Ditën e sotme është ndaluar në pikën kufitare në Merdarë nënkryetari i Partisë Liberale të serbëve të Kosovës, i cili është njëkohësisht edhe zv/ ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Boban Stankovic. Lajmi është njoftuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e cilëson si provokim vendimin e Serbisë.
“Vazhdojnë provokimet dhe qasja jokonstruktive e shtetit serb ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sot në pikën kufitare në Merdare, është ndaluar nënkryetari i Partisë Liberale të serbëve të Kosovës si dhe zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Boban Stankovic. Ai po mbahet nga zyrtarët policorë serb pa asnjë arsye dhe në bazë të informacioneve që kemi ai po merret në pyetje nga zyrtarë të BIA-së serbe.
Ftojmë autoritetet serbe që të ndalojnë praktikat tilla të presionit ndaj qytetarëve serb, të cilët duan ta ndërtojnë jetën e tyre në Republikën e Kosovës. Kosova është shtet i gjithë qytetarëve të saj dhe ne nuk do të pranojmë që në këtë formë të frikësohen qytetarët tanë” deklaron ai.
Ndalimi i zv/ ministrit të Kosovës nga pala serbe pritet që të shkaktojë tension në marrëdhëniet mes dy vendeve, që nuk janë aspak të mira që prej vendosjes së tarifës 100% nga Prishtina për mallrat nga Beogradi.