TIRANË- Brenda muajit maj do të hapen kufijtë. Kreu i qeverisë Edi Rama është shprehur në Kuvend këtë të enjte se brenda këtij muaji vendi do të jetë tërësisht i hapur dhe se tashmë duhet të bëhemi gati për sezonin turistik. Rama theksoi dhe një herë se falë masave të marra vendi e kaloi këtë situatë me sukses por pohoi se hapja totale do të shoqërohet edhe me një tjetër përgatitje në rast se pandemia rikthehet përsëri.

"Brenda majit Shqipëria do të jetë e hapur tërësisht, kufijtë do të jenë hapur dhe ne do të përgatitemi për sezonin turistik", tha Rama.

Ndërkohë Ministri i Turizmit Blendi Klosi ka zhvilluar një takim me anëtarët e Unionit Turistik Shqiptar për situatën aktuale dhe planeve për rihapjen e turizmit, dhe në fokus kryesor ka qenë hapja e kufijve tokësore dhe lëvizja e lirë e njerëzve pa masa karantinimi, për te bere te mundur rivalizimin e turizmit rajonal dhe atij te brendshëm. Klosi ka deklaruar sipas unionit që do te angazhohej personalisht për realizimin e tyre dhe do loboje qe rihapja te behet e mundur duke filluar nga data 1 qershor. Por burime nga Unioni thonë se charteri i parë do të mbërrij në vendin tonë më 2 qershor do të vij nga Bjellorusia.

Unioni Turistik ka kërkuar gjatë takimit që bëhet një marrëveshje me Ministrinë e Kulturës për reduktimin e hyrjeve nëpër muze, ulje të taksave vendore për 2020, si dhe shtyrja e kësteve të kredive për sektorin e turizmit deri ne dhjetor 2020.