Jemi në mesin e sezonit turistik, por në shumë plazhe ende nuk ka vrojtues, çka rrit më shumë pasigurinë e pushuesve që zgjedhin të kalojën pushimet në plazhin e vendit tonë. Report Tv ka trajtuar herë pas herë mungesën e vrojtuesve të plazhit, ndërsa operatori turistik Vasil Bedinaj tha për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj se shkak është mungesa e fuqisë punëtore.

Gazetari i Report Tv, Elvis Hila ngre problematikën e mungesës së vrojtuesve edhe në vijën bregdetare të Shëngjinit, duke thënë se kullat e vrojtimit janë bosh, ndonëse subjektet kanë nënshkruar me bashkinë një kontratë për përdorimin e plazhit ku në pikën e parë të saj detyrohen për të kenë një roje plazhi.

“Ajo që ndodhi vjet në Himarë bëri që të kishte një kontroll më të theksuar. Situata është më ndryshe se në Durrës dhe Shëngjin. Në Vlorë prej javësh është ngritur grupi i kontrollit të vijës bregdetare. Është bërë një koordinim, janë përpjekur edhe operatorët turistikë që t’i kenë të plotësuar. Shpresojmë që të jetë kjo situatë deri në shtator dhe të jetë një situatë e kënaqshme për ata pushues që zgjedhin Shqipërinë”, tha Bedinaj.

“Situata është problematike sa i përket vrojtuesve në plazhe, janë vënë kullat e vrojtimit në bregun e Shëngjinit, por janë bosh dhe mungojnë vëzhguesit. Kam bërë një vëzhgim dhe shihet qartë që mungojnë vrojtuesit për të garantuar sigurinë për pushuesit.  Në të gjithë vijën bregdetare janë rreth 500 e ca stacione plazhi, nuk janë të gjitha të shfrytëzueshme, por referuar kontratës, subjektet që kanë marrë plazhin për shfrytëzim në pikën e parë është stacioni i plazhit sëbashku me vrojtuesin e certifikuar. Nuk po e zbatojnë në terren, janë vetëm formale. Interesi i të rinjve është mjaft i ulët”, tha Hila.

Ndërkohë, sa i përket mungesës së fuqisë punëtore, Bedinaj thotë se në bizneset e tij ka marrë punëtorë nga Nepali e Srilanka.

“Nuk e kemi plotësuar, po përpiqemi të kemi punonjës që kemi aktualisht, me punonjësit nëpër rrethe, gjithandej ku kemi pasur mundësi për të marrë punonjës. Kemi sjellë edhe nga jashtë, në subjektet e mia gjen turq, nga Nepali, Srlianka. Nuk është kjo që kemi dashur, por ja që erdhi koha që të marrim edhe nga jashtë. Nuk kanë mënyrën e shërbimit që ne kemi, kanë dëshirë për të punuar”, tha ai.