TIRANE- Pas largimit të shefit të Task-Forcës Genti Trenova nga drejtimi i hetimit të dosjes së serverit të Tatim-Taksave, kryeprokurori Adriatik Llalla heq nga hetimi i kësaj çështje dhe oficeren e policisë Gjyqësore Alma Bramo. Vendimi për largimin e saj është marrë rreth tre ditë më parë, duke e transferuar Bramon në sektorin e përgjimeve pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Çështja e fshirjes së faturave financiare nga serveri i Drejtorisë së Tatimeve, u përdor nga maxhoranca dhe opozita politikisht, duke sulmuar njëra-tjetrën. Për këtë çështje në prokurorinë e Tiranës është duke u hetuar shtetasi Renald Riska, ish-shef “IT” në Tatim-Taksa dhe dy inxhinierë të kompanisë “IKUB”. Disa ditë pas rregjistrimit të procedimit penal, u shfaqën disa pamje filmike ku tregohej deputeti Spartak Braho, njëherësh kryetari i komisionit të sigurisë dhe Ermal Beqiri.

Pamjet filmike bënë që opozita të sulmonte drejtpërdrejt Spartak Brahon, ndërkohë ky i fundit në disa dalje publike deklaroi se kishte qënë në Drejtorinë e Tatim-Taksave në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Sigurisë. Më tej Braho, ka pohuar se kjo dosje nuk mund të hetohej nga prokurori Trenonva, duke e sulmuar drejtuesin e njësisë Task-Forcë, të cilin e etiketoi figurativisht me emrin Shkëlzen Trenova. Sipas PS dhe LSI kishte lidhje miqësie me djalin e Sali Berishës. Gati 3 muaj pas këtyre sulmeve, kryeprokurori Llalla ka vendosur të largojë nga detyra e drejtuesit prokurorin Gentian Trenova duke e lënë prokuror të thjeshtë, dhe fill pas këtij vendimi një tjetër lëvizje ka ardhur pas disa kohësh, duke larguar nga ky hetim oficerën Alma Bramo.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të Shqiptarja.com (versioni print) 27 Maj
(d.a/shqiptarja.com)