GREQI­- Të paktën 13 emigrantë, përfshirë edhe fëmijë kanë humbur jetën pasi gomonia e tyre u përplas me një anije në ujërat e Turqisë. Aksidenti ndodhi pranë Portit të Canakales, ndërsa gomonia ishte nisur drejt ishullit grek Lesbos.
 
Rojet bregdetare turke thane se lëshuan alarmin pas njoftimit për përplasjen e dy mjeteve lundruese. Një helikopter dhe 6 varka shpëtimi u dërguan në zonën ku ndodhi aksidenti dhe 8 prej emigrantëve arritën të shpëtojnë.
 
Ndërkaq në një tjetër ngjarje, rojet bregdetare greke njoftuan për 26 persona të humbur, shumë pranë ishullit Lesbos. 22 persona u pikasën në ujërat pranë ishullit dhe arritën të shpëtojnë falë ndërhyrjes së autoriteteve.
 
Por ndërkohë 26 të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe mendohet të jenë mbytur. Ndërkohë mijëra emigrant vazhdojnë udhëtimin drejt vendeve të Evropës, kryesisht drejt Gjermanisë dhe Skandinavisë. Mbi 10 mijë vetë hynë dje në Austri ndërsa 7 mijë të tjerë kanë hyrë sot nga Hungaria.
 
Gjermania nga ana tjetër ka deklaruar se pret sot në mbrëmje 2 trena nga Austria me 1 emigrantë. 5 trena të tjerë me 500 refugjatë secili pritet të mbërrijnë nesër. Radhë të gjata njerëzish janë raportuar në kufijtë e Sllovenisë me Kroacinë dhe Austrinë ndërsa vihet re prania e ushtrisë. Austria, Hungaria, Sllovenia dhe Kroacia kanë akuzuar njëra tjetrën se nuk po arrijnë të menaxhojnë këtë krizë.
 
Ndërkaq ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të BE-së do të mblidhen sërish të martën në një takim urgjent në përpjekje për të rënë dakord për shpërndarjen e emigrantëve me kuota për secilin shtet. Ndërsa të mërkurën do të jenë liderët e BE-së që do të mbajnë një mbledhje emergjence për këtë çështje.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)