Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë më 8 tetor se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Kërkohet që Serbia të lejojë Kosovën që të bashkohet në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Për këtë gjë, Serbisë do t’i garantohej anëtarësim i shpejtë në BE, dhe ndoshta edhe përfitime tjera të mëdha ekonomike”, ka thënë Vuçiç në një adresim para gazetarëve.
Sipas tij, një propozim i tillë është i papranueshëm për Serbinë.
“Për Serbinë, për shkak të Kushtetutës, por jo vetëm për shkak të saj, është e papranueshme që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së, sepse diçka e tillë do të kishte pasoja”, ka thënë mes tjerash ai.
Sipas tij, gabimi më i madh që ka bërë Serbia është kur ka pranuar që BE-ja të menaxhojë procesin e zgjidhjes së statusit final të Kosovës.
“Prej atëherë, pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel, ne nuk kemi qenë në gjendje të fusim në agjendë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Vuçiç.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 7 tetor, se mbështet “çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
“Komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ”, ka thënë mes tjerash ajo, teksa ka komentuar çështjen e Asociacionit.
Presidenti serb ka thënë se pozicioni i Serbisë në relacion me Kosovën është duke u komplikuar secilën herë më shumë.
“Sepse shtetet e Perëndimit do të tentojnë, siç besojnë ato, të zgjidhin problemin e Kosovës në një mënyrë apo tjetër përmes anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe sepse besojnë se në atë mënyrë janë duke zgjidhur çështje brenda-evropiane”.
Një tjetër arsye, sipas tij, lidhet me përpjekje e Perëndimit që presidenti rus, Vladimir Putin të mos ketë argument Kosovën për synimet e tij në Ukrainë. Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Kosova thotë se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, por Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./REL
Perseri me perkedhelje Serbia dhe perseri u jepet kohe dhe shans per te luajtur me dy porta. Ore europiane, ore BE, kur do ta kuptoni qe Serbia nuk duhet te kete asnje avancim me negociatat, pa pranuar fajet dhe demet qe ka shkaktuar ne te gjithe Ballkanin. Vetem atehere do kuptohet se as Serbia nuk do luaje me me dy porta, por do kuptohet qe dhe ju si BE qe na predikoni barazi dhe liri, nuk do jeni me duke e perkedhelur Serbine.
PërgjigjuPerkdheljet më të ëmbla i ka nga vllau Edvin shkjau shqipfolës që lobon në qdo takim nderkombëtar për Serbin dhe kundër Kosovës… ky ështé Edvin shkjau