Ndeshja mes Milanit dhe Comos nuk do të zhvillohet në Australi, pavarësisht marrëveshjes së arritur vetëm pak ditë më parë. Lega Serie A ka zyrtarizuar anulimin e projektit, duke bërë një hap pas për shkak të 'rreziqeve të larta financiare dhe komplikimeve organizative të shfaqura në minutat e fundit'.
Sipas komunikatës zyrtare, vendimi është marrë pasi kushtet e miratimit dhe garancitë financiare rezultuan të papërballueshme. Edhe pse fillimisht ishte rënë dakord të respektoheshin kërkesat sportive të Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC), kushtet shtesë të vendosura më vonë e bënë projektin të paqëndrueshëm nga ana ekonomike.
Projekti për zhvillimin e ndeshjes në Australi ishte miratuar nga të 20 klubet e Serie A, FIGC dhe UEFA. Megjithatë, qeveria e Australisë Perëndimore dhe Lega Serie A konfirmuan se nuk është kryer asnjë pagesë dhe se nuk ka humbje financiare nga anulimi.
Aktualisht mbetet e paqartë se ku dhe kur do të luhet sfida Milan - Como. Stadiumi “San Siro” nuk do të jetë i disponueshëm më 8 shkurt, për shkak të ceremonisë së inaugurimit të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina.
Autoritetet australiane theksuan se ndërprerja e projektit u bë për të shmangur rreziqe të papranueshme, ndërsa Lega Serie A e cilësoi anulimin si një mundësi të humbur për rritjen dhe promovimin ndërkombëtar të futbollit italian.
Komente






