mëshojmë konceptit të vazhdimësisë së administratës publike. Kam punuar në Shqipëri për shumë kohë në dy momente të ndryshme. Po arrij në fund të vitit tim të tetë. Progresi drejt BE-së dotë thotë të mos përsëritet tradita e zëvendësimeve masive kur ndodhin ndryshime në qeveri. Të sigurohet vijimësi ekspertize. BE ka shpenzuar para në trajnime, e nuk duam që të shohim që anëtarë të trajnuar me fondet tona të zëvendësohen. Kam kërkuar shifra të sakta, emra dhe arsyet e emërimeve potenciale. E kam bërë disa herë. Dhe kam marrë: “jemi në procesin e verifikimit dhe mbledhjes së informacionit”. Pas këtij procesi do jemi në një pozicion më të mirë që të kemi një ide më të qartë.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht në parlament objektivin e qeverisë së tij për platform dialogu kombëtar duke përfshirë opozitën dhe shoqërinë civile. Sipas mendimit tuaj a po zbatohet ky objektiv? Po sa i takon opozitës, a po tregon ajo vullnet për tu përfshirë në këtë proces?
Ky është një element i rëndësishëm që tregon se procesi vazhdon dhe procesi i integrimit është në fokus. Përpara disa javësh, u lançua një formë shumë e rëndësishme: dialogu i nivelit të lartë për prioritetet kyçe, që fokusohet te integrimi, duke monitoruar çdo hap për përmbushjen e prioriteteve kyçe. Presim që qeveria, opozita të mund të bashkëpunojnë që të krijohet një udhërrëfyes, për atë që duhet bërë, që të përfundojnë prioritete kyçe. Ne jemi gati ta mbështesim në aspekt politik dhe financiar. Ndërkaq ka dhe një koncept që është shumë i rëndësishëm: roli i shoqërisë civile. Kjo është një styllë e rëndësishme e këtij procesi. Ne përpiqemi ta mbështesim; jo vetëm politikisht dhe financiarisht, por duam të kemi një partner dhe koncepti që përmendët ju është dëshmia e kësaj që përmenda. Do t’ju jap një shifër. Në 5 vitet e fundit kemi dhënë 30 milionë euro për projekte që zbatohen nga shoqëria civile. Më shumë se 100 projekte në mjedis, për romët, fusha sociale, trajtimi i burgosurve, etj. Ka raste kur kemi dhënë dhe 1 milion euro. Kjo një mënyrë për të injektuar në shoqëri besimin që qytertarët kanë një rol në të ardhmen e vendit. Dhe me anën e pjesëmarrjes duam të injektojmë një qasje transparente, shumë konkrete dhe shumë strikte të rregullave europiane. Sepse Europa do të thotë rregulla. Jemi të kënaqur të shohim rezultatet e këtij angazhimi. Por ndonjëherë nuk na kuptojnë tërësisht. Kemi pasur kritika të forta nga pak subjekte , sepse nuk janë të kënaqur, sepse kanë humbur në përzgjedhjet që kemi bërë, që janë tejet rigoroze dhe transparente. Nëse ndiqen rregullat mund të jesh i suksesshëm. Në rast se jo, humbet. Kjo nuk kuptohet në disa raste. Kritikohemi por jemi shumë krenarë për punën tonë, e udhëhequr nga vlerat europiane. A mjafton e gjitha kjo? Ndoshta jo. Megjithatë ne jemi krenarë për mbështetjen që i japim shoqërisë civile, sepse është një partnere dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet.
Nëse i qëndrojmë logjikës që sapo thatë, atëherë ne shqiptarët humbëm statusin se ndoshta nuk i kemi ndjekur siç duhet rregullat?
Procesi ka rregullat dhe ritmin e vet. Është e qartë se Shqipëria e do BE dhe do jetë pjesë e saj. Kjo vërtetohet nga vëmendja me të cilin ndiqet procesi i integrimit të Shqipërisë nga vendet anëtare. Mesazhi që donin të jepnin shtetet anëtare është njohje e atyre arritjeve, është mesazh pa kushte; hera e parë që s’ka kushte. Ndërsa tani kërkohet konsolidim I këtyre arritjeve. Nuk mund të konsolidohet diçka që nuk ekziston, ndaj ka arritje. Duhet të jeni të lumtur dhe krenarë për këto arritje, se nuk ishin të thjeshta. Le të shohim me pozitivitet në mënyrë realiste dhe të shohim drejt së ardhmes.
E lëmë pak mënjanë procesin e integrimit dhe flasim pak për ju personalisht si ambasador I BE-së. Keni deklaruar se në princip mandate juaj do të përfundojë në 2015-ën dhe se “cikli juaj në Shqipëri nuk ka përfunduar. Pse? Mendoni se do të përfundojë kur Shqipëria të ketë nisur negociatat për anëtarësim?
Po më krahasoni me Moisiun? Është më e thjeshtë se kaq. Nga 4 vjet që eshte mandati ndonjëherë është më shumë, disa herë më pak, cikli i zëvendësimit i bie që të jetë në 2015. Në rast se deri atëherë Shqipëria do jetë në gjendje të çelë negociatat, shpresoj shumë, por kjo gjë s’varet nga unë. Ajo që mund të them është që unë si dhe shumë të tjerë shohim këtë pasion, vitalitet që karakterizon Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Po flisja me një koleg dhe ishim dakord se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, me një popull të mrekullueshëm, pasi ndjehet fare qartë ky vitalitet që ekziston në Shqipëri, çka është kaq e rëndësishme. Një injektim i këtij vitaliteti në BE do jetë shumë i mire. Ne kemi nevojë për pasionin, entuziazmin, kurajon tuaj. Nuk është se mezi do pres ditën që më duhet të largohem nga Shqipëria.
