Korçë, e mërkurë 30 tetor 2024 - ora 17:00. Ivani i Skënderbeut dhe Aleksandari i Partizanit do jenë kundërshtarë në stolat respektivë për javën e 11-të të Superligës. Kjo është hera e parë që në elitën e futbollit shqiptar përballë si kundërshtar vihen dy trajnerë nga Serbia.
Nëse në fushën e lojës prej vitesh nuk ka ndalime, kërcënime apo pengesa të llojeve të ndryshme për kombësinë apo besimin, dita e sotme në një farë mënyre do futet në historinë e futbollit shqiptar pasi dy serbë do përpiqen të fitojnë në bazë të ideve dhe taktikës së përdorur në fushë.
Nëse vendi ynë i ka tejkaluar këto pengesa në lidhje me kombësinë, në Serbi janë vite pas. Kjo për faktin e thjeshtë se në Superligën e këtij vendi në futboll dhe në ligat e tjera nuk e gjen një futbollist shqiptar.
Kjo, jo për shkak se shqiptarët e futbollit nuk janë të aftë sportivisht, pasi talentet nga Shqipëria dhe Kosova kanë krijuar "kolonitë" e tyre në Kroaci, Slloveni, Hungari e gjetkë; për mos përmendur kampionatet elitare në Evropë.
Duket se një politikë kundër shqiptarëve vijon të mbizotërojë në Serbi dhe në 16 ekipet elitare serbe nuk e gjen një futbollist shqiptar, apo qoftë edhe një trajner.
Prej vitesh në Superligën tonë kanë kaluar me dhjetëra futbollistë nga Serbia, që kanë lënë gjurmë në sportin tonë. Një prej tyre është edhe Ivan Gvozdenovic, që në 2010 u bashkua me Tiranën dhe më pas luajti me Skënderbeun e Kukësin, derisa u bë ndihmëstrajner te Tirana e më pas nga nëntori i 2022 është trajneri i Skënderbeut.
Me një shqipe të kulluar dhe një edukatë për t'u marrë shembull, Ivani nga Serbia nuk e ka ndjerë asnjëherë presionin për origjinën e tij, përkundër, në Korçë dhe në Shqipëri është i respektuar për vlerat njerëzore dhe profesionale.
Aleksandar Veselinovic i Partizanit prej gushtit të 2024 u bashkua me Partizanin dhe në një bisedë të para disa javëve tha se gjendet mirë në Tiranë dhe se është ambientuar në Shqipëri.
Për shqiptarët e futbollit (dhe jo vetëm) Serbia është si një "mollë e ndaluar", e kundërta ndodh në anën tjetër të kufirit; aty ku në Kosovë dhe Shqipëri kanë luajtur futbollistë dhe trajnojnë teknikë nga Serbia.
Nëse Serbia i ka bërë bllokadë profesionistëve nga Shqipëria dhe Kosova, FSHF do bashkorganizojë Euro 2027 për moshat U-21 me Serbinë.