BEOGRAD - Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, kanë paralajmëruar për sot mbajtjen e një proteste në sheshin e Republikës në Beograd, për të kundërshtuar zbatimin e marrëveshjes së arritur midis Kosovës dhe Serbisë. Serbët e veriut do të protestojnë pas mesditës së sotme në Beograd me moton “Do të mbesim në Serbi”.

Këto protesta, serbët e veriut të Kosovës i zhvillojnë kundër zbatimit të marrëveshjes së arritur midis kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.

Sipas tyre, Marrëveshja e Brukselit i vë ata nën autoritetin e Prishtinës zyrtare.

“Protesta do të mbahet në Sheshin e Republikës, në orën 12:44, gjë që simbolizon Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë njëri nga udhëheqësit e serbëve të veriut, Marko Jakshiç.

Organizatorët e protestës kanë njoftuar se protestës do t’i bashkohen edhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe.

Marrë nga "Radio Evropa e Lirë"


Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)