Serbia thekson rëndësinë e pajisjeve ushtarake kineze

Serbia thekson rëndësinë e pajisjeve ushtarake kineze

Zëvendëskryeministri i Serbisë tha se pajisjet ushtarake kineze kanë forcuar ndjeshëm forcat e armatosura serbe, posaçërisht në sistemin e mbrojtjes ajrore dhe me dronë.

“Për sa u përket marrëdhënieve dypalëshe Serbi-Kinë, do të veçoja bashkëpunimin ushtarak si dhe bashkëpunimin ekonomik dhe investimet e shumta, të cilat janë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, tha Milosh Vuçeviç, i cili është edhe ministër i Mbrojtjes i Serbisë në një intervistë për mediumin e kontrolluar nga shteti Global Times, që u botua të dielën.

Vuçeviç tha se përpjekjet për pajisjen dhe modernizimin e forcave të armatosura kanë për qëllim mbrojtjen.

Presidenti i Kinës Xi Jinping, bëri thirrje për një bashkërendim më të fortë strategjik me "mikun e çeliktë" Serbinë, kur takoi presidentin e saj, Aleksandar Vuçiç, në Pekin javën e kaluar, duke u zotuar për mbështetje ndaj Serbisë në ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë tokësore të saj.

Ministri Vuçeviç tha se sistemi i raketave kundërajrore kineze me rreze të mesme veprimi FK-3 dhe fluturaket pa pilot CH-95 dhe CH-92A, janë "pa dyshim" ndër sistemet më të rëndësishme të mbrojtjes që kishte marrë Serbia.

Vendi ballkanik shfaqi raketat tokë-ajër të prodhuara nga Kina së bashku me pajisje të tjera ushtarake të blera nga Rusia dhe Perëndimi, në prill të vitit të kaluar. Në vitin 2019 Serbia bleu sistemin e mbrojtjes tokë-ajër FK-3, të ngjashëm me sistemin rus S-300 ose sistemin amerikan Patriot. Ajo e mori sistemin vitin e kaluar.

Tensionet kanë qenë të larta në muajt e fundit midis Serbisë dhe Kosovës, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Rusia, e cila tradicionalisht mbështet Serbinë, kanë thënë se po e vëzhgojnë situatën.

Ministri Vuçeviç tha se Serbia do të rrisë aftësitë e saj për të mbrojtur pavarësinë, por nuk shpjegoi nëse do të merrte më shumë pajisje ushtarake kineze. Megjithatë, ai tha se ishte i sigurt që të dyja vendet do të zhvillonin marrëdhëniet e tyre, pasi Kina ishte një nga miqtë "më të besueshëm" të Serbisë./VOA

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Wisner: Ambasada e SHBA mbështet gazetarinë investigative

Wisner: Ambasada e SHBA mbështet gazetarinë investigative