Kombëtarja shqiptare e futbollit është në garë për një vend në play-off e Kupës së Botës 2026. Në nëntor skuadra do zhvillojë dy sfidat e fundit, atë kundër Andorrës në datën 13 në udhëtim dhe tre ditë më pas presim Anglinë në Tiranë.
Dueli i datës 16 nëntor në 'Air Albania' është i shumëpritur, pasi mund të jetë një ditë feste për kuqezinjtë që të sigurojnë një vend në play-off e Kupës së Botës. Sfida e orës 18:00 ka një interes të shtuar nga tifozët dhe mediet bëjnë me dije se numri i kërkesave për bileta në tre ditë e para të hapjes së shitjeve ka qenë më shumë se 100 mijë.
Me stadiumin 'Air Albania' që ka kapacitet maksimal 22 mijë e 500 ulëse, duket se do duhet të ndërtohen edhe pesë impiante për të përballuar kërkesat. Më 16 tetor FSHF hapi procedurën për pajisje me bileta, ndërsa ajo do ishte e njëjtë si kundër Serbisë më 7 qershor në Tiranë (0-0).
Më parë tifozët do duhet të aplikojnë për një biletë (ose deri në 4 maksimumi) dhe më pas do jetë një përzgjedhje rastësore teknologjike që do tregojë fatlumët.
Një e-mail do mbërrijë në adresat e fituesve, për të bërë më pas pagesën online dhe për t'u pajisur me bileta. Këtë ndeshje nuk do ketë bileta fizike në treg dhe gjithçka do jetë online.
Kombëtarja vjen pas fitores 0-1 në Serbi dhe ky sukses ka zgjuar një interes të madh për të qenë në stadium kundër Anglisë, me objektivat që janë në lojë për një vend në play-off e Kupës së Botës 2026.
Çmimet e biletave
Bie në sy se pjesa më e madhe e sektorëve në stadium kanë çmime të rritura për duelin me Anglinë. Një pjesë e vogël e tribunave më të largëta kushtojnë 2500 lekë, teksa pas porte një biletë kushton 3500 lekë. Karshia, pra pjesa përballë që është më e preferuar kushton 9000 - 15000 lekë. Ndërkohë që për të ndjekur Kombëtaren nga tribuna VIP duhet të paguash mes 15000 - 50000 lekë.
Renditja
Me dy ndeshjet e fundit për të luajtur, Shqipëria kërkon të mbajë vendin e dytë në Grupin K që të dërgon në play-off. Anglia, e kualifikuar për në fazën finale të Botërorit, ka 18 pikë. Shqipëria ndjek me 11 pikë, një më shumë se Serbia që mban vendin e tretë. Letonia me pesë pikë ndodhet në pozitën e katërt, ndërsa Andorra me 1 pikë gjendet në fund.

Faximile e çmimit të biletave
Komente








