Sezoni turistik ka rritur gatishmërinë e Shërbimit të Urgjencës në Spitalin Rajonal të Lezhës. Prej 1 qershorit është dyfishuar ekipi mjekësor, ku janë vënë në dispozicion 2 autoambulanca, si dhe një motoambulancë, e cila vjen si risi për të dytin vit radhazi, për të kapërcyer vështirësitë e trafikut të rënduar, i cili është i zakonshëm gjatë sezonit turistik.

Koordinatori i Shërbimit të Urgjencës, Ledion Prendi, thotë se rritja e numrit të pushuesve në zonat bregdetare ka sjellë edhe një shtim të konsiderueshëm të kërkesave për ndihmë mjekësore.

"Shërbimi i Urgjencës kanë dyfishuar ekipet mjekësore. Dhe risia që kemi pasur edhe vjet është motoambulanca, e cila na ndihmon në zonat që kanë trafik të rënduar. Çdo ditë kemi thirrje nga qytetarët, por ne jemi gjithmonë në gatishmëri”, tha Ledion Prendi koordinator i shërbimit të urgjencës Lezhë.

Gjatë sezonit veror, numri i thirrjeve në Urgjencën e Lezhës kalon mbi 1 mijë, çka nxiti nevojën për rritjen e kapaciteteve të reagimit. Vendosja në funksion e motoambulancës për të dytin vit radhazi është një hap i rëndësishëm për të garantuar sigurinë dhe shërbimin e shpejtë shëndetësor për qytetarët dhe pushuesit në Shëngjin.