E kuptoj që nuk varet nga ju, por sa shanse mendoni që ka që negociatat për anëtarësim të nisin vitin e ardhshëm duke qënë se vendimi për statusin u shty për në qershor të vitit të ardhshëm dhe duke patur parasysh edhe zgjedhjet Brenda BE-së?
Procesi i integrimit në BE bazohet në merita. Duke marrë parasysh entuziazmin që ekziston në këtë proces. Për çeljen e negociatave ka rregulla dhe do të ndërmerret në përputhje me praktikat dhe pasi të jenë plotësuar 5 prioritet kyçe për gjyqësorin, lufta ndaj krimit, e drejta e pronës, etj. Me pak fjalë sundimi i ligjit dhe drejtësia.
Do të doja tju pyesja për opinionin tuaj lidhur me një çështje krejt tjetër por që vijon të jetë e rëndësishme. Vendimi për të mos pranuar shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri pas protestave masive të qytetarëve shqiptarë. Kjo çështje ashtu si shumë të tjera e kanë ndarë opinionin public shqiptar. E ndërsa shumë argumentojnë se ne fituam pasi për herë të parë pamë një angazhim të tillë qytetar nga njerëzit dhe qeveria e përmbushi vullnetin e tyre, të tjerë thonë se humbëm një shans të madh për të qënë një lojtar I rëndësishëm në arenën ndërkombëtare dhe një partner konstruktiv. Cili është mendimi juaj? Fituam, humbëm apo të dyja bashkë?
T’ju them të vërtetën nuk e di. Nuk kam qejf të flas për fitore dhe për humbje por për procesin. Dua të bëj disa komente. Së pari: Situata të cilës ju i referoheni është dëshmia e kësaj pjesëmarrje kaq të madhe qytetare pra ajo që thashë se Shqipëria ka një shoqëri të gjallë. Për këtë çështje ne kemi thënë se, e kemi parë vendimin e qeverisë duke theksuar se e kuptojmë dhe e respektojmë. Por ne kemi thënë se BE do e mbështesë, OKB-në dhe agjencinë ONAK të cilët po punojnë për të shkatërruar armët kimike të Sirisë.
Zoti ambasador kisha përgatitur 12 pyetje si 12 prioritetet kyçe që të gjithë shqiptarët i njohin mirë, por nëse më lejoni do të bëj edhe një pyetje të 13-të.
Po por në këtë rast ju po shtoni një prioritet kyç (...qesh).
Këto dy ditë që kur u njoftua vendimi për shtyrjen e statusit kam parë që njerëzit janë shumë të zhgjënjyer dhe ka edhe një zemërim të qytetarëve që shihet nëpër rrjete sociale. A druheni se mbështetja e shqiptarëve për BE mund të bjerë?
Unë mendoj që kjo është një dëshmi e rëndësisë tejet të madhe që i japin shqiptarët procesit të integrimit në BE dhe vetë BE-së. Kjo tregon që çdo dashuri ka momente që janë më pasionante se të tjerat. Por e rëndësishme është që nuk ka indiferencë. Mendoj se ka një dashuri të madhe mes Shqipërisë dhe BE. Unë e di që është e njëjta dashuri mes Europës dhe Shqipërisë. Do t’ju jap një shembull. Unë kam qenë i përfshirë në këtë rajon për një kohë të gjatë dhe në mënyrë të tërthortë e kam njohur Ballkanin. Kur kam qenë në Nju Jork, unë kam ndjekur diskutimet disa herë të tmerrshme në OKB, para se të kthehesha në Romë. Kur i ndjeri Rugova kishte ardhur në Itali unë kisha për detyrë të merresha me organizimin e vizitës dhe mbarëvajten. Një nga fëmijët e tij kishte humbur një nga këpucët dhe unë duhej ta zgjidhja edhe këtë problem. Ishte një moment i veçantë që mbase do ta shkruaj në një libër kur të dal në pension. Por ky rajon ka qenë i ndarë më parë. Procesi i integrimit ka vënë në lëvizje një energji duke sjellë rezultate që më parë nuk mendoheshin. Shoqëritë janë të ndryshme por ajo që është e rëndësishme është që sot ka rezultate që para 10 viteve as nuk i mendonim. Marrëveshja Kosovë-Serbi u arrit në saj të kësaj perspektive. Zhvillimet në Shqipëri janë bërë në saj të kësaj perspektive europiane. Unë mendoj se në rast se do të lexohen në mënyrën e duhur konkluzionet e këshillit, aty ku thuhet se, Shqipëria është shumë e rëndësishme për ne, këtu jemi shumë të sigurtë. Po flasim për 85 milionë euro në vit të financuara në Shqipëri, ndërsa në 7 vitet e fundit kemi shpenzuar rreth 620 milionë euro. Të gjithë ne e dimë krizën që po përjeton Europa dhe mund të kishim thënë që kemi krizë dhe na duhet të reduktojmë ndihmën financiare. Por ne kemi vazhduar ndihmën në fusha të ndryshme, në shkolla, shëndetësi, polici, përmirësimin e ajrit etj, pra ne nuk e bëmë. Pse? Sepse për ne Shqipëria është e rëndësishme dhe kjo është dashuria nga ana jonë.
Le të shpresojmë që kjo dashuri të vazhdojë dhe të vijë duke u rritur…
Nuk kam dyshim për këtë.
Redaksia Online
(ac/mag/shqiptarja.com)