Serbët gati për legalizimin
e murit në veri të Mitrovicës

Serbët gati për legalizimin<br />e murit në veri të Mitrovicës
Serbët në veri paralajmërojnë se sot do të legalizohet muri në pjesën veriore të Mitrovicës, i cili është ndërtuar nga serbët pranë urës kryesore të Ibrit.
 
Kryesuesi i Kuvendit të Mitrovicës Veriore, Dejan Gureshiq, ka ftuar këshilltarët komunalë në një seancë të jashtëzakonshme.
 
Pikë e vetme e rendit të ditës së seancës është: “Miratimi i projektit të rregullimit urban të zonës së këmbësorëve në rrugën ‘Mbreti Petar I’, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit”.
 
Me miratimin e këtij projekti synohet legalizimi i murit, i cili ka nxitur reagime të ashpra dhe tensione politike në Prishtinë.
 
Bashkim Cimili, shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin e Mitrovicës së veriut, i ka thënë gazetës “Zëri”, të dielën,  se këshilltarët shqiptarë në Kuvendin e Mitrovicës së veriut do ta kundërshtojnë këtë projekt dhe do të përpiqen që edhe me këshilltarë të tjerë të pamundësojë miratimin e këtij projekti, i cili edhe zyrtarisht e legalizon murin e Mitrovicës.
 
Ai ka shtuar se ka parë të kryetari Rakiq një version të dytë të projektit, sipas të cilit muri ka 3-4 shkallë dhe ndryshon nga pjesa e parë e projektit në të cilin muri figuron në lartësinë që ka tani.
 
Miratimin e këtij projekti në Kuvendin e Mitrovicës së veriut, kryetari Goran Rakiq, e kishte paralajmëruar menjëherë pas vendimit të institucioneve të Kosovës që muri të rrënohet dhe pas miratimit të Rezolutës për murin në Kuvendin e Kosovës.
 
Rakiq madje është kërcënuar se nëse Qeveria e Kosovës rrënon murin, atëherë komuna e Mitrovicës së veriut do ta rrënojë rrethrrotullimin tek ura, që është pjesë e projektit të revitalizimit të urës.
 
Pas këtij zhvillimi që ishte paralajmëruar nga kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, hapja e urës mbi lumin Ibër, e paraparë për 20 janar nuk do të ndodhë, pasi që ka mbetur peng i murit të ndërtuar ilegalisht nga serbët e veriut të Mitrovicës ngjitur me sheshin, i cili sipas Marrëveshjes së Brukselit të arritur më 25 gusht 2015 do të duhej të shndërrohej në shëtitore për qytetarët  e veriut të Mitrovicës. 

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë

Komandanti i KFOR-it bisedon me shefin e ushtrisë serbe për gjendjen e sigurisë në Kosovë