Këtë të martë Superliga shqiptare e futbollit zbret në fushë me dy duele duke nisur nga ora 18:00. Në "Arenën e Demave" luhet derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Dinamos. Të kuqtë vijnë nga humbja kundër Egnatias, ndërsa blutë pas fitores me përmbysje kundër Vorës.

Sfida është shumë e rëndësishme dhe një gjë të tillë e theksoi edhe trajneri i "Demave të Kuq". Oltijon Kërnaja foli për mediet dhe tha se paçka se Dinamo është një ekip që meriton respekt, të tijtë do futen në fushë vetëm për tri pikët.

"Vijmë pas një humbje në ndeshjen ndaj Egnatias ku çunat dhanë maksimumin, luftuan. Ndeshja i kishte të treja rezultatet, siç humbëm mund edhe të fitonim nëse do të ishim më të qartë përpara portës. Ekipi aty është, do bëjmë sigurisht maksimumin për ndeshjen me Dinamo",tha Kërnaja.

Trajneri ceku edhe anën psikologjike pas humbjes me Egnatian.

"Të them të drejtën nuk e besoj që ka ndikuar në aspektin psikologjik, sepse nuk është se ekipi vjen pas rezultateve negative. Në këto tre muaj kemi rezultate goxha të mira. Do ishte më keq në aspektin psikologjik në rast se lojtarët nuk do kishin luajtur, nuk do kishin dhënë maksimumin. Lojtarët kanë dhënë maksimumin, futbolli i ka të treja rezultatet. Jemi mirë", tha ai.

Kërnaja vlerësoi Dinamon, por tha se ekipi i tij në fushë do futet për tri pikë.

"Dinamo është një ekip për t'u respektuar. Eshtë me plot meritë aty ku është, fituese në fuqi e Kupës. Ka elementë të mirë, por sigurisht ne do hyjmë vetëm për tre pikët. Nuk na intereson asgjë tjetër përveç tre pikëve dhe të vazhdojmë përpara", tregoi trajneri.

Kjo mesjavë rezervon edhe tre ndeshje të mërkurën. Vora luan kundër Bylisit, AF Elbasani pret Tiranën, ndërsa Vllaznia përballet me Flamurtarin.

Pas javës së 17-të është Egnatia me 34 pikë që kryeson renditjen, ndjekur nga AF Elbasani, Dinamo dhe Vllaznia. Në fund qëndrojnë Vora, Flamurtari dhe Tirana.

Superliga, raundi 18-të:

E martë, 23 dhjetor 2025

18:00 Partizani - Dinamo

18:00 Teuta - Egnatia

E mërkurë, 24 dhjetor 2025

13:30 Vora - Bylis

16:30 AF Elbasani - Tirana

16:30 Vllaznia - Flamurtari

Renditja: