Seuli kritikon Moskën për ratifikimin e traktatit të mbrojtjes me Phenianin

Seuli kritikon Moskën për ratifikimin e traktatit të mbrojtjes me Phenianin

Vladimir Putin dhe Kim Jong Un

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut ka shprehur “shqetësim të thellë” më 25 tetor, pasi Rusia ratifikoi traktatin e saj të mbrojtjes me Korenë e Veriut, duke i bërë thirrje sërish Moskës që të ndalë “bashkëpunimin e paligjshëm” me Phenianin.

Të enjten, ligjvënësit rusë votuan në mënyrë unanime për ratifikimin e traktatit të mbrojtjes me Korenë e Veriut që ofron “ndihmë të ndërsjellë” nëse ndonjëra palë përballet me agresion.

Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mijëra trupa të Koresë së Veriut po trajnohen në Rusi, ndërkaq Ukraina tha gjatë kësaj jave se ushtarët kanë arritur “në zonën e luftës” në rajonin kufitar rus të Kurskut.

Koreja e Veriut dhe Rusia paraprakisht kanë mohuar dislokimin e trupave koreanoveriore.

Seuli “shpreh shqetësim të thellë për ratifikimin nga Rusia të traktatit të mbrojtjes me Korenë e Veriut në mes të dislokimit të vazhdueshëm të trupave të Koresë së Veriut në Rusi”, tha Ministria e Jashtme përmes një njoftimi.

Në njoftim u tha se Qeveria koreanojugore “bën thirrje që trupat e Koresë së Veriut të tërhiqen menjëherë dhe të ndalet bashkëpunimi i paligjshëm”.

“Qeveria do të punojë së bashku me komunitetin ndërkombëtar për një përgjigje të fuqishme ndaj bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme, teksa ky bashkëpunim ushtarak vazhdon”, u tha në njoftim.

Më 24 tetor, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, e quajti dislokimin “provokim që kërcënon sigurinë globale përtej Gadishullit Korean dhe Evropës”. Këto deklarata ai i bëri pasi u takua me presidentin e Polonisë, Andrzej Duda.

Yoon tha po ashtu se Koreja e Jugut do të “rishikojë” qëndrimin e saj, sa i përket ofrimit të armëve Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë. Seuli për një kohë të gjatë ka rezistuar ndaj ndryshimit të politikës, që do t'i lejonte shtetit t'i dërgonte armë Kievit.

Ndërkaq, Koreja e Veriut ka miratuar një himn të ri kombëtar, raportoi media shtetërore të premten, një tjetër lëvizje që ekspertët dyshojnë se do të shtyjë përpara përpjekjet e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, për ta përcaktuar shtetin e tij si krejtësisht të ndarë dhe në konflikt me Jugun.

Koreja e Veriut ka ndryshuar Kushtetutën për të përcaktuar Jugun si shtet “armiqësor” dhe javën e kaluar ka hedhur në errë disa rrugë dhe hekurudha që dikur lidhnin të dyja shtetet./ REL

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Përmbytjet ‘apokaliptike në Spanjë, shkon në 213 numri i viktimave

Përmbytjet ‘apokaliptike në Spanjë, shkon në 213 numri i viktimave