TIRANË-Me vendimin për të ndjekur politikën e kufijve të hapur qeveria shqiptare i ka dhënë ndihmesën më të madhe sektorit të turizmit në vend dhe i ka dhënë një avantazh shumë të madh krahasuar me vendet e rajonit. Astrit Kurti, ekspert i hotelerisë dhe turizmit, në një intervistë të dhënë për Report Tv tha se ky vendim i qeverisë ka bërë që sezoni të nisë me një pozitivitet të madh dhe numri i kërkesave është i kënaqshëm.
"Në turizëm ka shumë rëndësi elementi kohë. Shteti na ka ndihmuar shumë me faktin që ka krijuar kushtet për një politikë me kufij të hapur. Kjo është për tu lavdëruar pavarësisht se shteti shqiptar nuk arriti të ndihmojë biznesin me para direkte. Hapja e kufijve ka qenë ndihmë shumë e madhe. Jemi në rajon i vetmi destinacion ku mund të shkohet pa asnjëlloj kushti. Pa test, pa certifikatë vaksine e të gjithë këto. Deri tani sezoni po ecën shumë mirë. Kërkesa është shumë e lartë", tha Kurti.
Eksperti u shpreh se janë polakët ata që përbëjnë numrin më të madh të turistëve të huaj në vend.
"Tregu polak është numri 1 në Shqipëri. Durrësi është magneti më i madh për polakët pasi ka fuqi më të madhe akomoduese. Ndërsa rusët dhe ukrainasit janë më shumë të shpërndarë në Vlorë dhe Sarandë", tha ai, duke nënvizuar se infrastruktura është problemi më i madh.