Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, po forcon inspektimet në tregjet  e vendit, me qëllim rritjen e sigurisë dhe cilësisë së ushqimeve  gjatë sezonit të verës. Burime nga AKU , bëjnë të ditur se,  gjate muajit Korrik e në vazhdim, kontrollet jane intensifikuar, duke u fokusuar kryesisht te zonat turistike të vendit.

Drejtori i Menaxhimit të Riskut pranë këtij institucioni, Kreshnik Totaj, thotë se , deri tani ne shkalle kombetare, janë pezulluar 200 subjekte që tregtonin jashtë standardeve higjeno-sanitare, ndërsa 1500 subjekte tregtare janë paralajmëruar me vendosje gjobe.

Sipas tij, produktet që paraqesin rrezikshmëri më të lartë janë ato me origjinë shtazore dhe nënproduktet e qumështit. Qytetarët duhet të jenë edhe vetë të ndërgjegjshëm përsa i përket rrezikshmërisë që paraqesin produktet ushqimore. Blerja në tregje të hapura dhe të palicencuara duhet të shmanget, si edhe të denoncohet çdo abuzim i konstatuar në dëm të tyre. /ATSH/