Serwer: Serbia i çoi kërkesë KFOR-it për të provokuar, jo për të marrë përgjigje

Serwer: Serbia i çoi kërkesë KFOR-it për të provokuar, jo për të marrë përgjigje

Daniel Serwer

Pse KFOR-i s’po i kthen përgjigje Serbisë rreth kërkesës për ushtrinë në Kosovë? Çfarë do që të arrijë Serbia me veprimet e fundit të saj? A duhet ta presë Kurti KFOR-in për t’i hequr barrikadat? Profesori amerikan Daniel Serwer, që po përcjell zhvillimet në veriun e Kosovës, për Gazetën Express i ka komentuar disa prej ngjarjeve të fundit.

Janë bërë 12 ditë prej kur Serbia i ka bërë kërkesë misionit të NATO-s në Kosovë që t’i lejojë futjen e ushtarëve dhe policëve serbë në territorin e Kosovës. Akoma pa e dorëzuar zyrtarisht kërkesën, diplomati amerikan, Gabriel Escobar, kishte reaguar ashpër ndaj kësaj ideje, duke mos i dhënë asnjë mundësi tjetër pos refuzimit të saj. Por, tani që Serbia e ka çuar kërkesën, KFOR-i nuk është ngutur për t’i dhënë përgjigje negative, sic e paralajmëronte Escobar.

Profesori amerikan, Daniel Serwer, nuk pret që KFOR-i t’i përgjigjet Serbisë në atë që ai e quan provokim, e jo pyetje.

“Dyshoj nëse ndonjëherë do t’i përgjigjen. Është një pyetje që është bërë në formë të provokimit, jo për të marrë përgjigje” .

Kur serbëve të veriut iu kërkua që të braktisin vendet e tyre të punës në institucionet publike, Kryeministri Kurti tha se presidenti serb, Aleksandër Vuciq, po provonte të destabilizonte situatën me këso metoda, për ta mbuluar refuzimin që ia ka bërë propozimit evropian, të njohur si plan franko-gjerman, për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Serwer thotë se në fakt nuk ka asgjë të fshehur këtu dhe se Serbia nuk do të që të ketë bisedime për normalizim.

“Albini e di më mirë se unë. Mendoj se të dhënat janë të favor të asaj që ai e thotë. Nuk ka asgjë të fshehur; Serbia po provon ta bëjë të pamundur që të bëhen bisedime serioze për normalizim”, thotë Serwer.

Qeveria e Kosovës pret që KFOR-i të veprojë, ndonëse janë shpeshtuar deklaratat ku thuhet se Policia e Kosovës ka mundësitë dhe gatishmëritë për t’i hequr barrikadat. KFOR nuk ka dhënë ndonjë shenjë se do të ndërmarrë ndonjë veprim për t’i hequr ato. Ndërkombëtarët thonë se ato duhet hequr me negociata.

Profesori amerikan e sheh si zgjuarsi të Kurtit që ai po i jep kohë KFOR-it që të veprojë për largimin e bllokadave nga rrugët e veriut.

“Do të ishte shumë më mirë që ai të mos e rrezikojë policinë e tij me konfrontim direkt me njerëz, të cilët qëllimin e vetëm e kanë destabilizimin”, thotë ai.

Serwer i ka komentuar edhe lëvizjet e ushtrisë së Serbisë së fundmi në afërsi të vijës kufitare me Kosovën. Ai thotë se kjo duhet marrë seriozisht.

“Kurdo që forcat ushtarake vendosen në një pozicion sulmi, është e zgjuar për t’u marrë seriozisht”.

Profesori amerikan, që njihet për gjuhën e drejtëpërdrejtë ndaj zyrtarëve serbë, thotë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta ndryshojnë qasjen ndaj Serbisë, pasi beson se deri tani është provuar të flitet më butë me të.

“SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë provuar që ta qetësojnë Serbinë duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ky qetësim ka dështuar të prodhojë zbutje. Në vend të kësaj, i ka shtuar apetitin Beogradit. Brukseli dhe Ëashington duhet ta korrigjojnë diskursin”, thotë Serweri.

Kryeministri Kurti kishte shpresa, me aq sa i ishte thënë në Bruksel, që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të arrihej, më së largu, në fillim të pranverës. Serwer nuk është optimist se diçka e tillë do të mund të ndodhë në çerekun e parë të vitit të ri. Siç flet ai, ndoshta as më vonë se kaq.

“Shpresoj të jem gabim, por nuk shoh asnjë perspektivë për një marrëveshje deri në pranverë”. Tutje Serwer thotë, “Serbia po luan lojën e Millosheviqit/Putinit në kërcënimin e fqinjit. Ne e dimë ku ka çuar ajo në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Gjeorgji dhe Ukrainë. Sa shembuj të tjerë, para se ta marrim mësimin? Agresionit i duhet një përgjigje e fortë dhe efektive”.

Barrikadat në veriun e Kosovës u vendosën pas disa incidenteve në veri prej fillimit të dhjetorit. Më 10 dhjetor, Policia e Kosovës arrestoi ish-policin Dejan Pantiq, nën dyshimet se kishte organizuar një sulm katër ditë më parë ndaj zyrtarëve zgjedhorë dhe policorë të Kosovës.

Kosova shtyu zgjedhjet që ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor, pasi kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri, ishin dorëhequr. Zgjedhjet u shtyn pas kërkesës së ndërkombëtarëve, të cilët i druheshin eskalimeve, pasi përfaqësuesit politikë të serbëve që ishin dorëhequr, nuk donin të mbaheshin këto zgjedhje dhe kishin nisur reaksionet.

Zyrtarë të Listës Serbe vazhdimisht lajmërohen nga barrikadat, ndërsa pushteti në Serbi thotë se nuk e ka urdhëruar bllokimin e rrugëve në veri, ndonëse zyrtarët më të lartë serbë, si Presidenti e Kryeministrja, i mbrojnë këto barrikada. Të hënën vonë është vendosur edhe një barrikadë tjetër në rrugët e veriut. /Express/

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë