Serbia ndalon një kosovar nën dyshime për krime lufte

Serbia ndalon një kosovar nën dyshime për krime lufte

Pika kufitare Serbi-Hungari

Më 17 prill, autoritetet serbe kanë ndaluar Sadik Durakun nga komuna e Gjakovës nën dyshime për krime lufte.

Vëllai i tij, Avdyl Duraku, tha për Radion Evropa e Lirë se Sadiku teksa po udhëtonte nga Britania e Madhe për në Kosovë, më 16 prill rreth orës 22:00 ishte ndalur në pikën kufitare në Horgosh, që lidh Serbinë me Hungarinë.

“Sipas avokatit, ai është arrestuar nën akuza se ka kryer krime lufte kundër popullatës serbe”, tha Duraku.

Në bazë të vendimit të Drejtorisë së Policisë në Kikindë për ndalimin më 17 prill, Sadik Durakut i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”, dhe se ekziston dyshimi që “së bashku me persona të panjohur gjatë vitit 1999, në zonën e komunës së Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrahur, ngacmuar fizikisht dhe mendërisht dhe ka grabitur popullatën civile”.

Sipas vëllait të Sadikut, këto akuza nuk qëndrojnë sepse Sadik Duraku para luftës të vitit 1999, ka jetuar me familjen në Angli.

Në vendimin e Drejtorisë policore në Kikindë, Sadik Duraku është shtetas i Britanisë dhe jeton atje.

Familjarët e Sadik Durakut thanë se nuk kanë informacion se në cilën qendër paraburgimi po mbahet ai.

“Ajo që dimë është se ai është në Serbi, sot do të dalë para gjykatës”, tha Avdyl Duraku.

REL ka kërkuar informacion nga Prokuroria Serbe për Krime Lufte për këtë rast.

Goran Petronijeviq, avokat që përfaqëson Durakun, tha për Radion Evropa e Lirë se ai është marrë në pyetje nga prokurori dhe se është në pritje që të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake. Ai tha se nuk mund të japë më shumë informacione.

Avdyl Duraku tha se ka informuar institucionet e Kosovës për rastin e vëllait të tij.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, ende nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me rastin në fjalë.

Në orët e hershme të 17 prillit, sipas autoriteteve në Kosovë, Serbia i ndaloi dhjetëra autobusë me rreth 1.500 kosovarë për më shumë se 20 orë në pikat kufitare të saj me Kroacinë dhe Hungarinë.

Po ashtu, pronarët e agjencive të kompanive të udhëtimit konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se autobusët me udhëtarë u lejuan të largoheshin nga territori i Serbisë pasditen e 17 prillit.

Ndërkaq, Serbia, sipas Kosovës, po ashtu ndaloi dhjetë zyrtarë policorë, në mesin e të cilëve edhe një zëvendësdrejtor të Policisë së Kosovës. Që të gjithë u liruan deri më 18 prill./ REL

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona