Në ambientet e Institucionit të Prefektit të Qarkut Vlorë u zhvillua këtë të hënë mbledhja e parë e Task-Forcës për Sezonin Turistik Veror 2026, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse në nivel vendor dhe qendror.
Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të Prefektes së Qarkut Vlorë, e cila prezantoi objektivat dhe prioritetet për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror në qark.
Gjatë mbledhjes u diskutua mbi zbatimin e Urdhrit të Kryeministrit nr. 107, datë 29.05.2026, për ngritjen e Task-Forcës Ndërinstitucionale të Sezonit Turistik 2026, si dhe Urdhrit të Prefektit nr. 34, datë 08.06.2026, për ngritjen e task-forcës në nivel qarku.
Institucionet pjesëmarrëse prezantuan planet e masave dhe angazhimet konkrete për garantimin e sigurisë, pastërtisë, shërbimeve publike, menaxhimin e plazheve, mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e çdo problematike që mund të shfaqet gjatë sezonit turistik.
“Si çdo vit Drejtoria e Policisë Vendore Vlorë kemi përgatitur një plan masash. Është menduar të të angazhohen 380 punonjës policie, po ashtu i është kërkuar departamentit të sigurisë në Tiranë një sërë forcash. Rreth 100 punonjës të policisë do të vijnë në datën 1 korrik”, tha Hasanaliaj.
Në fokus të diskutimeve ishte koordinimi ndërinstitucional, monitorimi i vazhdueshëm i situatës në terren dhe raportimi periodik i masave të ndërmarra. U vendos që institucionet përgjegjëse të raportojnë çdo javë pranë Prefekturës së Qarkut Vlorë mbi ecurinë e detyrave të përcaktuara.
Mbledhja u mbyll me orientimet e Prefektes së Qarkut Vlorë, e cila kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha institucionet për të garantuar një sezon turistik të sigurt, të organizuar dhe sa më cilësor për qytetarët dhe vizitorët.
Komente







